Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Mrekullia e një proteste pa dialog

Nga Media 0

Nga Ergys Mertiri

Ejani në dialog, – thotë Kryeminnistri i habitur sesi një protestë mund të zhvillohet pa pranuar të hyjë në diskutime me qeverinë.

Kjo në fakt, duket se po e tërbon atë. Studentët nuk pranojnë t’ia shohin surratin, ndonëse ai po mundohet nga të katër anët të gjejë një mënyrë për të hyrë në komunikim me ta. Ai u mundua t’iu hyjë nga dera dhe nga dritarja, duke kërkuar edhe të futet në linjë direkte në emisionin e Fevziut, por ata duken të prerë të mos e qasin. Madje madje, nuk po kërkojnë as largimin e tij nga qeveria, pavarësisht se kjo protestë po e bën këtë të pashmangshme. Kjo është gjëja më fantastike, që në fakt është produkt i një cinizmi të madh që vetë propaganda e kësaj qeverie ka prodhuar në këto vite.

Në fakt protestat popullore, siç po shndërrohet gradualisht edhe kjo protestë, nuk hyjnë në bisedime me qeverinë. Populli rri në shesh dhe demonstron, qeveria dëgjon dhe reagon, ky është dialogu. Por Rama nuk e ka qef këtë lloj dialogu. Ai kërkon spektakle ku të jetë vetë protagonist, kurse kjo mënyrë dialogimi nxjerr protagonistë studentët, ndërsa atë të menderosur. Ai kërkon spektaklin e zakonshëm të protestave me karakter ngushtësisht ekonomik apo teknik, ku një përfaqësi protestuesish shkon në zyrën e Kryeministrit, diskuton me të ballë për ballë, merr lëvdatat e tij për kruajën e treguar, premtimet boshe mbi kërkesat e tyre dhe në fund, gjërat gjithmonë zvarriten dhe askush nuk mbetet i kënaqur. Ai do t’i ftojë ata në zyrë, do bëjë sikur po i dëgjon, do t’i mbështesë plotësisht duke u zotuar se do jetë i pari interesuar që gjërat të ndryshojnë në vazhdën e shumë transformimeve të mëdha që ai po i bën vendit, pastaj do ta mbyllë me disa batuta e barcaleta që do gajasin miletin dhe në fund, asgjë.

Kjo protestë nuk është si këto që kërkon Rama, pasi ajo nuk ka kërkesa që mund të realizohen prej tij. Ajo është më tepër shprehje e një revolte që zgjidhet vetëm me ikjen e tij. Rama nuk ka asnjë gjasë të ndërtojë një dialog, pasi ai nuk ka veshë të dëgjojë. Ai nuk mund të dëgjojë arsyen përse njerëzit janë sot në shesh, që në thelb, nuk ka të bëjë më aspak me ato 4, 5 apo 8 pika kërkesash të studentëve, por ka të bëjë me akumulimin e madh të dëshpërimit masiv të popullit me qeverisjen e tij.

Studentët mund të jenë të pëçarë, mund të jenë pa përfaqësi, mund të jenë të paqartë, mund të jenë edhe “ngelësa”, por një gjë e kanë të gjithë të qartë dhe që i bashkon dhe përfaqëson të gjithë: Pakënaqësia, indinjata dhe revolta ndaj kësaj qeverisjeje. Kërkesat e tyre janë vërtetë pa kuptim, përballë solidaritetit mbarëpopullor që kjo protestë ka prodhuar. Ky solidaritet ka vetëm një burim, qeverisjen e Edi Ramës që ua ka mbledhur njerëzve lakun në fyt.

Paaftësia për të lexur këtë mesazh është treguesi i distancës së thellë që kjo qeveri ka krijuar nga problemet në vend. E mbyllur në kullën babelit të interesave të saj dhe oligarkëve që e rrethojnë, kjo qeveri ka humbur çdo kontakt me realitetin. Kjo është arsyeja pse Edi Rama nuk mund të ketë dialog me studentët. Ata jetojnë në dy botë të ndryshme që flasin gjuhë të ndryshme.

Rama gjendet i mbyllur në bunkerin e propagandës së vet ku realiteti i vendit shkëlqen nga mrekullitë qeverisjes së tij, si sheshet e rilindjes urbane. Kazani i tij propagandistik, gatuan gjellën e një realiteti virtual që nuk e ha njeri, natyrisht as studentët. Ai është i destinuar të mbetet i kyçur brenda mureve të ERTV-së dhe ekraneve të oborrit të tij oligarkik, duke mos lejuar realitetin e vërtetë të shqetësojë botën e tij virtuale. Çdo rreze drite e një të një të vërtete që mund të hyjë nga të çarat e grilave nga bota e përtejme, jashtë imazhit të tij propagandistik, prodhon një reaksion që e djeg filmin e rilindjes.

Për këtë arsye, ftesa e Ramës për dialog, është një ftesë për t’i sjellë studentët në furrën e tij mediatike, ku gatuhet tagjia e përditshme bajate për popullin dhe jo një përpjekje e Kryeministrit për të zbritur në realitetin e vërtetë. Ai nuk mund të zbresë atje, për shkak se me këtë do t’i duhet të nënshkruajë rrëzimin e perandorisë së tij virtuale, ndaj dhe dialog nuk mund të ketë. Ka vetëm një kanal komunikimi për dialog, të hapur tashmë nga protesta. Ai duhet të dëgjojë zërin e protestës, i cili po rrëfen se këtij pushteti i ka ardhur fundi. I mbetet vetëm të shijojë spektaklin e rrëzimit të vet me turp.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej