Ka than' i moçmi: 

“Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku".
                                                                                        -Faik Konica

Matura e Rrëshenit, prindërit, mësuesit dhe policia

Nga Media 2

Nga Gjergj Meta

Dje, u bë mbrëmja e maturës për nxënësit e Rrëshenit. Nuk dola të shoh këtë paradë, por pashë disa foto të atyre që kishin marrë pjesë. Isha edhe pjesë e ndonjë bisede maturantësh që po komentonin mbrëmjen. Të gjithë pak a shumë e në mënyra të ndryshme kemi festuar maturën, por sipas mendimit tim së fundmi po teprohet në disa drejtime.

Një nga këto teprime është marrja e makinave me qera për të shkuar në mbrëmje apo edhe shpenzimet për veshjet e ndryshme. Ka në këtë gjë edhe përjashtime fatlume. Ndër ta ishte edhe Harleni, organisti dhe dirigjuesi i korit të Kishës së Rrëshenit, i cili si mjet kishte zgjedhur biçikletën e tij duke dalë nga rreshti i atyre që kanë detyruar prindërit për të marrë një makinë me qera. E vlerësova shumë këtë origjinalitet, pasi i përshtatet edhe karakterit të këtij djali të talentuar, që sigurisht do të ketë një të ardhme të bukur në artin muzikor.

Por le t’i kthehemi temës. Si është e mundur që familje maturantësh të Rrëshenit, të cilat në 80 % të tyre disktuojnë si të arrijnë në fundin e muajit dhe janë nën një gjendje mesatare ekonomike, t’i lejojnë vetes shpenzime të tilla? A ka një refleksion të mësuesve dhe prindërve në këtë drejtim? Unë mendoj se duhet hapur një diskutim për maturën e ardhshme dhe të gjendet një mënyrë festimi e cila nuk mbetet peng e një logjike konsumiste dhe tangarllëku. Matura presupozon festimin e dijes, një kalim nga vëçantia e një gjimnazi në të përgjithten (universitas) e dijes. Nuk dua të gjykoj maturantët, por dua t’i ftoj në një reflektim në lidhje me kuptimin që i japim një mbrëmje të tillë. Një rol të rëndësishëm kanë edhe mësuesit dhe dejtoritë arsimore si dhe ministria e Arsimit. Ky nuk është vetëm një moment privat festimi, por edhe një moment publik i njërit prej kalimeve më të rëndësishme në jetën e një njeriu. Ky kremtim duhet të jetë edhe, e sidmos, një moment i shpërfaqjes së disa vlerave që janë më shumë se një paradë banale dhe vullgare makinash. Ka një sistem vlerash që duhet respektuar edhe në këtë festim.

Por ka edhe një pyetje më praktike. A e din policia nëse të gjithë këta maturantë që përdorin makinat kanë edhe patentë? Apo kanë mbyllur sytë dhe e kanë lejuar si diçka të mirqenë? Nëse është kështu është shumë keq dhe jep një mesazh të gabuar. Shteti dhe policia duhet të reagojë e të kontrollojë e madje të ndalë dikë që është pa patentë, pavarësisht mbrëmjes së maturës. Kur ndodh rreziku pastaj nuk mund ta justifikojmë më.

Do kisha pasur dëshirë që vitin e ardhshëm të hapej ky diskutim dhe pse jo të krijohej një forum me nxënës, prindër e mësues për ta bërë këtë festë me të vërtetë një çast festimi të së bukurës që vjen nga dija dhe jo se kush ka makinën më të bukur apo veshjen e krehjen më të pashme. Edukimi është një proces që nuk shterrohet brenda mureve të klasave, por edhe këto momente janë tregues të asaj që është dhënë në orët e mësimit.

Unë kam besim që po të ftohen nxënësit të reflektojnë, të hapet një diskutim i sinqertë me ta, pa u imponuar këndvështrimin e të rriturve, ata do të jenë të gatshëm të gjejnë një zgjidhje dhe të pranojnë se gjërat duhet të ndryshojnë e se bëhesh më interesant kur shkon kundër rrymës se sa kur konformohesh me turmën.

Uroj që diçka të ndryshojë!

https://www.facebook.com/KatedraljaRreshenit/photos/a.566726213473868.1073741833.496589707154186/1481296538683493/?type=3&theater

Loading...

Komente (2)

  1. Posi more, le te kthehemi pas ne kohe dhe te dale drejtoria arsimore e tu grise fustanet vajzave, e ti nxjerre jashte makinave djemte me dhune. !!!
    Nuk kane faj te rinjte.
    Cte bejne dhe ata, ne kete varferi te madhe, kerkojne nje rast te ndjehen princer e princesha. Nuk i vjen e keqja Rreshenit nga nje mbremje mature.

  2. Zoteri i nderuar Gjergj Meta,pershendetje.Me thene te drejten,dikur lexonim shume dhe mernim borxh per disa dite apo edhe per nje nate libra nga shoket….ishte nje etje e madhe per kulture e per me teper per shkrimtaret e medhej qe deri ne vitet 60-te botoheshin edhe ne Shqiperi,me pas….Me ka mbetur ne mend nje personazh,nje vajze punetore ne Amerike,e cila vinte menjane disa para ,me te vetmin qellim qe per dy jave te bente pushime si e pasur dhe ky ishte motivi qe ate e shtynte te bente nje jete te perkoret sic e quani ju te fese,per nje vit te tere.Me thene te drejten autori ishte nje shkrimtar i njohur amerikan i cili nuk po me kujtohet….Edhe maturantet tane,po mundohen te bejne te njejten gje,te pakten per nje dite te evidentohen e tu mbetet ne kujtese kjo dite e rendesishme,dita e mbylljes se studimeve ne gjimnaz.Ju dhe ne te tjeret shqetesohemi me teprimet,shqetesohemi me pamundesine e prinderve te cilet mbajne edhe me ndihme ekonomike familjet e tyre.Ne shqetesohemi sepse…ka edhe te pasur apo nga ata qe me para te pista,detyrojne e vene ne seder edhe maturantet e varfer qe te bejne te pamunduren qe edhe te pakten per nje dite te mos jene te pervuajtur dhe me ndjenjen se do mbahen mend si varfanjake apo ” LEGENE ” edhe kete dite te fundit.Ne duhet te shqetesohemi se cfare do bejne keta te rij studioze ne te ardhmen,kur shoket e tyre te pasur do studiojne ne Universitetet e Europes apo Amerikes dhe keta te pamundurit do zvarisen neper auditoret e Universiteteve te Shqiperise,ku nuk behen leksione,ku provimet blehen si ne pazar,ku djersa e derdhur e tyre nuk vleresohet sepse nuk kane plotesuar qejfet apo tarifat e pedagogeve,ku me te miret na dalin ata qe jane te pasur dhe specializimet i marrin pikerisht keata qe jane te pa afte por te pasur,ku vendet e punes i marrin pikerisht keta njerez per hir te favoreve politike apo dipllomave te paguara.Pikerisht keta studente qe sot po festojne maturen,si do ndjehen neser,si do ndjehen gjate gjithe jetes,si do ta perballojne kete padrejtesi apo perbuzje ? Do luftojne per te ndryshuar statusin social apo do dorezohen dhe do pranojne te perbuzen apo do bejne Uriah Hipin e Dikensit ???Ky zoti Gjergj,eshte meraku im,pikerisht kete duhet te mendojme dhe te perpiqemi te zgjidhim…..apo do pranojme thenien e Migjenit… -” Me mire der i kenaqur apo Sokrat i vuajtur”Shoqeria shqipetare…me kete humnere qe po krijon,po pregatit pikerish ” Dekabristet ” e rij,apo ata qe do te permbysin me revolte e me dhune sistemin e ashtuquajtur Demokratik,demokraci per banditet e te shkathtet e te korruptuarit te cilet harojne se pushteti nuk eshte i perjetshem.Pikerisht shqetesimi im eshte se…per banditet e te korruptuarit….Demokracia kuptohet si nje sistem ku mund te besh gjithecka,ku demosin apo popullin mund ta mashtrosh e ta varferosh dhe mbi mizerjen e tyre te krijosh parajsen tokesore per nje pakice njerezish truthare e kriminele.Pikerisht ne Mirdite,aty ku pasurite nentoksore jane pa fund,kemi mijra familje qe mbijetojne me lemoshen qe quhet ndihme ekonomike .Si perfundim zoti Gjergj,po ju them se ne kete postim ,dikush mund te mendoje se nxis idete komuniste,te jeni te bindur,ju edhe ata qe me lexojne se….qe te mos nxiten pikerisht keto ide,duhet sa me shpejt qe te veme doren mbi plage dhe te zgjidhimketo probleme,qe te rijte tane te mos e humbin shpresen ,qe te mos largohen dhe ta shohin te ardhmen jashte Shqiperise por te bejne gjithcka qe te realizohen brenda vendit e jo e dijet e tyre,djersen e tyre ti vene ne sherbimte vendeve te tjera e ta lene Atdheun ne mjerim.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej