Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Me sa duket, Kosova po shkon drejt “shkëmbimit”

Nga Klodiana 0

Nga Frrok Çupi

Ndoshta është koha kur “patriotët” duhet të lëshojnë mikrofonët, penat dhe pasionet- më së shumti të shtira. Ka kaq kohë që zien poli-kulturalizmi, erudicioni, krahinizmi, konspiracioni…, etj., rreth tezës së shkëmbimit të disa territoreve të Kosovës me Serbinë.

Sigurisht, debati qe i shëndetshëm, përveç disa teprimeve me akuza “tradhtarësh”, por edhe këto janë kualitete mes ballkanikëve- madje edhe kur janë vëllezër. Në debat u shkëmbyen ide të vjetra- më së shumti, por edhe interesante për adoleshentët. U shkëmbyen edhe episode historie, ngjarjesh, jete individësh, plagësh dhe folklori. Nganjëherë dukej se mëngjes për mëngjes po shkoje të bluaje në të njëjtin mulli, por megjithatë jo një miell i helmuar- edhe pse i vjetër. Shpesh disa thanë parulla patriotike pa pasur dituri e bindje të plota- mjaft që disa të tjerë e thonin të njëjtën gjë. U duk se ka vetëm një monopol të të vërtetës dhe ky ndodhej në duar të “patriotëve” kundër shkëmbimit…

Tani ndoshta është boll, njeriu pranon edhe të humbë me idetë e tij. Duket se ideja e “shkëmbimit” e hedhur në tryezën ballkanike dhe të diplomacisë botërore, po afrohet më shumë se teoritë “patriotike” të kundërta. Deri në mesin e verës së këtij viti, Kosova dhe Serbia- si dy shtete fqinjë do të kenë pranuar njëri tjetrin dhe do të nisin një jetë normale shtetërore e të fqinjësisë. Bisedimet Kosovë- Serbi do të monitorohen nga aleatët e mëdhenj, SHBA dhe BE, që të dy- aleatë edhe me idenë se ‘paqja ka një çmim’ për të gjitha palët. Ideja e “shkëmbimit” mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në krye të tavolinës së bisedimeve.

Këtu ka ardhur puna te një zgjidhje ‘kreative’ e propozuar nga amerikanët që në kulmin e pasionit, ‘patriotët’ e mos- shkëmbimit duhet ta pranojnë.

Çfarë ka ndodhur orët e fundit? Them “orë”, sepse  për vendime të tilla mes shtetesh, javët zgjasin sa minutat.

Ka ndodhur që teoricienët e ‘mos- shkëmbimit’ tani po heshtin. Reflektimi i ka prurë deri në pikën e heshtjes. Tani që përsëri u vu në tryezë çështja ‘shkëmbime Kosovë- Serbi’, nuk ka më reagime të…, për shembull: Daniel Serwer, Eliot Engel, Thomas Countryman, David Philp, Mirosllav Lajcak, Milo Gjukanovic… Ata u shfaqen fuqishëm kundër ‘ndarjes dhe shkëmbimeve’ në Kosovë. Tani nuk ka më, diç kanë kuptuar më mirë. Ideja e prof. Rexhep Qosja për “shkëmbim” mes dy shteteve dhe jo ‘ndarje të Kosovës’ me sa duket i ka thithur të tjerat.

Faktorët ndërkombëtarë janë kthyer në një pikë më të re:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nuk ishte asnjëherë borhoritëse për asnjërin krah, ka ardhur në idenë e parë të ‘ideve kreative’, duke shtruar pyetjen “a është më mirë të jetojmë në paqe dhe mirëqenie?… Aq sa njeriu e ka jetën, nuk ka dëshirë ta shpenzojë me një pushkë në dorë në kufi me fqinjin. Kjo do të ishte më e vjetër se e vjetra. Dje- hera e fundit, këshilltari i presidentit Trump, zoti Bolton, ka telefonuar direkt kryeministrin e Shqipërisë, Rama, lidhur me ‘idenë kreative’. Dje presidenti i Kosovës Thaçi ishte më sfidant se kurrë para publikut pse ‘ideja e tij’ po fiton; ai ishte ideator për ‘shkëmbimin’. Media në Tiranë që është zjarrmëtare kundër ‘shkëmbimit’, guxoi t’i sulej diplomatit John Bolton gati me fjalë si ndaj një shoferi që të lag në një gropë uji në rrugë. Vetë Gjermania që mbajti më lart idenë e ‘kutisë së Pendores’ nuk ka folur më.

Ideatorët shqiptarë të mos- shkëmbimit po shfaqen nervozë, dmth., të humbur. Teoricienët e izolacionizmit- gjithashtu, nervozë. Qeveria e Kosovës- e cila kreu detyrë ‘patriotike’ duke rritur 100 për qind tarifat e mallrave Serbe, duket se ishte si ‘kova e ujit’ në fytyrë që zgjoi ‘idenë kreative’. Ideja kreative lidhet me një realitet: Po sikur mes Kosovës dhe Serbisë të kemi dryrë, hekura, tarifa, izolim, mosnjohje, grindje…, atëherë çfarë bëri bota e qytetëruar që krijoji shtetin e pavarur? As ne që jemi një komb kaq historik, nuk mund të jetojmë pa u pranuar dhe pa pranuar Botën…

Ja kjo është, duket se ideja e “shkëmbimit” kthehet për të fituar.

/veritas.com.al/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej