Ka than' i moçmi: 

"E çka duhet me ba ma tepër për me kenë shqiptar?!"

Dom Ndre Zadeja

Kur varej poeti…

Nga Media 0

Nga Ilir Seci

Njezetë e shtatë vjet më parë, më 10 gusht 1988, në qytetin e Kukësit u ekzekutua me varje publike, poeti Havzi Nela. Varja u krye pak kohë para rrezimit të Murit të Berlinit, dy vjet para “ndryshimeve demokratike” në Shqipëri. Ky monstruozitet ndaj poetit Havzi Nela përbën varjen e vetme publike të një poeti në krejt kontinentin evropian mbas luftës së dytë botërore! Ekzekutimi publik i poetit ishte një demostrim tipik stalinist me synim ngjalljen e terrorit! Kjo varje publike është dëshmi e qartë se sa e gatshme për ndryshime ishte Byroja Politike e Ramiz Alisë…

Poeti Havzi Nela ishte i fundit shkrimtar shqiptar që u dënua me vdekje nga diktatura e përbindshme enveriste, por para tij ishin dënuar me pushkatime, kishin vdekur me duart e hetuesve, në qeli burgjesh apo kampe internimesh, me dhjetëra krijues, poetë, prozatorë, piktorë, muzikantë…

Të gjithë këta krijues janë dënuar me aprovimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë! Të asaj Lidhje Shkrimtarësh dhe Artistësh që në status themeltar shkruante se ishte krijuar për të mbrojtur krijuesit! Në fakt drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtareve i aprovuan dhe i firmosën këto dënime sepse vete drejtuesit e LSHA-se ishin pjesë e atij sistemi… Havzi Nela dhe krijuesit e tjerë që u martirizuan ishin avangardë e shoqërisë, ishin njerëz me kurajo të madhe që nuk pranuan të heshtin dhe u martirizuan për lirinë dhe të drejtën, kërkuan dritën, nuk u trembën por plot kurajo ju kundërvunë diktaturës! …

Ata janë martirë të demokracisë!

Një demokracie që për fat të keq është ende larg…

Për fat të keq këto 25 vite të ashtuquajtura demokraci, opinioni i gjerë publik shqiptar, i zënë ngushtë me hallet e përditshme të mbijetesës, nuk arriti asnjëherë të bënte diferencën mes sistemeve sepse në pushtet si përfaqesues të demokracisë mbeten ish-komunistët, xhaketëkthyerit që shkëmbyen teserat partiake brenda natës! … Ish-anëtarët e partisë, ata me aktivët që kishte mbajtur gjallë diktaturën komuniste, ata që as e kishin kërkuar apo ëndërruar ndonjëherë demokracinë falë Katovicës uzurpuan partitë pluraliste! Kur u ra në dorë pushteti dhe drejtimi i vendit u erdhi si dhuratë, bënë atë që bëhet me një pushtet të falur: zhytën vendin në një korrupsion kanibalesk! … Kalimi nga diktatura në demokraci nuk u bë në format që njohën vendet tjera të Lindjes ish-komuniste… Për pasojë në Shqipëri asnjëherë nuk u krye një de-komunistifikim i shoqërisë siç u krye për shembull de-nazifikimi në Gjermaninë Perendimore fill mbas Luftës së Dytë Botërore… Në Shqipëri, Byroja Politike i shpëtoi fatit të Çauçeskut…

Drejtuesit e katapultuar në krye të partive të reja pluraliste ju përmbajtën motos “Të gjithë bashkëfajtorë dhe të gjjthë bashkëvuajtës! “… Nuk e di sa vlen kjo moto për martirizimin e Havzi Nelës!?…

Mbas 1992 Byroja Politike, dy shefat e krimit, Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha në vend që të dënoheshin për krime si varja e Havzi Nelës u “dënuan” për kafe! ?Nuk kishte si ndodhte ndryshe kur Ramizin dhe Nexhmijen i gjykuan po ata gjykates që dënuan Havzi Nelën me varje! Poeti i varur u harrua, drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve që dikur kishin aprovuar varjen e Poetit nxituan të shesin veten si të përvuajtur nga sistemi që vetë kishin krijuar! Havzi Nela provoi disidencën dhe u var në litar, kurse drejtuesit e LSHA mbas ndryshimeve pozuan disidencën dhe u mbuluan me dafina! A thua se këta drejtues nuk kishin qenë anëtarë të Komitetit Qendror të PPSH-së!?

… Për vite më rradhë asnjëherë të ashtuquajturat forca politike me pretendime të djathta dhe antikomuniste nuk dënuan për krime kundër njerëzimit përgjegjësit e varjeve dhe pushkatimeve të shqiptareve të pafajshëm, mes tyre dhe poetë e artistë… Sepse “Fitimtarët duhej të mbeteshin Fitimtarë! “, si pati shkruar nje poet soc-realist në vitin 1990… Kuptohet nga ata poetet “Bori të Partisë” që aprovuan varjen e Havzi Nelës… Misioni i uzurpatorëve “të djathtë” paska qenë që të mos lejonin të vendosej Drejtësia! … Si rezultat, sot si për ironi ndaj martirit lumjan, kemi kryeministër të birin e njërit nga drejtuesit e LSHA-së që firmosi varjen e Havzi Nelës ndërsa ministër të jashtem kemi të birin e ish-sekretarit të parë të Kukësit! Në demokraci edhe bijtë e krimineleve të kuq duhet të jetojnë normal si gjithë të tjerët por jo të drejtojnë! Të bijtë e Geringut, Gebelsit apo Himlerit në Gjermani as që kanë ëndërruar ndonjëherë të bëhen më drejtues shteti! Në Shqipëri ekuivalentet e tyre sot drejtojnë … Të pakten të kishin kërkuar ndjesë për bëmat kriminale të etërve! Gjë e cila nuk ndodhi asnjëherë! Asnjëherë nuk u vendos Drejtësia, asnjëherë nuk u qetësuan ndërgjegjet! Ata që çuditen pse gjërat nuk shkojnë mbarë sot në Shqipëri, përgjigjen duhet ta kërkojne këtu nga Drejtesia e munguar dhe Ndërgjegja Shoqërore e trazuar!

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej