Ka than' i moçmi: 

Njeriu i lig i ngjan thesit të qymyrit: jashtë i zi, brenda akoma më i zi”.

                          -Sami Frashëri

Lista e rreme/ Mato Gruda në kohën tonë do hapte portal për të marrë hak ndaj Plakut Mere*

Nga 27.al 0

Nga Ruben Avxhiu
Nga momenti që doli në shesh fakti se Ministria e Jashtme e Greqisë ka një fond sekret që e përdor për të ndikuar opinionin publik në vendet fqinje, në Shqipëria ka nisur gara e zbulimit të “armiqve të rinj të brendshëm”.Një listë e botuar, ndonëse nuk është vërtetuar dhe nuk mund të vërtetohet, po botohet në dhjetra në mos qindra portale, për kënaqësinë e të gjithë atyre që kanë ndonjë inat me emrat e përmendur në listë. Ose për kënaqësinë që ndjen natyrshëm njeriu i parealizuar, kur shesh figura që humbasin statusin publik, përbalten e rrëzohen.Kush janë vërtet ata që marrin para nga Greqia, apo burime të tjera,të huaja në vend?Një gjë është e sigurtë, ata që e kanë në zotërim një listë të tillë, do të bëjnë çmos që ta fshehin. Greqia është një vend shumë nacionalist. Ndaj edhe media greke nuk mund të jetë aleate në zbulimin e të vërtetës këtu. As janë emrat e njerëzve apo medias në Shqipëri, Maqedoni, apo Turqi të njohura për lexuesin e teleshikuesin grek, që media greke të hulumtojë për të nxjerrë emrat.

Çdo shqiptar apo maqedonas do të donte të dinte kush paguhet nga Greqia në vendet përkatëse, po për lexuesin grek emrat e gazetarëve jogrekë kanë pak rëndësi. Nuk është se i ndjekin e kanë vlerë për ta. Lexuesi grek do të donte të dinte se kush janë grekët që paguhen nga të huajt. Është njësoj si në çdo vend.

Nëse ka një listë që qarkullon shanset janë që lista është thjesht një shpikje. Më së paku, për të marrë klikime e vizita në uebsajte, pëlqime në facebook etj. Akoma më keq, nëse bëhet për të larë hesape personale, shfryrë dufin e pakënaqësisë ndaj një personi apo institucioni. Si u shpreha në shkrimin paraardhës, Mato Gruda në kohën tonë nuk do të blinte një top për të marrë hak ndaj Plakut Mere; do të hapte një portal.

Lista e botuar ishte tekst klasik për të shpjeguar fenomenin e portaleve.

Akoma edhe më diabolike do të ishte që këto lista të kenë si qëllim final largimin e vëmendjes nga e vërteta. Nëse dalin disa lista të tilla, atëhere edhe nëse del një ditë e vërteta, kush do ta besojë? Do të jetë një prej shumë listave në qarkullim.

Ideale në raste të tilla është futja në listat fallco disa prej emrave që vërtetë marrin para për propagandë për ta ngatërruar opinion shqiptar edhe më keq.

Mund të mos duam ta pranojmë po është në natyrën njerëzore që të gëzohet, kur zbulohet se dikush që e kanë inat është fajtor për diçka. Merr për shembull rastin e Mustafa Nanos. E kishte emrin në listë, tani sheh plot njerëz në facebook që po e shpërndajnë listën e rreme. Në djall të pafajshmit e tjerë në listë sa kohë që ky Mustafai doli si e kishim imagjinuar!

Kjo është edhe gjenia e listave të tilla. Përfshirja e të paktën një personi që duket se i ka karakteristikat që mund të jetë paguar për propagandë.

Në fakt, njeriu nuk ka nevojë që të paguhet për t’i bërë dëm kombit të tij. Disa nga dëmtuesit më të mëdhenj të kombeve të tyre kanë qenë nacionalistë të tërbuar. E për ironi, disa të tjerë e kanë ndihmuar kombin e tyre pikërisht duke bërë të kundërtën, duke refuzuar të gjykojnë njerëzit duke u bazuar në kombësinë e tyre, po në vlerat e tyre si njerëz e qytetarë.

Unë nuk besoj se do të shohim një listë të vërtetë. Edhe po e pamë, nuk e di nëse do ta besojmë. Askush deri tani nuk ka pasur ambicjen dhe aftësinë që të ndërtojë një media apo një institucion, të cilin ta besojmë të gjithë nëse na e thotë diçka. Na mungojnë abritrat e papërlyer në shoqërinë e sotme shqiptare. Këtë fatkeqësi ia kemi shkaktuar vetes. Pa nevojën e grekut, serbit, turkut, maqedonasit, rusit, e kujtdo tjetër në listën tjetër, atë të e armiqve.

Ka vetëm një mësim këtu për lexuesin e konsumatorin e medias shqiptare. Të vërtetën në pjatë nuk ta shërben askush. Bëju lexues inteligjent. Meri me dyshim titujt bombastikë. Shmange median që është e dëshpëruar që t’ia vizitosh faqen. Lexo edhe ata që mendojnë ndryshe nga ty. Askush nuk i di të gjitha. As ti vetë. Bëju modest në lexim. Domethënë lexo për të mësuar jo për të përsëritur atë që di. Pavarësia e mendimit është liria më e madhe. Ajo nuk dëshmohet duke mos besuar askënd. Po duke i gjykuar të gjithë me kujdes dhe respekt.

Nëse arrin ta bësh këtë, mund të krijosh një mburojë të madhe intelektuale e shpirtërore ndaj çdo propaganda të jashtme e të brendshme. Të gjesh se kush janë të shiturit, nuk ndryshon asgjë themelore. Të shitur do të ketë gjithmonë. Fitorja është në mendjet tona të edukuara për të mësuar të lexojmë në mënyrë serioze. Po të mjaftonin fondet sekrete për të ndryshuar rrugën e historisë, tani e gjitha bota do të ishte komuniste pro-sovietike. Propaganda i ka këmbët e shkurtra. Sidomos, nëse dimë të ndezim dritën e urtësisë dhe të arsyes, në mendjet tona.

*Titulli origjinal i shkrimit është: E vërteta nuk shërbehet në pjatë

E vërteta nuk shërbehet në pjatë

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej