Ka than' i moçmi: 

“Gjysmë mjeku-vdes njerëzia, gjysmë idealisti-nuk bëhet Shqipëria”.

                                     -Fan Noli

Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur, Fatos Arapi

Nga Media 0

Shqipëria ka humbur sot shkrimtarin e njohur, Fatos Arapi. Poeti, gazerai dhe përkthyesi Arapi u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. Të afërmit kanë bërë me dije me dije se ceremonia e varrimit bëhet në varrezat e Sharrës në Tiranë.

Fatos Arapi lindi në vitin 1930 në Vlorë, Shqipëri. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë.
Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 e fitoi “Kurorën e artë” në manifestimin poetik Mbrëmjet e poezisë strugane dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim.
Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, Fatos Arapi ka shkruar disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar, 1970; Shokët, 1977; Deti në mes, 1986; disa drama: Partizani pa emër, 1962; Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku, 1995; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.
Poezi të Arapit

TI DO TË MË DASHUROSH PATJETËR

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditëne ndezën.
Mirë sot,po si durohet pa ty nesër?
Ti do t’më dashurosh patjetër.
Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërcev jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Ti do t’më dashurosh patjetër

DETI

I vogël, me pantallona të shkurtra,
me këmbë të zbathura e një këmishë hamaije , që e qepte vetë gjyshja…

Ashtu darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohtë më rridhte rëra.

Unë prisja me orë të tëra,
gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjëra të natës
ngriheshin kope të çuditshme, të panumurta kuajsh të bardhë.

Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhë – aradhë,

Turfullonin.

Binin me këmbë të thyera,
rrokulliseshin duke gulcuar nëpër të zezat humnera.

Mbi ta fluturonin të tjerë,
jelet e hakërryera dallgë – dallgë fushën e djellit fshinin .

Hingëllima të frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin, afroheshin drejt meje.

Gjokset e mëdhenj e të bardhë kreshperonin përpjetë
këmbët e para rrihnin në erë…

Sytë u flakëronin.

Një çast… dhe nën thundrat e tyre do të më coptonin.

Kur ja me potere
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin tek këmbët e mia.

Nga flegrat gjigande
miliarda grimceza të kristalta shfrynin për të fundit herë

Të tjerë hingëllinin nëpër fushat e gjëra të natës

Me gëzim e frikë, orë të tëra unë shihja kuajt e bardhë
të suleshin nëpër furtunë.

Thyenin këmbët , rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin, fluturonin njeri mbi tjetrin…

Dhe tani, kudo që jam,
ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti…

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej