Ka than' i moçmi: 

"Dy bija të përmallshme, gurë të paçmuar, si hyj po ndritni ju, Kosovë e Çamëri."

- Asdreni

Liberalizimi i energjisë: Bizneset të pambrojtura nga çmimi

Nga Klodiana 0

Nga 1 korriku, 82 biznese, konsumatorë në rrjetin 35 kilovolt, duhet të kishin shkëputur kontratat e furnizimit me OSHEE dhe të blinin energji në tregun e lirë. Por kanë kaluar dy muaj nga ky afat dhe tregu i energjisë nuk ekziston. Të paktën 7 nga këto biznese kanë pohuar për Monitor se nuk janë fare në dijeni të procesit. Të tjera kanë dy muaj në kërkim të furnitorëve, por nuk kanë pasur sukses. Frika nga çmimet e larta ka rritur pasigurinë. Zeqo i OST: Bizneset të mos i tremben liberalizimit. Përvoja është pozitive

Blerina Hoxha

Agron Haxhiymeri, prej disa muajsh po kërkon të blejë energji elektrike nga tregu i lirë. Ai është një nga aksionerët e fabrikës së miellit “Bloja”, pjesë e 82 konsumatorëve të mëdhenj të energjisë që duhet të kishin gjetur një furnizues tjetër energjie nga OSHEE që nga 1 korriku i këtij viti.
Deri tani nuk ka mundur të sigurojë energjinë që i duhet për të mbajtur në punë fabrikën e tij. Ka kontaktuar me dy-tre prodhues që zotërojnë hidrocentrale të vogla, por ende nuk ka lidhur asnjë kontratë. Përveçse nuk ka gjetur furnizues, Haxhiymeri është i frikësuar për tarifat me të cilat i duhet të blejë në rast se e gjen një furnitor. Duke qenë se përveç çmimit të blerjes, i duhet të paguajë edhe tarifë OSHEE për rrjetin e shpërndarjes ka frikë se, çmimet do të jenë më të larta nga sa janë aktualisht.
Por teksa shoqëria “Bloja” është në dijeni të liberalizimit të tregut të energjisë, kompanitë e tjera që i janë nënshtruar këtij procesi nuk kanë fare informacion. Ekonomistët e ndërmarrjes së prodhimit të sallamit EHW, pohuan se ende nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të gjetur një furnitor energjie. Fatura e energjisë elektrike hyn në shpenzimet e mëdha mujore të kompanisë, por asnjë nga institucionet publike, që po merren me liberalizimin e tregut, nuk i ka njoftuar se kur do të kryhet ky proces dhe se ku mund të gjendet energjia elektrike dhe me çfarë çmimi do të blihet.
Të njëjtën situatë pohuan edhe menaxherët e kompanisë së përpunimit të qumështit, “Lufra”, të cilët konfirmuan se ende nuk kanë bërë asnjë përçapje për të gjetur energji gjetkë, teksa vijojnë të furnizohen nga rrjeti i OSHEE-së. Ata janë në pritje të shkresave zyrtare nga institucionet kompetente, ndryshe nuk kanë pse të veprojnë.
Edhe “Birra Stela” është konsumator i madh i energjisë që duhet të gjejë vetë furnizuesin, por aksioneri i saj kryesor, Stefan Pinguli, tha se, “energjia nuk është domate që del në treg dhe e blen” ndaj nuk po i beson shumë seriozitetit dhe angazhimit të institucioneve për këtë reformë, ku bizneseve u kërkohet të dalin në një treg që nuk ekziston.
Por, për bizneset nuk është hall vetëm gjetja e energjisë, por edhe ngritja e sistemit të ri matës që përfshin kabinat, rrjetin dhe sahatin matës. Engjëll Zeqo, Drejtori i Operatorit të Transmetimit, tha se, kostot e sistemit të ri matës për konsumatorët 35 kilovolt nuk do t’u faturohen bizneseve. Ato do të përballohen me fondet që Banka Botërore ka akorduar për rimëkëmbjen e sektorit energjetik. OSHEE është duke kryer procedurat e prokurimit për blerjen dhe vendosjen e këtyre pajisjeve.
Bizneset që furnizohen nga linja 35 kilovolt i paguajnë OSHEE aktualisht 11 lekë për kilovatorë, por nëse OSHEE nuk do të jetë ofertues në treg bashkë me privatët, çmimi i energjisë që do të ofrohet nga operatorët e vegjël logjikisht duhet të jetë më i lartë, thotë Haxhiymeri nga fabrika “Bloja”. Me rregullat e reja të tregut OSHEE nuk e ka tagrin të jetë ofertues energjie për 82 konsumatorët e mëdhenj, por Entela Cipa, këshilltare e ministrit të Energjisë thotë se, Operatori i Shpërndarjes mund të aplikojë për leje tregtimi dhe mund të futet në treg si furnizues.
Shumë nga kompanitë e mëdha, që do të dalin në tregun e lirë të energjisë, po përballen me mungesën e tregut dhe janë tërësisht të paqarta për kostot që do të paguajnë. Qeveria në ligjin e ri ka miratuar afatet për liberalizimin, ku konsumatorët 35 kilovolt duhet të shkëputeshin nga OSHEE që nga 1 korriku, ndërsa 6200 biznese të tjera duhet të dalin në tregun e lirë që nga janari 2017, por nga ana tjetër, ende nuk ka një treg të unifikuar, ku operatorët do të mund të shkëmbejnë energji. Bursa e energjisë, e planifikuar për t’i shërbyer këtij qëllimi nuk do të nisë punë para gjashtëmujorit të parë të 2017-s.
Drejtori i OST, Engjëll Zeqo, që më parë ka drejtuar edhe KESH-in thotë se furnizimi i energjisë elektrike në tregun e lirë do të dojë njëfarë kohe dhe kërkon pak përvojë në ndryshimin e furnizuesit, por ai siguron se ligji aktualisht, u ka dhënë këtyre konsumatorëve të gjitha mundësitë dhe mbrojtjet e nevojshme për të siguruar furnizim të sigurt nga tregu i lirë i energjisë elektrike me çmime dhe më konkurruese sesa furnizimi nga një furnizues i vetëm, i cili është monopol.

Të pambrojtur nga çmimi
Të 82 konsumatorët e mëdhenj të energjisë, sapo të pajisen me sistemin e ri matës, do të nxirren në tregun e lirë të energjisë dhe për rrjedhojë nuk do të jenë të mbrojtur nga çmimet e tregut. Sipas ligjit të ri për sektorin e energjisë, ata duhet ta gjejnë lirisht energjinë që ju duhet për konsum nëpërmjet një ndërmjetësi apo një furnizuesi.
Ekspertët e sektorit rekomandojnë që këto biznese, deri në krijimin e Bursës së Energjisë, duhet të prokurojnë energjinë, duke bërë kërkesa në shumë operatorë dhe lidhin kontrata furnizimi të paktën njëvjeçare. Në këtë mënyrë, ata kanë mundësi të shmangin luhatjet e çmimeve në treg gjatë vitit.
Bizneset do të jenë të ekspozuara ndaj rritjes së çmimit të energjisë, sidomos në kohë thatësire, pasi furnizimi i vendit në këto periudha është i varur tërësisht nga importet. Nëse KESH-it i duhet të blejë energji më çmim 120 euro megavatori, siç ka ndodhur në vitin 2011, sigurisht që edhe bizneset janë të ekspozuara nga çmimet e larta, nëse kjo ngjarje përsëritet.
Këshilltarja e ministrit të Energjisë, Entela Cipa, thotë se ka më shumë gjasa që çmimi i energjisë të ulet pas liberalizimit të tregut. Ajo thotë se vendi po shton çdo ditë kapacitetet e furnizimit dhe linjat e transmetimit gjithashtu. Në këto kushte, konkurrenca në treg do të rritet e për rrjedhojë, kjo do të shtojë presionin në uljen e çmimeve, thotë ajo.
Gjithsesi, edhe pas liberalizimit të tregut, bizneset rrezikohen nga furnizimi me energji. Operatori i Shpërndarjes do të mbajë përgjegjësinë e furnizuesit më të fundit. Që do të thotë se nëse një nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë do të dështojë të gjejë furnizuesin në tregun e lirë, atëherë OSHEE do të vijojë të furnizojë. Por në këtë rast ndryshon kushti për çmimin, i cili do të jetë më i lartë. Gjithsesi tarifat do të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë duke marrë në konsideratë analizën e kostove.

Me sytë nga Bursa
Hapja e tregut të energjisë, ku konsumatorët mund të zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë ka në themel krijimin e një burse të posaçme dedikuar tregtimit të energjisë. Bursa është tregu më i avancuar ndër eksperiencat globale të tregtimit, por pas dëshirës për krijimin e saj, vendit tonë i mungon përvoja dhe kapacitetet për menaxhimin e saj.
Për t’i paraprirë krijimit të një arene ku energjia të tregtohet në kohë reale me çmime reale, brenda Operatorit të Sistemit të Transmetimit është duke u krijuar Operatori i Tregut.
Drejtori i OST, Engjëll Zeqo, thotë se sipas parashikimeve të Ligjit të ri të Sektorit të Energjisë Elektrike 43/2015, Operatori i Tregut do të jetë një kompani e ndarë ligjërisht dhe financiarisht nga Operatori i Sistemit të Transmetimit me VKM brenda 31 dhjetorit të vitit 2017. Operatori i Tregut do të ketë një rol tejet të rëndësishëm në menaxhimin e tregut të lirë të energjisë elektrike në vend.
Zeqo thotë se bursa e energjisë elektrike do të jetë një institucion i pavarur dhe jo Operatori i Tregut të Energjisë Elektrike.
Bursa shqiptare e energjisë elektrike do të krijohet nga ministri i Industrisë dhe Energjetikës, brenda datës 31 mars 2017 dhe do të jetë e hapur për pjesëmarrjen e OST-ve të tjera fqinjë në strukturën e pronësisë së Bursës, tha Zeqo.

Përfshihet edhe Kosova
Dikush mund të pyesë pse një sistem relativisht i vogël i energjisë si Shqipëria (7.8 TWh/vit) duhet të marrë në konsideratë zhvillimin e një burse. Por nëse ke një treg të vogël dhe e ndërlidh atë me efikasitet në rrjetin ndërkombëtar, sakaq e ke shumëfishuar.
Mes Shqipërisë dhe Kosovës, transmetimi efektiv aktualisht është rreth 220 MW. Ky kapacitet do të rritet në 650 MW, tani kur linja e re 400 kV është aktive.
Zeqo thotë se janë duke zhvilluar bisedime me Kosovën e cila ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për përfshirjen në strukturën e Bursës Shqiptare, fakt i cili do të mundësonte bashkimin e tregjeve të dy vendeve, duke optimizuar burimet e ndërsjella dhe duke shfrytëzuar maksimalisht linjën e interkonjeksionit.
Në të njëjtën linjë pritet të rriten kapacitetet ekzistuese të transmetimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi prej 400 MW në 450 MW, dhe mes Shqipërisë dhe Greqisë, nga 244 MW deri në 350 MW.
Ndërsa në vitin 2017, një kabllo nënujore transmetimi 1000 MW nën det në mes Malit të Zi dhe Italisë do të krijojë një lidhje të fortë mes Ballkanit dhe tregut italian. Në vitin 2020, një linjë 400 kv pritet të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë. Prandaj, kapaciteti i transmisionit midis Shqipërisë dhe vendeve fqinje do të jetë shumë i fortë në periudhën afatmesme, duke lënë të kuptohet se, përfitimet nga tregu rajonal mund jenë të shpejta.
Edhe tani, sistemi shqiptar i energjisë është i ndërlidhur me vendet fqinjë, duke krijuar një varësi të lartë nga fqinjët, arsye kjo e mjaftueshme për themelimin e Bursës Shqiptare të Energjisë APE (Albania Power Exchange).
Zeqo thotë se tregtimi në bursë do të përcaktojë një çmim për blerjen dhe shitjen e saj, i cili do të përcaktohet nga kërkesa dhe nga oferta e tregut të lirë. Në këtë mënyrë, tregu do të përcaktojë saktësisht çmimin e shitjes dhe të blerjes së saj. Të gjithë pjesëmarrësit në bursë do të shesin dhe do të blejnë me të njëjtin çmim, thotë Zeqo.

Bizneset novatore
Dimitrios Thomoglou, administrator i fabrikës së miellit “Altlas” mbase është nga të vetmit ndër 82 kompanitë që mezi po e pret liberalizimin e tregut të energjisë. Energjia elektrike është kryesore në aktivitetin e blojës, ndaj i është dashur të thellohet në këtë drejtim. Duke parë përvojat në vendet fqinje, ku tregu është liberalizuar më shpejt, bashkë me disa investitorë të tjerë ai mori iniciativën për ndërtimin e dy HEC-eve të vegjël në Shqipëri edhe pse nuk do të mund të përdorte energjinë e prodhuar prej tyre. “Ka pasur raste që na është ndërprerë energjia me mbi 5 orë. Po të ndodhte kjo në Greqi, ngjarja do të ishte në krye të lajmeve”, thotë Dimitrios. Ai pohon se tani mund të blejë energjinë e prodhuar nga HEC-et e veta me çmim mjaft të lirë dhe do të paguajë vetëm tarifat për përdorimin e rrjetit të shpërndarjes. Por teksa ai ka kohë që i ka shërbyer daljes në tregun e lirë të energjisë, nuk është lajmëruar se tregu ligjërisht është funksional. Ai mund ta kishte përdorur energjinë e HEC-eve të tij që nga 1 korriku, por ende nuk e ka bërë, pasi nuk ishte formuar nga institucionet e zbatimit të ligjit. Ai tha se dalja në treg të lirë e konsumatorëve të mëdhenj të energjisë është ngjarje pozitive për ekonominë e Shqipërisë, pasi çmimet do të përcaktohen nga kërkesa dhe oferta dhe jo elemente të tjera që rrisin në mënyrë artificiale kostot, siç ka ndodhur deri më tani. Prej këtyre zhvillimeve do të përfitojnë edhe konsumatorët familjarë, pasi tregtimi në bursë i energjisë me shumë gjasë do të sjellë çmime më të lira, tha ai.

Furnizuesit nuk besojnë te konsumatorët shqiptarë
Liberalizimi i energjisë është një thikë me dy presa për furnizuesit e energjisë. Për ata që kanë kontrata shitjeje me kompanitë shtetërore, (koncesionarët e vegjël 15 MW) liberalizimi është shqetësim, ndërsa për të tjerët që nuk kanë kontratë shitje me kompanitë e shtetit, si Devoll Hydropower, liberalizimi është shansi më i mirë.
Dalip Spahiu, aksioner i HEC Gjançit, thotë se liberalizimi është i vlefshëm kur krijohet tregu, ndryshe është utopi. Nëse bëhet fjalë për të furnizuar konsumatorët vendas, Spahiu tha se, nuk do të ishte një zgjidhje e mirë për të. “A i keni parë bizneset shqiptare, shumica e tyre nuk paguajnë taksat, nuk paguajnë kreditë në banka. Janë mësuar të mos paguajnë. Kështu nuk do të paguajnë as energjinë tonë. Për mua personalisht do të ishte më mirë të shisja në tregjet ndërkombëtare kundrejt tarifave të pranueshme për rrjetin e transmetimit”. Spahiu tha se ka pasur kërkesa nga disa biznese të fushës së agropërpunimit për të blerë energjinë që ai prodhon nga HEC-et Gjançi, por e ka refuzuar. Ne kemi kontrata me kompanitë publike tha ai, të cilat pavarësisht problemeve japin më shumë garanci se sektori privat.
Më herët, në një prononcim të posaçëm për Monitor, Statkraft, një nga kompanitë më të mëdha në Europë të ndërtimit të HEC-eve që me investimet në lumin Devoll pritet të shtojë prodhimin e energjisë elektrike me 17% i ka thënë “ok” ligjit të ri të energjisë dhe modelit të tregut që çon në liberalizimin e 35% të tregut të energjisë deri më 2017.
Burimet zyrtare të kompanisë pohuan se investimi po kryhet bazuar në një kthyeshmëri të fitimeve në tregun e lirë. “Statkraft nuk ka asnjë marrëveshje (nuk është e obliguar) me qeverinë shqiptare për të shitur energjinë e prodhuar, do të thotë që është e lirë të shesë fuqinë e saj e prodhuar në tregjet e brendshme ose ndërkombëtare të energjisë”, pohoi kompania.
“Ligji i ri i energjisë është në përputhje me Paketën e Tretë të Energjisë të BE-së dhe Direktivën 2009/72/EC, dhe ka vendosur në mënyrë të qartë, rrugën drejt liberalizimit të tregut të energjisë, si dhe krijimin e modelit të tregut ‘Day Ahead’”, sqarojnë burimet zyrtare të “Statkraft”.
Kompania pranoi se, e ka inkurajuar fuqishëm qeverinë shqiptare për të vazhduar me reformën në sektorin e energjisë dhe liberalizimin e tregut në përputhje me të dhe të gjitha rregullat dhe rregulloret e BE-së.
Duke përmbushur angazhimet e përcaktuara në ligjin e ri të energjisë, Shqipëria do të arrijë të bashkohet me tregjet e energjisë europiane dhe rajonale, si një nga objektivat finalë të reformës dhe ligjit. “Statkraft” pohoi gjithashtu se, puna për ndërtimin e HEC-it po ecën sipas planit dhe prodhimi do të nisë në tremujorin e tretë të vitit 2016.

Si të bëhesh pjesë e tregut të energjisë
Këtë javë që lamë pas kanë hyrë në fuqi modeli transitor i tregut të energjisë, i cili përcakton rolet që do të kenë pjesëmarrësit në këtë treg.
Sipas modelit që tashmë është në fuqi, personi që dëshiron të marrë pjesë në tregun shqiptar të energjisë elektrike mund t’ia kërkojë këtë gjë me shkrim OST-së.
Procedurat e regjistrimit përgatiten nga OST sh.a. dhe miratohen nga ERE. Pjesëmarrësit e tregut do t’i dërgojnë Operatorit të Tregut të OST-së me email ose fax, pasuar nga një shkresë zyrtare, të përcaktuar nga operatori i tregut, një formular regjistrimi për pjesëmarrjen në treg. Formulari i regjistrimit duhet plotësuar sipas një modeli të botuar në Buletinin e OST-së, në faqen e saj në internet nga OST-ja dhe duhet të përmbajë: emrin e aplikuesit, adresën, kontaktin, pozicionin në tregun e energjisë elektrike, regjistrimin në organet tatimore, numrin dhe serinë e licencës të lëshuar nga ERE, të dhëna bankare, deklarimin e sasive të energjisë elektrike në MWh, listën e personave, të autorizuar për dërgimin dhe konfirmimin e dokumenteve, listën e personave të autorizuar për nënshkrimin e kontratave dhe faturave.
Aplikuesi për pjesëmarrje në tregun shqiptar të energjisë elektrike do t’i bashkëngjisë formularit të regjistrimit informacionin teknik, të miratuar nga OST-ja për palët dhe për vetëprodhuesit të pajisur me matës të energjisë elektrike komerciale (bazuar në Kodin e Matjes), që janë subjekt transaksionesh me çmime të negociuara lirisht. Një kopje të licencës për gjenerimin e energjisë elektrike ose një kopje të licencës për tregtimin ose furnizimin me energjinë elektrike, nëse është e zbatueshme. Dokumentin e lëshuar nga OST-ja dhe OSSH-ja, që jep akses në rrjetin e transmetimit ose shpërndarjes në ato raste që është e nevojshme. Një kopje të bilancit të fundit vjetor të certifikuar nga organet e tatim-taksave dhe përshkrimin e mjeteve të komunikimit.
Çdo palë e licencuar, që dëshiron të bëhet pjesëmarrëse në tregun shqiptar të energjisë elektrike, duhet të depozitojë në OST garancinë financiare për të gjitha shërbimet që sigurohen nga OST-ja, përfshirë tarifën për alokimin e kapaciteteve.
OST-ja do të krijojë dhe do të mbajë Regjistrin Tregtar. Pjesëmarrësit e tregut shqiptar të energjisë elektrike të pranuar nga OST-ja do të regjistrohen në Regjistrin Tregtar.
Informacioni i Regjistrit Tregtar duhet bërë i disponueshëm për Operatorin e Tregut të OST-së.
Regjistrimi në tregun e energjisë bëhet brenda 10 ditëve punë nga marrja e dokumenteve të regjistrimit, OST-ja do të verifikojë të dhënat e aplikimit dhe dokumentet. OST-ja do të dërgojë njoftim për pranimin e aplikimit për regjistrim në tregun e energjisë elektrike ose jo.
Pas zbatimit të kërkesave të regjistrimit, OST-ja do të regjistrojë pjesëmarrësin në regjistrin e palëve dhe do të nënshkruajë marrëveshjen e pjesëmarrjes në treg.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes për pjesëmarrjen në treg nga përfaqësuesi i autorizuar i palës kërkuese, regjistrimi si pjesëmarrës i ri i tregut bëhet efektiv në datën e zbatimit të saj. OST-ja do të publikojë në faqen e vet të internetit një listë të palëve të regjistruara me informacion mbi emrin, numrin e identifikimit, datën e regjistrimit dhe statusin (tregtues, furnizues që furnizojnë me energji elektrike vetëm vendet e konsumit të tyre, datën e tërheqjes, datën e pezullimit, etj.)
Çdo palë është e detyruar t’i dërgojë informacion operatorit mbi ndryshimin e informacionit të dhënë në regjistrim, brenda 6 ditëve punë nga ndodhja e ndryshimit. OST-ja do t’i regjistrojë zyrtarisht të gjithë pjesëmarrësit e tregut në tregun e energjisë elektrike.
Për t’u bërë pjesëmarrës i tregut shqiptar të energjisë elektrike, një aplikues, duhet të jetë regjistruar nga OST-ja dhe duhet të ketë licencë nga ERE.

Tregu transitor i energjisë, si do të funksionojë
OST do të ruajë funksionin e operatorit të rrjetit të transmetimit dhe do të ketë edhe funksionin e operatorit dispeçerues të sistemit. Operatori i Sistemit të Transmetimit është përgjegjës për dispeçerimin e energjisë elektrike nga centralet prodhuese dhe përdorimin e linjave të interkoneksionit, pa ndikuar në detyrimet kontraktore të furnizimit me energji elektrike. OST nuk ka të drejtë të blejë dhe të shesë energji elektrike, përveç rastit për mbulimin e humbjeve të energjisë. Operatori i Sistemit të Transmetimit shkëmben ose ndan shërbimet e balancimit me operatorët e sistemit të transmetimit të shteteve fqinje për rregullimin e frekuencës brenda rrjetit, në përputhje me marrëveshjet operacionale ndërmjet operatorëve të sistemit të transmetimit të rajonit. OST do të kryejë të gjithë funksionet e tjera që i caktohen nga rregullat e tregut. OST-ja në funksionin e saj si operator tregu, ka struktura përgjegjëse për menaxhimin e tregut të energjisë elektrike dhe përgatitjen e pasqyrave financiare, për shlyerjen e detyrimeve të ndërsjella, për pjesëmarrësit e tregut, pa përfshirë blerjen apo shitjen e energjisë elektrike.
Operatori i Shpërndarjes, OSHEE, ka në pronësi sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike në tension të lartë, të mesëm dhe të ulët, me qëllim livrimin e saj te klientët, ku kufiri i tij me sistemin e transmetimit. I siguron, pa pagesë dhe mbi bazën e një marrëveshjeje, çdo furnizuesi të energjisë elektrike, akses në të dhënat e matjes për klientët, me të cilët furnizuesi ka nënshkruar një kontratë furnizimi.
Nga ana tjetër, furnizuesit që blejnë energji elektrike për furnizimin e klientëve fundorë në tregun e brendshëm do të lidhin kontrata furnizimi me klientët fundorë, me çmime të
parregulluara, të negociuara ndërmjet furnizuesit dhe klientit fundor në përputhje me rregullat e tregut dhe kushtet e përgjithshme për furnizim të miratuar nga ERE.
Do të kontraktojnë energji elektrike nga tregtarët dhe prodhuesit ose nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, për aq sa i lejohet vetëm këtij të fundit.
Furnizuesi i Shërbimit Universal, si furnizues që i është vendosur detyrimi i shërbimit universal të furnizimit, si detyrim i shërbimit publik, siguron të drejtën e furnizimit me energji elektrike për një kategori të caktuar të klientëve me një cilësi të caktuar të furnizimit, me çmime të rregulluara
Në rastet kur Furnizuesi i Shërbimit Universal nuk mund të sigurojë sasinë e nevojshme nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, në përputhje me parashikimet e kontratës së rregulluar ndërmjet palëve, Furnizuesi i Shërbimit Universal ka detyrimin që të sigurojë sasinë e nevojshme të energjisë në tregun e parregulluar. Furnizuesi i Shërbimit Universal kompensohet nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike, për sasinë e siguruar në tregun e parregulluar, sipas diferencës ndërmjet çmimit të rregulluar të prodhimit të energjisë elektrike dhe çmimit mesatar të bursës hungareze HUPX, për periudhën në të cilën është kryer livrimi i energjisë, për produktin/profilin në
bandë, siç publikohet në website-in e kësaj burse.
Prodhuesit do të respektojnë rregullat e tregut në cilësinë e palës tregtare, dhe do të kontraktojnë në treg të lirë për eksportin e energjisë elektrike me çmime tregu.
Prodhuesit me përparësi do të respektojnë Rregullat e Tregut në cilësinë e palës tregtare, dhe çdo prodhues i energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me fuqi të instaluar deri në 15 MW për të gjitha centralet e ndërtuara prej shoqërisë, i cili përfiton nga mekanizmi i tarifës fikse të shitjes (feed-in tariff) ka të drejtë të kontraktojë për blerjen e energjisë me kompaninë që ka detyrimin të blejë energjinë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme sipas marrëveshjes së miratuar nga ERE-ja.
Tregtarët si njësi komerciale që tregtojnë energji elektrike do të blejnë dhe shesin energji elektrike me shumicë. Do të tregtojnë energji elektrike nga importi ose për eksportin ose prodhuesit, ose nga shoqëria e prodhimit të energjisë elektrike e ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik). Deri më tani tek Operatori i tregut në OST janë licencuar 30 kompani, kryesisht tregtarë të energjisë.

/MONITOR.AL/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej