Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Lufta për Vlorën

Nga 27.al 0

Saimir-Demi

Saimir Demi

Ne do të bëjmë lojën tonë, nuk kemi se çfarë të humbasin”, citohet të ketë thënë përpara ndeshjes ndaj gjirokastritëve, kapiteni i Flamurtarit, Bruno Telushi. Dhe duke ndjekur më pas me vëmendje takimin, vetvetiu ndjen keqardhje, për grintën e përpjekjet e vlonjatëve, për të mos e humbur atë 90 minutësh. Ata po luajnë për të rikuperuar pikët që i kanë mangut për shumë arsye dhe tashmë ndodhen në një udhëkryq pa asnjë tabelë sinjalizuese, kuptohet jo për fajin e tyre. Mbi të gjitha, askush nuk është më i gatshëm ta ndihmojë këtë grup djemsh, të cilëve u ka mbetur vetëm dinjiteti dhe talenti që e ofrojnë falas. Numri 1 i FSHF-së, në një prononcim të fundit pranoi, që deri tani nuk janë zbatuar rregulloret e institucionit që ai drejton dhe premtoi me solemnitet fillimin e vitit zero. Pra, në grupin e skuadrave debitore, që futbollit shqiptar nuk i kanë munguar asnjëherë, është zgjedhur pikërisht Flamurtari, për t’u bërë shembulli i vitit të parë të korrektësisë së Federatës. Por, megjithëse hidhet kategorikisht poshtë që të ketë edhe diçka tendencioze në këtë mes, nuk ka se si të jetë ndryshe, pas deklaratave të ashpra të administratorit Idrizi ndaj Federatës, i cili në disa raste nuk është kujdesuar as për etikën, duke përdorur fjalor fyes. Kështu që për këtë rast ekziston një logjikë, gjithsesi autentike shqiptare. Në këtë ambjent, ku servilizmi është kthyer në institucion, një zë kundër do të thotë dhunim i të drejtave themelore të shumicës. Prandaj pra, gjithçka është shoqëruar me gjithë këtë mllef, i cili deri tani ka sjellë vetëm pikë minus, por vazhdon me kërcënime të ashpra, deri në fshirjen e emrit të Flamurtarit nga harta e futbollit elitar të vendit. Dhe në fund, prej nga po vijnë deklaratat optimiste për tolerancë zero ndaj debitorëve? Nga institucioni që akuzohet, se gjatë këtyre viteve që kanë pasur nga një numër, janë zhdukur shumë para të destinuara për klubet. Flitet për 4 milionë euro. Presidenti sqaroi se të gjitha klubet i kanë marrë paratë e tyre, por Teutës, Partizanit, apo dikush tjetër, megjithë riinvetarizimin e arkave të tyre, prapë nuk u dalin llogaritë. Ky po që është viti zero: FSHF nuk ka ndërmend të tolerojë asnjë borxh të Flamurtarit dhe shumë mirë e bën, ndërsa borxhet e veta i ka zeruar, me ardhjen në fuqi të erës së re. Ndërsa për gjendjen aktuale të skuadrës vlonjate, padyshim që ka edhe mëkatarë të tjerë. Administratori Idrizi vazhdon të flasë për kontrata të parregullta dhe që nuk mund të paguajë për të shkelur ligjet e shtetit, por ndërkohë nuk po i përmbahet marrëveshjeve kontraktuale, të cilat i ka nënshkruar vetë me futbollistët aktualë dhe stafin e tyre. Nëse Bushiç ka deklaruar largimin, Shkodra e ka paralajmëruar një gjë të tillë dhe të tjerët po vazhdojnë të luajnë vetëm për hir të uniformës, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së korrektësisë së drejtuesve të tanishëm të klubit. Për këtë situatë të krijuar nuk mund të gjesh alibi, ndërsa lakimi i emrit të Ernest Gjokës apo të ndonjë tjetri, bëhet thjesht për të larguar vëmendjen. Premtimi i fundit është që deri në mesjavë, apo në fund të saj, do të shlyhen nga pesë paga për çdo futbollist, madje do të jetë edhe një e gjashtë premio. Normale do të ishte të respektoheshin marrëdhëniet klasike, sipas të cilave, punonjësit paguhen çdo muaj, pasi likujdimi pesë e nga pesë është gjithmonë shumë më i vështirë. Por, le të urojmë të ndodhë edhe kështu. Ndërsa Bashkia është fare indiferente për çka po ndodh, qoftë për të bërë një prononcim zyrtar dhe jo më të tentojë t’i vijë në ndihmë një aseti kaq të rëndësishëm të qytetit, por edhe të gjithë vendit, një krenarie të dikurshme, të cilën tani po ja nëpërkëmbin. Ndërsa fundi dihet edhe sikur në Federatë të fillojnë të vënë dorën në zemër dhe të rikthejnë numrin real që korrenspondon me vitin që po jetojmë. Askush nuk mund të vazhdojë pafund, të punojë pa u paguar, qoftë edhe në respekt të simboleve të qytetit. Ndërkohë që konkurentët më të shëndetshëm financiarisht janë sulur për ta çmontuar skuadrën, me të cilën dikur mburreshim se ka kundërshtuar Barcelonën dhe ka eleminuar Partizanin e Beogradit. Telushi është i ftuar nga klube të mëdha të vendit, Donjet Shkodrën e duan të gjithë, por edhe të tjerë nga skuadra e Mezanit kanë zgjuar interesin e atyre që po i ndjekin ngjarjet si spektator. Pikërisht, ky do të jetë sipari i kësaj lloj lufte… për të marrë diçka nga Vlora.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>