Ka than' i moçmi: 

"Nuk mendohemi se po mbytet kombi, por shikojmë se mos i lagen çorapet"

                                                                                       -Fan Noli

Mevlan Shanaj: Si u përpoq Berisha të shmangte Ramën e Adrian Klosin

Nga Media 0

Mevlan Shanaj u përfshi familjarisht në lëvizjen demokratike për rrëzimin e diktaturës në dhjetor të ’90-ës, bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët. I rrethuar nga rreziku për jetën nga të gjitha anët, regjisori i njohur nuk hezitoi, por bashkë me djalin e vogël iu drejtua Qytetit Studenti, aty ku kishte nisur rebelimi i studentëve më 8 dhjetor të 90-ës.

Mes tyre gjendej edhe vajza e tij studente. Përplasja me policinë dhe shkopinjtë e gomës mbi trupat e të rinjve bindi Mevlan Shanajn se tashmë nuk kishte kthim pas. Ai rrëfen për “Gazeta Shqiptare” për ato ditë që bënë historinë e shqiptarëve, si u bë një ndër firmëtarët e parë të krijimit të PD-së, njohjet me Sali Berishën dhe Edi Ramën, angazhimin në politikë dhe si u distancua prej saj vite më pas…

Z.Shanaj, si e kujtoni 8 dhjetorin e vitit 1990?
Nuk ishte ditë e zakonshme dhjetori, ajo e diel. Universiteti e kishte dite mësimi. Studentët pasi kishin bërë një protestë mbrëmjen e së shtunës në Qytetin Studenti, kishin vendosur ta vazhdonin të dielën drejt qytetit. Më thonë që kishte plasur protesta në Rrugën e Elbasanit. Mora djalin 14-vjeçar me vete për të parë se çfarë po ndodhte, pasi kisha vajzën mes studentëve që vinin drejt Tiranës. Policia i kishte bllokuar te Liceu Artistik. Aty pati konfrontime mes policisë dhe studentëve, të cilët u shpërndanë pas ndërhyrjes së policisë nëpër shtëpitë dhe rrugicat drejt konvikteve. Ajo ngjarje të çonte në kujtimet e njësive guerrilase të para në sa e sa filma të luftës, që nuk ishin të paktë deri atëherë. Më kujtohet që me drejtuesin e policisë të asaj kohe kam shkëmbyer disa fjalë, duke i rikujtuar se janë fëmijët tanë aty dhe të kihet kujdes. Shefit të policisë, i cili dikur kishte qenë polic në RTSH dhe njiheshim i thashë të mos përdornin dhunë. Ky ka qenë çasti që mora vendim të jem në mbështetje të studentëve.


Si rrodhën ngjarjet më pas?
Çdo ditë do të gjendeshim në dekorin magjik në kodrat e qytetit të studentëve. Mes shumë të njohurve, ato ditë kishte një emocion dhe lidhje me njëri-tjetrin, si diçka më shumë se sa dashuria. Kishte brenda nesh ëndrra, guxim, droje, pasiguri, por mbi të gjitha shpresë dhe bindje për ndryshim. Frika ishte vrarë brenda meje dhe familjes sime. Më pas ngjarjet e vrullshme nuk kishin kohë për të marrë frymë. Di që përfaqësuesve në takimin me ish-Presidentin Alia u kam thënë: “Më e mira do të ishte të vinte ai këtu në Qytetin Studenti, ose ju të kërkoni heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti, ky do jetë testi nëse është për ndryshim apo jo”. Këto i kam kujtuar më vonë me shumë nga ata të rinj që ishin larguar të zhgënjyer nga Shqipëria. Kam shumë kujtime të atyre ngjarjeve, me pjesëmarrje direkte.
Cili ishte angazhimi juaj në atë periudhë?
Ishte Azem Hajdari kryetar i Partisë Demokratike, me firmën e të cilit më japin një dokument dhe nisem për në Patos. Aty kisha shumë miq e të njohur, por më organizuan një protestë dhe për të shmangur çdo ngatërresë, e mbyllëm. Më vonë u ribë aty një miting, por tashmë Liri Demokraci kishte mposhtur çdo dyshues. Në mitingun e Fierit në kor bërtisnin: “Na fal Mevlan!” për incidenti e Patosit. Po fitonte liria, njerëzit nga fshatrat përqark ecnin grupe-grupe me entuziazmin e paprovuar. Një kontribut kam dhënë në krijimin e sindikatës së vetme (RTSH), prej atëherë nuk ka më sindikata në Shqipëri, pasi partitë kur vijnë në pushtet, gjëja e parë gëlltisin sindikatat. Prej vitit të fitores së thellë të PD-së dhe shfaqjen e atavizmave të pushtetit në futje nënsqetull të militantëve të stilit bolshevik apo feudit, jam distancuar nga lojërat politike, duke pritur ëndrrën e votimeve demokratike. Ndoshta ndonjë ditë, kjo çudi me imponim mund të ndodhë në këtë copë vend të bukur e të varfër pafundësisht.
Si jeni njohur me Sali Berishën dhe Edi Ramën?
Me z.Berishën njihem që nga 1959 në Politeknikumin Mjekësor. Kurse z.Edi Rama e njoh që 6 vjeç në studion e “Pavarësisë”, ku unë punoja për model te filmi “I teti në bronz” dhe ky vinte pas të atit.


Si e kujtoni ardhjen e Edi Ramës në mitingun që u zhvillua në janar të ’91-it?
Në mitingje të tjera si ai i intelektualeve para stadiumit “Qemal Stafa”, u paraqit Edi Rama me Ardian Klosin, të cilët kërkonin të flisnin në kohën që po fillonte mitingu. Berisha, i cili na tha se emrat e atyre që do flasin janë paraqitur në polici ku është dhënë leja, ndërsa emrat e këtyre që po kërkojnë të flasin nuk janë paraqitur. Me gjysmë miratimi apo me një kthim shpine të Berishës duke qenë në mikrofon i kam dhënë fjalën pasuesit Edi Rama, i cili foli më ashpërsisht nga të gjithëve ne. Po ashtu, në mitingje apo takime të tjera të hapura apo të mbyllura si në Korçë, Maliq, apo të rastësishme në Delvinë e Sarandë, minierën e Valiasit, ku kam marrë pjesë, kam theksuar se tashmë jemi për ardhjen e një mendësie tjetër, atë të shprehjes së lirisë së mendimit.
Kur ju i dhatë fjalën, çfarë tha konkretisht z.Rama në miting?
Edi Rama në mitingun e intelektualëve që u zhvillua në janar të vitit ’91 tha: “Na skuqi si rusë, na zverdhi si kinezë, na nxiu si shqiptarë, Enver Hitler”.
Si reaguan protestuesit ndaj Edi Ramës?
Fjalimet në ato vite priteshin me entuziazëm nga njerëzit. Më shumë nga të gjithë, sukses kishte Azem Hajdari. Në atë listën e famshme të kërkuar nga instancat e asaj kohe, si firmëtarët themelues është edhe emri im, por deri më sot jam ftuar vetëm një herë. Ftesa do të ketë qenë e rastësishme, ndoshta në vitin 2007.
Për cilat arsye nuk jeni ftuar?
Sepse kam mbetur me idealet e atyre ditëve të para të vërteta të dhjetorit 1990.
Ju po nënkuptoni se PD-ja u është larguar idealeve të dhjetorit ’90?
Partia Demokratike jo vetëm që është larguar nga idealet e dhjetorit, por nuk ka asnjë lidhje me ato ideale të pastra. Pastrimet me njerëzit e ndershëm dhe vendosja e të ardhurve në skema të gatshme fitimi dhe mohimi kanë sjellë rezultate dramatike për PD-në.
Nuk shihni asnjë rrugëdalje për ringritjen e PD-së?
Kështu si e kanë, pa bërë analiza të thella, duken larg ardhjes ne pushtet. Kur shteti është në rrokullim nuk arrijnë të kuptojnë të vërtetën. PD vazhdon erozionin e saj nga viti në vit, duke mbajtur të fshehur gërryerjet e përvitshme, aq sa arriti të vrasë ëndrrat e atyre që jetonin me ëndrrën dhe shpresën për më mirë.

http://www.gsh.al/2017/12/12/mevlan-shanaj-mitingu-intelektualeve-berisha-refuzoi-fjalen-e-rames-biseda-policet-qe-te-mos-godisnin-mbi-studentet/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej