Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Mburravecët…

Nga 27.al 0

Nga Saimir Demi

Si arritën në shtëpi miqtë nga Izraeli? Kjo pyetje duhet të na kishte munduar më shumë të djelën, për hir të një kodi miqësie që e kemi të trashëguar prej shekujsh. Aq i paprekshëm ka qenë gjithmonë ai që na trokiste në derë, saqë edhe po të qëllonte të ishte vetë hasmi, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit ishe i detyruar që pasi ta prisje, ta përcillje deri matanë kufirit tënd. Por, këta që na erdhën të fundit ishin miqtë më të çuditshëm, ndërsa ne nuk e di se çfarë transformimi kemi pësuar në këta shekuj, që jemi katandisur këta të sotmit. Do të vinte një skuadër futbolli, diçka më pak mediokre se e jona dhe i lejuam ata që i shoqëronin të ishin Zot në shtëpinë tonë, të na tregonin se ku duhet të rrinim dhe nga duhet të kalonim. I lejuam të organizonin një spektakël të shpifur, të fyenin banorët e këtij vendi dhe të ndikonin në klasifikimin e një prej qyteteve më me vlera të vendit, në bastionin e së keqes. Ndërsa ne çfarë bëmë (“ne” jo në kuptimin klasik, pra veta e parë shumës, por “ata”, që prej kohësh i kanë dhënë vetes të gjitha atributet të jenë “ne”)? Pasi iu përulëm të huajve deri në nivelin e majës së këpucëve, u mburrëm duke organizuar një demonstrim force ndaj qytetarëve tanë. Shteti u vesh me hekura dhe zbriti në rrugë. 2000 forca policie, 200 ishte numri i pjestarëve të RENEAS-s, FNSH, trupa xheniere, helikopterë, policë civilë dhe Mosad, për të bërë zap miletin, që do të thotë 1 polic për 3.5 tifozë. Kontrolle të njerëzve nga maja e flokëve tek gishtat e këmbëve, bllokim të rrugëve, mbyllje të bizneseve, duke i lënë pa punë pikërisht ata që janë kërrusur nga pesha e taksave, por që ua mbledhin me hir apo me pahir. A kemi të drejtë ne të ankohemi, që në pikat kufitare me Greqinë, po kthehen qytetarë shqiptarë pa asnjë arsye? Pikërisht përpara ndeshjes tonë me Izraelin, ata që na përfaqësojnë ne, kthyen shqiptarë në kufirin me Maqedoninë, për arsyen se nuk u treguan bindës, në sqarimin e arsyes së vizitës në vendin e tyre. Dhe përfundimi, stadiumi si asnjëherë me aq shumë vende bosh dhe me entuziazëm aq nën kuota. Kështu që fitoi gjendja e terrorit, frika.

Pra, si mbërritën në shtëpi miqtë tanë nga Izraeli? Shëndosh e mirë, pas një jave ku dolën fitimtarë në të gjitha drejtimet, sikur të kishin fituar Six-Day War II (Lufta e Gjashtë Ditëve)… dhe për mikpritjen, as mos e çoni në mendje për ndonjë faleminderit, e kishim për detyrë.

Por, këtu kush nuk po mburret duke na shpërfillur dhe këta gjenitë e futbollit nuk kanë se si të bëjnë përjashtim. Që në paraqitjen e listës, De Biazi bëri vetëm lodra fjalësh për logjikën e përzgjedhjes së futbollistëve, duke e shoqëruar këtë me një nervozizëm, sikur ka shkrirë të gjithë pasurinë e tij, për ta futur futbollin shqiptar në hartën europiane. Ergys Kaçe nuk vjen, se tani tekniku e ka kuptuar që kjo skuadër ka futbollistë më të mirë se ai (këta të Elbasanit). Për Gashin, pak a shumë artikuloi këtë shprehje simbol: “Nuk është e thënë që të shkëlqesh me skuadrën tënde dhe po në të njëjtën mënyrë të përshtatesh edhe me Kombëtaren”. Duke na lënë kështu një detyrë shtëpie shumë të rëndësishme, të vrasim mendjen për të gjetur, se çfarë duhet të bëj një futbollist në jetë, për të pretenduar më pas ekipin përfaqësues. Për Cikalleshin tha se duhet të gjejë një skuadër tjetër, duke mos u treguar as njerëzor, pasi e braktisi në një moment të vështirë. Ndërsa Lenjani sipas tij, nuk ka vërtetë skuadër, por i nevojitet, sepse nuk gjen dot futbollistë që e godasin topin me sallaken. Dhe pas ndeshjes u mburr përsëri, duke na thënë që e dinte më mirë se kushdo, që kjo do të ishte një ndeshje shumë e vështirë, por shqiptarët nuk ia kishin vënë veshin. Pas përballjes me Spanjën, kur Shqipëria kishte luajtur si në kohën, kur qeverisej nga një monarki, De Biazi na siguroi ne dhe në të njëjtën kohë i tmerroi italianët, duke u shprehur, se përfaqësuesja “axurre” bënte mirë të vinte e kualifikuar, pasi ai do t’i bënte për turp. Ndërsa Izraeli, o miku ynë akademik, mban vendin e 79-të në renditjen e FIFA-s, fiks 32 pozicione poshtë Kombëtares tonë, gjë që gjithmonë më është dukur një gjë jo me shumë vlerë, por trajneri ynë e ka përdorur si shifër treguese, për progresin në periudhën e udhëheqjes së tij.

Berisha thotë në prag të 90 minutëshit të Izraelit, se vendi i tretë do të ishte një dështim për të dhe skuadrën që përfaqëson, megjithëse për të arritur të dytët duhet të spostojmë ose Italinë, ose Spanjën, madje me këta të dytët kemi më shumë shanse. Mavraj na thotë se ka lindur lider dhe ç’është ky vendi i tretë që i përmendin. Edhe ata u mburrën, e më pas të gjithë e pamë se çfarë katranosën. Tek kjo Kombëtare ndoshta ka ardhur koha të ndërhyet për të gjetur ekuilibrat që i ka humbur në fushë. Ndoshta kemi nevojë të na kthehet modestia që na kanë zhdukur, për të kuptuar se cilët jemi realisht. Nuk është zgjidhje të na duhet sërish ndihmë e kushtueshme nga jashtë për të mundur Armeninë dhe nëse kjo mungon, atëherë vjen e të masakron Izraeli. Ndoshta nuk kemi pse të zhgënjehemi pas çdo ndeshje, duke menduar, se jemi ata që nuk kemi qenë kurrë. Ndoshta De Biazi nuk ka më nerva dhe durim, pasi prej kohësh duket se i mungojnë komplimentet dhe vetëm ngërdheshet. Ndoshta dikush duhet të ndërhyjë për t’ia hequr gjithë këtë presion që po përballon…

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>