Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Mërzia elektorale e Ilir Metës

Nga 27.al 0

Nga Skënder Minxhozi

Ilir Meta krijoi mjaft pritshmëri tek opinioni publik, me daljen e tij të fundit në studion e Sokol Ballës. U besua për një moment se aty do të sqaroheshin shumë paqartësi në lidhje me koalicionin, ndërkombëtarët, reformën në drejtësi, opozitën, pozicionin ndaj Ramës apo bilancin e qeverisjes katërvjeçare, në stilin e intervistës së ish-ministrit të tij Manjani, në të njëjtin emision televiziv. Por ajo që pamë të hënën në darkë ishte një tjetër seri e të folurit “politikisht”, me fraza të tipit “integrimi më i rëndësishëm se koalicioni”, ose “është ende herët për të bërë bilance” (katër muaj para zgjedhjeve), nga ato që Meta ka konsumuar prej vitesh në studiot televizive! Të vetmet fraza të qarta, ai i përdori, kur foli për vetingun dhe prokurorin e përgjithshëm. Për Metën nuk ka veting ambasadash, por vetëm zbatim të reformës nga institucionet e shtetit shqiptar. Një mesazh ky që i drejtohej personalisht Donald Lu dhe Romana Vlahutin. Dhe si për ta shvlerësuar indirekt “vetingun diplomatik”, ai u shpreh formalisht se u bë mirë që iu hoq viza amerikane kryeprokurorit Llalla.

Tema madhore e qëndrimit të LSI ndaj çeshtjes së aleancave elektorale, vazhdoi të mbetet pa përgjigje. Ndërkohë që nuk pati asnjë vështirësi për t’u shprehur javë më parë se nuk do të bënte koalicion me PD (Meta justifikohet se kjo ishte replikë ndaj qëndrimit negativ të Bashës ndaj LSI-së), kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim u shfaq i ftohtë dhe hermetik, kur u pyet me insistim se cili do të jetë fati i koalicionit të majtë në 18 qershor. Formalisht ai u shpreh që është ende herët për këtë temë dhe se kjo do të vendoset në momentin e duhur.

Ilir Meta nuk është në humor këto kohë. Shumëkush e mban mend sesi ai gati sa nuk shpërtheu në 21 korrik, kur u përplas me aleatët e tij socialistë. Që prej asaj kohe, ai ka nisur një fushatë të pandërprerë sulmesh ndaj Ramës, qeverisë, ministrave të saj, me akuza për hashashin, korrupsionin e të tjera, ku ka përfshirë “në rresht për një” thuajse të gjithë deputetët dhe zyrtarët e partisë së tij. Arsyet e kësaj pakënaqësie janë të shumta. Ato burojnë jo vetëm nga produkti i 21 korrikut të shkuar, por edhe nga afrimi i PDIU-së në tryezën e koalicionit, qëndrimi i vendosur i Ramës në muajt e fundit (e kundërta e squllljes së dikurshme), si dhe goditja më e fundit që mori me largimin e dhunshëm të Manjanit, që u pa si një fitore e qartë politike e Edi Ramës. Si të mos mjaftonin këto, njoftimi i njëanshëm i kryeministrit se tashmë Aleanca për Shqipërinë Europiane do të ketë tre bashkëkryetarë dhe jo më vetëm dy, është diçka krejt e pakënaqshme për njeriun që ishte mësuar ta konsideronin prej një dhjetëvjeçari si faktorin që bënte dhe shbënte qeveritë në këtë vend. Pamundësia numerike për të kushtëzuar qeverinë Rama, pas afrimit të Idrizit, e acaron dukshëm Metën, pasi i heq atij mundësinë e të qenit i pazëvendësueshëm. Prej nga burojnë edhe deklaratat e mbrëmshme, se LSI s’mund të jetë shtojcë e askujt, se ajo del në opozitë, nëse nuk është e nevojshme për të mbajtur në këmbë qeverinë e kështu me radhë.

Me këto mendime të zymta në kokë, ai vijon të ngulmojë për të mbajtur ende pezull formulën e aleancës së ardhshme të 18 qershorit. Një formulë e cila, nëse i besojmë deklaratës së tij se nuk do të ketë koalicion me PD, ka vetëm dy variante të mundshme: ose të dalë i vetëm në zgjedhje, ose t’i bashkohet edhe një herë trenit të së majtës. Pa harruar që ndërkohë palët në lojë do të duhet të zgjedhin presidentin e ri. Një andrallë më shumë në këtë lëmsh elektoral, ku pritet të luhet gjithashtu fort nga të gjitha anët.

Megjithatë kjo fushatë po afron me një mërzi të lexueshme në sfond, të partisë së tretë politike të vendit. Një element që mund të provokojë në javët e ardhshme cilindo prej dy skenareve të mësipërme. Për të mos thënë që mund të rihapë teorikisht edhe të tretin, atë të një bashkimi me Bashën, të cilin sot Ilir Meta e konsideron me nota thuajse tallëse.

Katër vjet pas marrëveshjes së 1 prillit, LSI paraqitet në takimin me zgjedhjet me shumë nyje për të zgjidhur. Kur Meta nënshkruante me Ramën paktin e zgjedhjeve në Shkodër në vitin 2013, vinte në tryezë me vetëm katër mandate deputetësh, por ndjehej më i fortë sesa sot, kur ka 18 të tillë. Ky paradoks shifrash mbart brenda vetes shkakun e mërzisë elektorale të një partie që dikur ishte e përkedhelura e të gjithëve, por që sot duhet të zgjidhë një ekuacion jo të lehtë për të ardhmen e saj në spektrin politik shqiptar.

/javanews.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej