Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Monologu i taketukes në kafenenë e vogël të qytetit N.

Nga Media 0

Nga Poety Arte

Gjë prej gjëje s’dija, para se të më sillnin këtu. Këtu, ç’nuk kanë parë sytë e mi! Ç’nuk ka përjetuar, lëkura ime! Këtu, jeta ime u bë përdjeg’je. Këtu, jeta ime u bë dhe fikje! Besoj, e kuptoni, se jam në këtë kafene të vogël të qytezës N.
Drita që njoha këtu është ndryshe. Dhe terri, është ndryshe këtu. Nga mëngjesi deri në mesnatë, faqja ime zjarrin e përdjegjes duron. Pas mesnate, misterin e territ e të heshtjes, duron kjo faqe.
E këtillë siç jam, e ndjeshme, e qelqtë dhe e lëmuar, duroj. Duroj e shoh në fytyra njerëzish, në fytyra meshkujsh e në fytyra femrash. Kam parë të shfryhen shumë psherëtima, prej gojësh të llojllojshme. Kam parë lloj lloj buzëqeshjesh. Kam vërejtur edhe këtë gjë: psherrëtimat janë të pak llojeve, ndërkohë që buzëqeshjet janë të llojeve të shumta. Ka buzëqeshje të çiltërta, që më ngjajnë me çastin e shpërthimit lulor të një pipthi. Ka buzëqeshje të lëmashkëta, disi të varura, të mezorrshme e të mezibëshme, që më ngjajnë me vyshkjen lulore.
Më kanë prekur, lloj lloj gishtash e lloj lloj duarsh. Gishta të lyer, dhe gishta të zverdhur prej cigaresh. Duar të buta, dhe duar të lodhura, me plasaritje të thella.
Kam parë lloj lloj sysh. Kam parë sy të ngërdheshur, sy të boshadisur, dhe sy të lodhur. Kam parë sy të shndritshëm, të gëzuar. Kam parë dhe sy të kuq, të frikshëm, që tmerrin ta shtyjnë më bark.
Po. Kam parë dhe barqe të llojllojshëm, por më shumë kam parë barqe të pangishëm.
Ç’nuk më kanë zënë veshët, në këtë tavolinë. Më kanë zënë biseda të ëmbla dashurie, dhe fjalë të zjarrta, që të bëjnë të mpakesh, nga ndjenjat që të zgjojnë. Më kanë zënë fjalë të gënjeshtërta, fjalë hipokrizie, të ftohta akull, dhe fjalë hidhërimi. Më kanë zënë veshët, edhe fjalë kërcënimi, fjalë goditëse dhe fjalë vrasëse.
Më ka ndodhur ta shijoj, edhe çastin e një vrasjeje, që ndodhi këtu përballë meje. Kam parë, me atë rast, në fytyrën e vrasësit, edhe mllefin vrasës, dhe vetëm një çast më pas, po në atë fytyrë, kam parë edhe pendimin, e i kam bërë vetes këtë pyetje: “Është apo s’është e njëjta fytyrë?…”
Nga ku jam, e nga ç’kam parë e ç’kam provuar mbi këtë faqe të përdjegur, më vjen t’i lëshoj këto psherrëtima: jeta është njëkohësisht, lule dhe gjak, buzëqeshje dhe psherëtimë, etje dhe fresk, ngopje dhe uri, urrejtje dhe dashuri, vrasje dhe pendim, ikje dhe kthim, frikë dhe guxim, mërdhifje dhe zjarrmim…
Eeeeeee, asgjë nuk ju thashë, prapë se prapë, e as koha nuk më lë.
Është mesnatë, dhe po afrohen çastet e lumturimit tim. Ja, tek po vjen, e ëmbla, kamarierja. Vetëm edhe ca sekonda, dhe unë do jem në duart e saj. Vetëm edhe ca minuta, dhe faqja ime e përdjegur, do përjetojë freskun e ujit dhe freskun e fërkimit të duarve të saj. E dua atë fresk. E dua atë butësi duarsh. E dua atë lëmim. E di se çdo jetë ka një fund të vetin. Ndaj, lutem që fundi im të jetë, pikërisht në atë çast fresku uji e duarsh.
Ah, sikur të bie e të thehem, nga dorë e saj!

https://www.facebook.com/poety.arte/posts/146721452718583

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej