Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Ky shtet ka dy standarte. Ja përse…

Nga Media 0

Nga Blendi Fevziu

Dje në mbrëmje vonë, disa prej portaleve ende në punë njoftuan se forcat policore të antiterrorit kishin shoqëruar në komisariat, Kastriot Myftarajn, një person publik, të cilit mund t’i vendosësh më shumë se sa një epitet dhe me të cilin në thuajse 100 përqind të rasteve as unë dhe as shumë vetë nuk janë dakord. Sipas njoftimit të policisë, Myftaraj ishte ndaluar për një shkrim kundër ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, shkrim që sipas policisë nxiste urrejtjen dhe dhunën. Nuk e kam lexuar shkrimin e Kastriot Myftarajt.

Pothuajse nuk kam lexuar asnjë shkrim të tij, por e kam ndjerë zhurmën që përcjellin ato në publik. Një miksim paranojash, shpifjesh, sharjesh, fyerjesh, trillimesh, e herë herë edhe kërcënimesh. Di që ca vjet më parë ka botuar një libër afro 900 faqe kundër meje. I fundmi një serie shkrimesh që me siguri kanë qenë shumë më të ashpër dhe më fyes se sa ky ndaj ambasadores Vlahutin. Por, si kam dhënë asnjë rëndësi të gjitha këtyre. Nuk i kam marrë kurrë seriozisht, por sot më duhet të them se ndalimin e tij nga policia e kam marrë dhe e konsideroj shumë serioz. Jo se më dhimbset Myftaraj, as që e vleresoj atë. Por, se ndalimi i tij dëshmon se ligji është selektiv dhe pikërisht për këtë arsye i padrejtë dhe i paaftë të krijojë drejtësi. Ka dy arsye që përse e mendoj këtë. E para, shkrimet e Myftarajt kanë qenë të mbushura me fyerje dhe me sharje edhe për persona të tjerë publikë në Shqipëri. Dyshoj që të ketë ndonjë politikan apo njeri mediatik që t’i ketë shpëtuar mllefit të tij. Dhe kjo jo sot, por për vite me radhë.

Një herë diku nga fillimi i viteve 2000 ai u ndalua dhe u gjykua për nxitjen e urrejtjes fetare, në mos gaboj, por ky ishte i vetmi rast. Një rast që nuk e kam ndjekur me detaje dhe nuk di ta vlerësoj. Por, në gjithë rastet e tjera, as antiterrori, as prokuroria, as shoqata gazetarësh dhe as NGO që protestojnë për ccdo gjë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim kundër tij. As deklarata dhe sqarime dhe jo më rrugët normale ligjore që mund të merreshin në këtë rast për të mbrojtur individët e cënuar. Në rastin që sulmet e tij cënuan një ambasadore të huaj shteti veproi. Ky është një standart tipik i dyfishtë. Ligji o është i barabartë për të gjithë, ose jo. Ai nuk mund të mbrojë një ambasadore dhe të lerë jashtë një tjetër për të vetmen arsye se është nënshtetas shqiptar. Myftaraj mund të ishte përgjigjur para ligjit shumë herë, por këtë herë po përballet jo për fjalët e tij, por për hir të frikës dhe kompleksit që kemi ndaj të huajve.

E dyta, ligji nuk ka vepruar njësoj për të gjithë. Myftaraj është një prej atyre që i ka të mbushur shkrimet e tij me fyerje, por sa të tjerë sorrollaten në shtypin shqiptar me duart ne xhepat e mbushur me dinamit? Sa derdhin helm, madje edhe m… mbi kokat e personave publikë apo jo? Sa shpifin dhe nxitin urrejtje pa asnjë kriter deri mbi fëmijë të porsalindur apo adoleshentë, mëkati i vetëm i të cilëvë është se prindërit e tyre janë persona publikë? Sa veta shkaktojnë trauma të përditshme në familje dhe nxisin një hakmarrje të heshtur, por vrastare vetëm nga kënaqësia që po i bien në qafë dikujt, ose nga xhelozia që nuk kanë arritur atë që ka arritur preja e tyre. A ka marrë masë ndonjë organ ligjzbatues ndaj tyre? A është shoqëruar ndonjë prej tyre në polici? A ka pasur ndonjë gjykatë që të marrë një vendim të drejtë pa pasur frikë nga shtypi apo nga politika që e përdor atë! Jo, asnjë rast! Ndaj ndalimi i Myftarajt është selektiv.

E treta, a janë të mbushur komentet e portaleve me mllef dhe neveri. A ka aty përditë thirrje të hapura për dhunë, vrasje, djegie, mallkime dhe deri kërcënime direkte ndaj personave të njohur. A ka vepruar qoftë edhe një herë të vetme ligji kundër tyre? Asnjëherë. Edhe kur Majlinda Bregu kërkoi një rregullim ligjor në këtë drejtim të gjithë qenë kundër saj. Ndaj ndalimi i Myftarajt është selektiv, sepse duhej të kishte ndodhur shumë herë me persona të tjerë.

E fundit, po jo më pak e rëndësishmja, po kaq acaruese, arrogante, nxitëse urrejtjeje dhe mllefi është edhe gjuha e politikanëve. Fjalimet e tyre në parlament apo jashtë, postimet në facebook janë të shpesh më të këqia se sa shkrimet e gazetarëve më të pistë. A është dënuar ndonjë prej tyre për këtë? A ka mbajtur njeri përgjegjësi për shpifjet dhe mashtrimet e tij? Thuajse asnjëherë! Është thënë gjithnjë “kjo është politikë”, thuajse politika toleron edhe shkeljen e ligjit apo qëndron mbi të. Dhe kur kjo gjuhë politikanësh të papërgjegjshëm, mashtrues dhe ordinerë vjen në shtyp, faji kalon tek ai. Ndaj pa u përgjigjur qoftë edhe një prej shpifësve, ndalimi i Myftarajt mund të konsiderohet selektiv. Ndaj sot, si një prej atyre që më shumë se të tjerë ka qenë në qendër të sulmeve dhe shpifjeve të Myftarajt, jam gati të them, se kur e drejta është selektive, ajo nuk është më drejtësi, por padrejtësi!

/opinion.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej