Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Mustafaj: Basha duhej ta largonte Berishën nga PD. Edhe Merkel i tha Kohl-it “ik nga partia”

Nga Klodiana 0

“Forumet UET”/ Ish-deputeti e ministri i Partisë Demokratike: E kam derën hapur, por nuk rikthehem në politikë 

Merkeli ishte produkt shumë më laboratorik Helmut Kohl sesa ishte Basha i Sali Berishës, sepse Merkeli ishte femër nga Gjermania Lindore dhe që të merrte drejtimin  e CDU-së, partisë më të madhe në Europë, mund të ndodhte vetëm duke ia lënë çelësat Kohl. Ai e bëri këtë dhe Merkel në fund të javës së parë i tha Kohlnit “nuk ke punë në parti”. Pra, ajo që thotë Frojdi “me vra babanë”.

Besnik Mustafaj ishte ministër i Jashtëm kur dha dorëheqjen nga politika vetëm pak javë para se Shqipërinë ta vizitonte presidenti Bush.

Arsyet e vërteta të asaj dorëheqjeje vazhdojnë të jenë një enigmë për mediat, edhe pse Mustafaj këmbëngul se ishte lodhja e tij nga politika dhe dëshira për t’iu rikthyer shkrimtarisë.

Por pavarësisht kësaj dëshire të realizuar me një roman të botuar fill pas dorëheqjes, ai pranon se vazhdon të ketë pasion për politikën dhe madje duke qëndruar në karrigen e shkrimtarit-spektator i lejon vetes të bëjë komente të forta për lidershipin e partisë së tij, të cilin ai e quan të pakonsoliduar plotësisht.

Për Mustafajn, Lulzim Basha e udhëheq partinë nën hijen e ish-kryetarit Berisha, gjë që sipas tij e dëmton atë vetë dhe partinë.

Duke biseduar me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës të martën në mbrëmje Mustafaj tha se Bashës do t’i duhej një distancim i menjëhershëm nga Berisha.

Në mënyrë frojdiste, ai e krahasoi me kompleksin e Edipit, ku biri vret babanë, ndërsa në një paralele politike e krahasoi me rastin Merkel dhe Kohl.

“Unë besoj se ka qenë shumë e vështirë që të drejtosh Partinë Demokratike në këtë periudhë, ka qenë e vështirë për arsye të ekzistencës së Sali Berishës, për arsye të historisë së Partisë Demokratike. Dhe unë në fund të vitit 2013 kam kërkuar që të zgjatet tranzicioni dhe lë të fillojë një garë e vërtetë brenda partisë, një garë që të ishte 6 muaj. Jam i bindur që gara do të fitohej nga Basha, por gara do të ishte stërvitja paraprake e domosdoshme që ai ta merrte me një siguri më të madhe drejtimin e Partisë Demokratike dhe duke e marrë me një siguri të madhe do të mund t’i vendoste kufirin Sali Berishës dhe duhet të bëjë atë që bëri Merkeli me Kohlin. Merkeli ishte produkt shumë më laboratorik Helmut Kohl sesa ishte Basha i Sali Berishës, sepse Merkeli ishte  femër nga Gjermania Lindore dhe që të merrte drejtimin  e CDU-së, partisë më të madhe në Europë, mund të ndodhte vetëm duke ia lënë çelësat Kohl. Ai e bëri këtë dhe Merkel në fund të javës së parë i tha Kohlit “nuk ke punë në parti”. Pra, ajo që thotë Frojdi “me vra babanë”. Kjo domethënë është dhe ajo që duhet të bënte Basha. Por Basha për njërëzillëk apo për shumë arsye, tani po i shikoj anët pozitive, nuk e ka bërë publikisht dhe gjithë lufta që i bëhet nga kundërshtarët ka të bëjë me këtë fakt. E keni parë ju sa flet Basha, Edi Rama thotë ja unë do të flas me atë kryetarin e vërtetë, Saliun dhe bëhet një makinë shumë e madhe për ta paraqitur si një lider fals, si një lider rezervë dhe për t’ia zvogëluar autoritetin dhe legjitimitetin dhe kjo nuk i ka bërë mirë Partisë Demokratike, nuk i ka bërë mirë as opozitës, sigurisht as Bashës”, u shpreh Mustafaj.

Ai shtoi se për Berishën do të ishte e mjaftueshme të merrej me qytetarin e tij digjital dhe ta linte Bashën të merrte rolin e kryetarit të partisë.

Pas daljeve të tij në fushatë për Sherefedin Shehun në Dibër u krijua ideja se Mustafaj do të afrohej te PD-ja tani që është Basha në krye, por ai e mohoi dje këtë duke thënë se ftesa kishte pasur, por nuk ka pranuar.

“Nuk jam i gatshëm emocionalisht, psikologjikisht për një përgatitje të madhe, sepse nëse unë hyj në politikë unë duhet të marr një përgjegjësi të caktuar, që minimalisht është deputet, dhe nuk e gjej veten të gatshëm për t’u kthyer. Unë kam ikur vetë nga politika, nuk më ka përzënë njeri, nuk më ka hequr Berisha, madje ai më ka ftuar të kthehem në 2013-n, sigurisht dhe tani e kam derën e hapur, nuk e kam të mbyllur, por nuk e ndiej të kthehem”, sqaroi Mustafaj.

Mustafaj ishte pjesë e “Forumeve UET”, një aktivitet i organizuar nga drejtori i media Mapo, Alfred Lela, dhe UET me synimin për të sjellë në auditor aktorë me rëndësi të shoqërisë, politikës etj.

/Mapo/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej