Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Letër kryeministrit, nga një shkrimtar në tentativë

Nga Media 0

Nga Liridon Mulaj

Nisur nga ngjarjet e fundit në vënd ku çeshtja kryesore mbetet protesta e studentëve, më lindi nevoja të shkruaja dy rreshta për të shprehur atë çka prej kohësh jam munduar ta shpreh me forma e trajta më të tkurrura e deri diku ironike. Qasja ironike ndaj situatave të ndryshme në këtë vënd nuk pasqyron shpesh gjëndjen që në të vërtetë ndodhemi apo ambiciet e tentativat për t’u dukur mospërfillës ndaj saj por cektësinë e përgjumjen mendore e morale në të cilën ky komb ka rënë prej vitesh, pjesë e të cilit jam dhe unë. Autokritikë që para se t’ua adresoj bashkëkombasve të mi, e filloj nga vetja si nevojë për ndryshim serioz e qasje të drejtë ndaj çdokujt.

Kjo protestë e cila për kaq kohë ka marrë vëmëndjen e të madhit e të voglit në këtë vënd nuk do ndodhte nëse në kohën e duhur dhe momentin e duhur do merrte vëmëndjen e vetëm një njeriu, të tënden e kjo përveçse të bën fajtor duhet të të kujtojë dhe sesa peshë kanë vendimet e tua shpesh të nxituara në jetën dhe mirëqënien e këtij populli të vuajtur e të nënshtruar.

Kjo ‘’gjëmë’’ e jotja dhe e besoj që e tillë është për ty duke parë sesi të është kthyer në boomerang , nuk do shkaktohej nësë ligji i famshëm i arsimit do kopsitej me pjesmarrje më të gjërë specialistësh të fushës arsimit sesa me spcialistë të zhvatjes nëpërmjet ndërhyrjeve të pallogjikshme dhe me baza të forta interesi vetjak dhe këtu dua të përmend futjen në ligj dhe barazinë mes privatit dhe publikut.

Është kjo ‘’ gjëma’’ e cila e parë nga dy këndvështrime, në njërën je ti që të janë tundur themelet e pushtetit, dhe nga ana tjetër ekonomia e prindërve dhe studentëve që përveç shkundjes së xhepave nuk njeh as tundje e as shkulje. Eshtë frika jotë në një krah përballë qindra mijëra studentëve dhe të ardhmes së tyre.

Të kërkoj si qytetar i këtij vëndi të dorëzosh egon e sëmurë e përkthyer në sjellje patetike dhe të ulesh e të mendosh vërtetë siç duhet për zgjidhjen e këtij ngërçi. Përulja përpara studentëve në të mirë të kombit dhe të ardhmes nuk është kurrë përulje morale e as nënshtrim i figurës tënde prej kreut të shtetit por është një hap i madh i yti që pas kaq kohësh mund ta hedhësh denjësisht në rreshtat e para të një historie të denjë, të një kthese historike drejt të qënit lider demokratik në thelb e si rrjedhojë dhe shtet i tillë.

Më kujtohet në vitin 2003 kur fushata jote për t’u zgjedhur së dyti kryetar bashkie ishte ngjarja dhe qasja më europiane që shqiptarët e mësuar me retorika e metodika të vjetëruara kishin parë. Më kujtohet në atë kohë si 17-vjeçar, mburresha para babait dhe shpesh në debate politike me të i thoja se intelektualët e kohëve të shkuara kanë dalë jashtë mode dhe se modeli yt ishte kaq frymëzues për ne të rinjtë. Po çfarë ndodhi? As ti dhe as miti i një europiani të thekur nuk arritët të kapërcenit ethet e të qënit i pushtetshëm dhe krenar në një vend ku ndër vite bash të pushtetshmit e kishin shkatërruar.

Zoti kryeministër, të kam admiruar për elokuencën dhe lirshmërinë në të cilën ti kundërshtoje hapur bindjet komuniste të babait tënd dhe kjo më beso për ne të rinjtë që u rritëm me imazhin tënd ishte akti më thelbësor drejt një lirie mendimi të thellë e arsyetimit vetjak duke u zhveshur nga dogmat e kohës të cilët etiketonin etër dhe bij si të të njëjtit konstrukt ideologjik. Pushteti, kjo rrobë e lakmuar qe shndërrohet në cipë mbështjellëse nuk të kurseu as ty dhe as parimet tua europiane tashmë të harruara dhe më beso në një vënd ku idhujt janë të pakët, nuk është shans që i jepet kujtdo. Ti si askush tjetër, kishe në dorë që historia e vërtetë e një shteti demokratik larg prej hijeve të komunizmit e hienave të dhjetorit të cilën demonstratën studentore së bashku më 200 mijë studentë e përdorën si instrument për të ardhur në pushtet, të fillonte me ty. Por jo, zgjodhe të jesh palë dhe pasardhës i përbuzjes dhe përçmimit të këtij vëndi, në vrazhdën e shfrytëzimit shumëvjeçar.

Kam votuar për ty zoti kryministër në zgjedhjet e 2013 si qindra e mijëra të zhgenjyer në këtë vënd e të gënyër më pas pikërisht nga ti, ‘’shpëtimtari’’ ynë imagjinar .

Një thirrje nga unë, një shkrimtar në tentativë i cili prej ditës së parë kam qënë në protestat e studentëve dhe do vazhdoj të jem deri sa kjo çështje të zgjidhet në favorin e tyre. Historia z. kryeministër është vërtetësi në kohëra dhe si e tillë herë pas here ta shtrin dorën e pajtimit dhe deri diku korrigjimit të së shkuarës prandaj dhe unë , të bëj thirrjë si qytetar, si student apo dhe si shkrimtar i cili përtej zhgënjmeve ka vendosur që jetën ta ndërtojë në vëndin e tij, hiq dorë nga krenaria boshe, merr përsipër fajin dhe ndërto dalëngadalë të ardhmën e rinisë duke marrë vendimet e duhura. Hiq dorë nga memet apo ironitë ndaj studentëvë të cilët janë më se të lodhur nga ky sistem që u ndërtua nga ju dhe po aplikohet nga peshkaqenët me kollarë të cilët përfaqësojnë ty në bordet e administrimit , duke të tërhequr vëmëndjen se nuk është koha për meme tashmë.

Po të citoj të madhin Kadare që si ti po ashtu dhe unë e admirojmë fort – “Të rrish kokëulur nuk do të thotë të rrish pa dinjitet . Përkundrazi , pa dinjitet gjykohen ata që në një ceremoni varrimi zgërdhihen’’.

Ti dole nga zhgualli i realitetit në të cilin ishe rritur si ‘’ biri ‘’ i revoltuar i një babai me parime të gabuara komuniste dhe për këtë u vlerësove gjërësisht nga opinion publik prandaj sa je në kohë z. kryeministër, dua të të kujtoj se koha kalon shpejt ndërkohë që historia gjykon ngadalë dhe ashpër.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej