Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët zbresin prej pellazgëve. Kush mendon ndryshe, në qoftë i huaj është gomar, në qoftë shqiptar është tradhëtar".

                                                                                        -Faik Konica

Mos u merrni me himnin, por me rrenën e propagandës

Nga Media 0

Nga Enkel Demi

Dita e djelë u karakterizua nga dy ngjarje të mëdha; shtëllunga e tymit e një fabrike riciklimi në Tiranë dhe “përçudnimi” i himnit kombëtar, i postuar në rrjet nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Të dyja lajmet gjetën hapësirë të bollshme, por ndërsa tymi dhe flaka mbaroi, çështja e himnit qëndron ende në qendër të vëmendjes. Të tillë e gjeta në 27.al, po kështu tek drejtori i gazetës “Telegraf”, Ëngjëll Musai apo te reagimi i drejtuesit të LSI-së, Luan Rama, por dhe kudo gjetkë në media.

Natyrisht, riorkestrimi i himnit dhe këndimi i tij nga disa këngëtarë rock dhe jo vetëm, nuk është një dukuri origjinale shqiptare. Meqë e kemi zakon t’i referohemi më të mëdhenjve, himni amerikan këndohet në fillimin e çdo ndeshje basketi, futbolli amerikan a bejsbolli. Shpesh vjen nga rokerë, lirikë, madje njerëz të politikës e spektaklit. Si këndohet një herë nuk këndohet herës tjetër. Jimi Hendrix guxoi ta luante me kitarën e tij të vrazhdë në koncertin me nam të Woodstock-ut në vitin 1969. Ngado gjen variante të këtilla, por në ceremonitë zyrtare nuk guxon kush ta ndryshojë.

Mirela Kumbaro publikoi një spot përshëndetës për rekomandimin e çeljes së negociatave me BE-në, ku himni vinte në një variant më rock, me zërat e disa këngëtarëve të mirënjohur. Spoti synon që të rrëfejë një Shqipëri që nuk ekziston dhe ngjante me spotet turistike që ftojnë turisitët e huaj në vigjilje të sezonit. Si gjithë materialet e kësaj natyre ishte patetik dhe një mekanizëm i propagandës së kësaj qeverie, e cila prej kohësh jeton vetëm me propagandë, sepse prodhimin e ka represiv.

Unë, personalisht nuk shoh asgjë të turpshme tek kjo paraqitje e himnit, përkundrazi. Është një këngë, me tekst të Asdrenit, muzikë të kompozitorit rumun, Ciprian Porumbescu, por që janë të rrallë shqiptarët që e dinë nga fillimi në fund. Kjo, sepse Shoku Veri e censuroi, meqë nuk e donte atë pjesën me Zot, meqë binte ndesh me Kushtetutën e vitit 1976, ku ne e dënuam Zotin me ligj. Ndaj sot pas kaq e kaq vitesh, ne nuk para e këndojmë këtë këngë deri në fund siç na e bëri Asdreni. Por, rikëndimi, riorkestrimi për mua nuk është asfare keq, madje nëse himni kombëtar bëhet kaq trendy, sa ta këndojë kushdo, ashtu qoftë.

Sipas meje, problemi qëndron tek rrena, e cila në thelb është propaganda që në fund do gëlltisë edhe atë që e mëkon. Shqipëria e bukur, e sukseshme, me policë e ushtri, me gatime dhe natyrë të mrekullueshme që meriton vendin e saj në Europë është një gënjeshtër me bisht. Një Shqipëri kaq idilike, ka vdekur prej motesh, së fundmi dhe në ëndërra. Policia e këtij vendi u bë ortake e drogës, mbolli, korri, shpërndau dhe inkriminoi drejtuesit më të lartë të saj. Në atë spot, kjo polici ngjan e qashtër, por ajo duhet të hyjë veç tek kategoria e bijve të … që përmendte ca ditë më parë ish-ministri i Brendshëm. Shqipëria nuk ka më turizëm malor që ta afrojë si perlë, sepse hidrocentralet ja kullufitën. Mjaft, të shkoni deri në Valbonë. Atje, ku ende nuk ka prekur dora e qeverisë, nuk ka rrugë, infrastrukturë, ka skamje që këlthet. Shqipëria është vendi më i vafër i Europës sipas raportit të fundit të Bankës Botërore. Shqipëria është vendi më i korruptuar sipas Departamentit Amerikan të Shtetit. Shqipëria nuk ka më atë bregdet të mrekullueshëm, sepse është i gjithi beton nga grykderdhja e Bunës deri poshtë, në kufi me Çamërinë. Riviera, ku e la fushëbetejën Çezari, ia dha fitoren e luftës betonit. Shqipëria është zhul, e ndotur kudo. Të djelën, ia pamë për herë të fundit tymin. Shqipëria nuk ka më byrek si tek ai spoti, sepse perimet dhe frutat i ka ding me hormone, por dhe aq pak që nxjerr nga kopshtijet i hedh në kanal, se nuk i thith tregu që u mbyt nga importi i klientëve të qeverisë. Kjo është Shqipëria jo e spotit, ku mua më duket se vetëm himni qëndron si duhet, pasi të tjerat nuk ekzistojnë. Prandaj, t’i lutemi kryeredaktorit të madh të atdheut tonë, Edi Ramës të na lërë të jetojmë veç një orë tek ajo Shqipëria që ai propagandon, se nuk na e ka fajin Mirela, por Perëndia e Rrenës.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej