Ka than' i moçmi: 

"E çka duhet me ba ma tepër për me kenë shqiptar?!"

Dom Ndre Zadeja

Ndërtohet tuneli për furnizimin me ujë të Tiranës nga burimet e Shën-Mërisë

Nga Skenderi 0

Krahas investimeve në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm në qytet, Bashkia e Tiranës ka nisur edhe investimet strategjike për të rritur kapacitetin e prurjeve nga burimet në Malin e Dajtit, duke ulur në të njëjtën kohë edhe kostot financiare.

Nëpërmjet ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Bashkia e Tiranës ka nisur një nga projektet më të mëdha të ndërmarra në vitet e fundit, që ka të bëjë me shfrytëzimin më të mirë të burimeve të Shën Mërisë dhe rritjen e kapacitetit përcjellës të linjave në sasi të konsiderueshme uji për qytetarët, por edhe ujin që ushqen hidrocentralin e Lana Bregasit me qëllim shtimin e sasisë së energjisë së prodhuar.

Teksa inspektoi punimet që po kryhen në terren, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se për të bërë të mundur këtë projekt po hapet edhe një tunel rreth 2 km i gjatë, i cili do të mundësojë kalimin e tubacionit dhe rënien e lirë të ujit drejt Tiranës.

 “Për pak javë do të kemi ujin që vjen nga Shën Mëria direkt nëpërmjet këtij tuneli për të shkuar në Lana Bregas dhe për të furnizuar Tiranën. Kjo ka disa të mira. I kursen kompanisë tonë 2 milionë dollarë në vit, të cilët shkonin si pagesa për energjinë elektrike që pomponin ujin nga lugina në mal, për të zbritur prapë pastaj në luginë, aty ku është Tirana. Duke çarë malin, me 2 km tunel, sigurohemi që kemi një linjë të re transmetimi dhe s’kemi humbje. Jo vetëm kaq, por gjithë furnizimi bëhet me rënie të lirë dhe jo me koston e papërballueshme të pompave elektrike”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se ky investim do të shtojë ujin në hidrocentralin e Lanabregasit, çka do të rrisë kapacitetin e prodhimit të energjisë dhe për rrjedhojë edhe ardhurat prej saj.

 “Nga linja e re, një pjesë e madhe e abuzimeve ose e shpërdorimit të ujit në rrjet shkon direkt edhe në hidrocentralin e Lana Bregasit, fitojmë më shumë ujë, fitojmë edhe më shumë energji. Kësisoj, kemi një kompani që del më rentabël dhe pastaj, kjo na fuqizon financiarisht për të bërë edhe më shumë investime”, u shpreh Veliaj.

Ai vuri në dukje faktin se ky kantier pune ka bërë të mundur edhe punësimin e një numri të konsiderueshëm të banorëve të zonës.  Kryebashkiaku i Tiranës tha se gjatë këtij viti UKT do të shtojë kapacitetin e filtrimit të ujit të pijshëm edhe në impiantin e Bovillës, duke mundësuar furnizim më të mirë me ujë të qytetarëve të Tiranës.

Por, që këto investime të japin rezultatet e duhura në furnizimin me ujë të kryeqytetit, kryebashkiaku ka kërkuar nga banorët bashkëpunim për të mos shpërdoruar ujin e pijshëm. “Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët ta përdorin ujin me kujdes. Vërtet e kemi çmimin dy herë më të lirë se Korça, 50% më të lirë se Durrësi, por kjo nuk është arsye që ‘t’i biem me top’. Kjo përkundrazi, është një arsye për ta përdorur me kujdes sepse përdorimi me kujdes i ujit siguron që gjithë Tirana furnizohet dhe sigurisht pagesat korrekte na garantojnë që të vazhdojmë me këtë ritëm investimesh”, u shpreh Veliaj.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej