Ka than' i moçmi: 

“ Hani, vidhni, hiç mos mbeten, mbretër sa të hani veten...”
                                                                                        -Petro Marko

Mund të na kishte integruar në BE dhe një kokërr ulliri

Nga Media 0

Nga Daniela Bonollari

U hodha përpjetë nga gëzimi si fëmijë teksa në një supermarket turk mes Gjermanisë gjeta ullinj. Kuptohet jo si ata që kisha lënë në Shqipëri, këta ishin të mbledhur shuk në një kavanoz. Gjysëm të tharë e plot rrudha si mollët e harruara mes kashtës prej 1 viti, ullinjtë e ruanin ende shijen e ullirit. Tani duke lexuar këto rreshta ti qesh me vete dhe thua; “Shije ulliri??? Po pse moj shushkë, çfarë shije ka tjetër ulliri?”

Epo në këto anë të Gjermanisë, ullinj të sapokëputur nuk ka. Dhe ai pak që gjendet në supermarket ka shije kripe e thartie si turshitë, sepse shitet vetëm i konservuar në kavanoza. Nuk ka ullinj të zinj, jeshilë, apo nga ata me ngjyrë kafe të errët. Për të mos shtuar me bindje që as nuk njihet fare këtu shprehja e famshme; “syri i zi, si ulli”. E teksa bleva 5 euro ata ullinj të tharë ndërsa shitësja turke me germanishten e çalë më kthente kusurin, në mendje më erdhi tregu tek Rruga e Elbasanit në Tiranë. Aty tek kthesa, pranë minibashkisë nr 2 ku në këtë kohë shiten ullinj me shumicë e pakicë me çmime qesharake krahasuar me këto europiane.

Kujtova sesa shumë blinim dhe i hanim si karamele. Ai pazari ku shitësja ulet në rrugë dhe vec ullinjve para ka arkat me qepë, lulelakër, domate, mollë edhe ndonjë kile djathë se një fshatar nga zona e luti tia shiste pasi nuk zbriste dot nga fshati që ndodhet 3 orë larg Tiranës. Ai pazari ku gjen mollë me shumicë, e ku lloji më pak i preferuar për konsum nga shqiptarët është ai që sot e gjen rëndom në supermarketet gjermane. Gjen mandarina, portokalle, sallatë jeshile direkt nga fermat. Kaq shumë prodhime fruta perimesh në Shqipëri dhe asnjë lloj të eksportuar në Gjermani.

Asnjë mollë strakinge apo golde, asnjë ftua, as qershi, as dardha, gështenja e për be asnjë kokërr shqiptare ulli. Gjermanët preferojnë; Më mirë rrushin grek, më mirë dardhat belge, më mirë mandarinat e Spanjës. Po përse? Pyetja ime e gjeti shpejt përgjigjen nga vetë shqiptarët që jetojnë prej vitesh në Gjermani; “Sepse cdo prodhim që importohet nga jashtë kalon në filtra të larta kontrolli sigurie ushqimore. Duhet të kenë standart dhe analizat kryhen një për një, për cdo frut e perime apo prodhim tjetër”. Dhe vetvetiu vjen dhe përgjigja për prodhimet bujqësore shqiptare që ende nuk gjejnë treg në Gjermani; “Shqiptarët nuk kanë prodhime me standartin që kërkojnë gjermanët”.

Prandaj fermerët shqiptarë përpara se të kultivojnë e të rrisin pemët e tyre të mendojnë për këtë dreq standarti. Rëndom e dëgjojmë në kronika lajmesh kur qahen se përse nuk gjejnë treg prodhime vendase, se përse hyn e shitet me shumicë mandarina greke e molla maqedonase. Ndërsa mbetet ëndërr tregu i jashtëm. Po kështu edhe për shtetin që rreh gjoksin natë e ditë për atë të uruar integrim. Sepse për shqiptarin cështja e standartit ka humbur qëllimin në vetvete. Shteti përsërit si papagaj para botës; “Po punojmë fort për plotësimin e standarteve që Shqipëria të anëtarësohet në BE”.

Sepse harron që standart ka dhe ajo kokërr ulliri shqiptar që shumë mirë mund të tregtohej në kavanozin e supermarketit mes Gjermanisë. Atë standart që sot e kanë shkelur bashkëkombasit me të dyja këmbët dhe pa u bërë syri tërr nga ligji u shesin vëllezërve dhe motrave luleshtrydhe me ngjyrues, shalqi të kuq flakë e pa shije, patate që notojnë si ujë në gjellë, karota si trungje pa tul. E kështu pesimiste teksa mbaj në dorë kavanozin 5 euro me 500 gramë ullinj turqie mes Gjermanisë shfryj gjithë inat: Ishte kaq e lehtë. Mund të na kishte integruar në Europë dreqi e mori dhe një kokërr ulliri.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej