Ka than' i moçmi: 

Njeriu i lig i ngjan thesit të qymyrit: jashtë i zi, brenda akoma më i zi”.

                          -Sami Frashëri

Kush është Tom Kuka, autori misterioz që po çmend shqiptarët

Nga Media 0

2 vite më parë, a thua se e kishim parandjerë, në prag të Panairit të Librit, jo më kot ju sugjeruam librin “Hide mbi kalldrëm”, të shkrimtarit Tom Kuka; një libër për Shqipërinë e viteve ’30, që më në fund pati një emër, një qeveri dhe një kryeqytet, i cili shpalosej përmes një rrëfimi mjeshtëror, ku ndihej kutërbimi i kanalizimeve në qiell të hapur, i djersës, ndiheshin qentë që rrëmonin rrugëve, ndihej era e sapunit dhe gatimeve në shtëpitë përdhese.
Tom Kuka, që shpalosi tek “Hide mbi kalldrëm” një tablo groteske e njëkohësisht mallëngjyese të një Shqipërie të skamur, të uritur dhe të nëpërkëmbur, është pseudonim, pasi identiteti i vërtetë nuk njihet. Misteri është akoma më i madh, pasi në një intervistë në 2016-n, Tom Kuka tha për “pasqyrë.al” se publiku e njeh, mirëpo ai ka zgjedhur të mos e zbulojë emrin duke u shprehur se “dëshiron që njerëzit ta lexojnë librin, sepse e pëlqejnë, pa u nisur nga emri që ka në media, politikë, sipërmarrje apo kudo.”

Pas librit të parë që bëri bujë, i pyetur se kur do të ishte gati trilli i radhës, përgjigjja ishte e thukët: “Është dimër përpara, shporreti ka nevojë për zjarr. A e mendon sa letra duhen djegur për ta ndezur?”. Mesa duket, Tomës i janë dashur plot 2 vite, pasi romani i dytë ka vetëm pak ditë që është botuar.

Quhet “Gurët e vetmisë” dhe është i ndërtuar duke gërshetuar të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, të cilat rrjedhin lirshëm me njëra-tjetrën, në një kohë të pakohë.

Subjekti i romanit ndërtohet mbi masakrën e Paramithisë, në të cilën 72 burra të ndershëm të familjeve më të njohura çame u thirrën nga mitropoliti grek kinse për të vendosur paqen mes tyre. Asgjë nuk ndodhi, ata u prenë në besë dhe u vranë në përroin e Selanit. Armiku ka vetëm një qëllim – të kërkojë zhdukjen e tyre, të ndërrojnë gjuhën, emrin, të asimilohen deri në atë pikë sa t’u shuhet fara.

Një rrëfenjë epike për gjithë ç’ndodhi një shekull më parë në tokat shqiptare. Megjithatë, sigurisht që nuk mungon tipari i universalizimit, pasi historia mund të jetë historia e çdokujt, e çdo kombi të tradhtuar e të braktisur.

Drejtuesja e shtëpisë botuese “Pegi”, që thekson se nuk e ka zakon të rekomandojë libra, pasi shijet janë të ndryshme, shprehet se “Gurët e vetmisë” është një ndër librat më të mirë që ka botuar ndonjëherë, sidomos në lidhje me letërsinë shqipe.

“Është një rrëfim që të mbërthen, në një peizazh shqiptar, me një aromë të fortë jugu, ullinjtë, gatimesh shqiptare, në një fshat ku të vdekur e të gjallë sillen bashkë mes ngjarjesh të trishta e gazmore, mes traditave dhe bestytnive, dashurive… Pa u bërë patriotik, pa marrë përsipër asgjë, pa i zënë, madje as emrin në gojë, autori rrëfen për një dramë të madhe: maskarën e Çamërisë,” shkruan ajo në Instagram.

Ashtu si po themi Erion Veliaj, që përmes një postimi në Twitter tha se udhëtimet e gjata shijojnë më së miri duke lexuar faqet e “Gurët e vetmisë”, edhe ju mund të bëni të njëjtën gjë. Një libër i mirë është gjithmonë zgjedhja e duhur.

Dhe diçka në fund – nëse ndiheni “të mashtruar” që ende nuk e zbuluat se kush është Tom Kuka në të vërtetë – referuar fjalëve të autorit, letërsia është një ishull i qashtër, ku nuk ka pse futen njerëz që kërkojnë namin e mirë të spektaklit!

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej