Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Kur qentë të diktojnë rrugën…

Nga Media 0

Nga Kujtim Xhaja

E mërkurë…Mëngjes i ftohtë… në stacionin e lagjes sime… Në pritje të një autobuzi për në punë…
Dy fëmijë të vegjël, një vajzë dhe një djalë më kalojnë përpara syve. Me çanta të hedhura mbi shpinë, siduket po shkonin për në shkollë. Vajza dukej më e rritur, me sa shquajta, mund të ketë qenë në klasë të dytë, djali dukej më i vogël, me një trup më thatimë e imcak. Me një pamje aq të mirë dhe pafajshme…

Duke i kundruar me ëndje, shkova me mendime shumë vite pas…u përhumba…
Përhumbjen time e prishi një kërcim i vrullshëm i një qeni endacak. Ai po vërtitej drejt nesh, sikur të kish parë të zotin. Nuk po kuptoja ku e kish drejtimin…Në atë çast dëgjohet zhurma e autobusit, turma e njerëzve me merr përpara…Hipi në autobus dhe me shqetësim bëj të vështroj nga fëmijët…

Ç’të shoh! Qeni ish drejtuar drejt tyre…Si fillim dukej sikur po argëtohej me ta, po lozte. Ish një qen i madh, në një ngjyrë kafe të errët, i mbajtur mirë. Ai filloi t’i ndiqte fëmijët deri përtej rrugës.

Vajza e vogël mbante në një dorë një qese me ushqim, e në dorën tjetër një çadër të kuqe shiu…
Ajo bën ca lëvizje të ngutura, sikur do ta trembë dhe çadra në atë çast bëhet ngushëllimi i vetëm mbrojtës, por nga ana tjetër qeni as donte t’ia dinte për ato lëvizje. Rruga ishte e shkretë… ishin ata fëmijë dhe ai qen…

Situata bëhet serioze…Qeni fillon të humbasë durimin dhe i kundërvihet me sulm më të voglit. Bën dy ngritje në këmbë si akrobat dhe i hidhet dy herë përmbys, sikur do ta mposhtë. Vajza i tregon bishtin e çadrës, e drejton me forcë drejt qenit, ky i fundit vazhdon përpjekjet e tij me djaloshin e vogël. I mbërthen krahun, me zor ia lëshon.Vogëlushja përpiqet të ndryshojë rrugë, të ndryshojë drejtim.

Autobuzi kish mbetur në trafik, më kap një ankth i brendshëm…Dëshiroja me çdo kusht të ndihmoja ata fëmijë të vegjël, të cilët ishin nisur për në shkollë, por një qen endacak s’po i linte rehat.

Shtyhem mes njerëzve për të dalë në krye…I them shoferit nëse ka mundësi të ndalojë, marr si përgjigje dy vetulla të ngrysura…e kuptoj që s’bëhet. Shoh sërish ata vogëlushë…Ata para, qeni pas…

Me shkathtësi vajza merr djalin përdore dhe detyrohet të kalojë matanë tek trotuari tjetër, bashkë me ta kthehem edhe unë nga ana tjetër e dritareve të autobusit…

Ai qen endacak tashmë e kish tepruar…dukej sikur ish kthyer në padronin e asaj rruge dhe vendoste rregullat…Me kokën e ngritur lart, bishtin përpjetë dhe me një qëndrim kryeneç ajo qenie iu kish diktuar rrugën dy fëmijëve të vegjël. I detyroi ata, të kalonin rrugën me plot rreziqe për moshën e tyre. Ai ish kthyer në të zotin e asaj rruge, ecte me mburrje, i qetë me kënaqësinë e fitimtarit.

Sytë e mi rishtas po ndiqnin ecejaken e tyre… Qeni i vërsulet të voglit me fuqi dhe e hedh përtokë, dëgjohet një qarje me dënese…

Vajza e vogël me një dorë i drejton çadrën qenit të egërsuar, me dorën tjetër ngre vëllain…Aty në ndihmë iu vjen një burrë i gjatë dhe i bëshëm, ai bërtet, seç thotë ca fjalë nëpër dhëmbë, i turret qenit me egërsi dhe ky i fundit ia mbath me të katra. Unë çlirohem dhe marr frymë lirisht!…

Duke vrojtuar atë ngjarje dhe me pamundësinë për të dalë nga ai autobus, e vetmja gjë që mund të bëja në ato çaste ish të mendoja, të reflektoja me vete:

“Vallë ç’faj kishin bërë sot ata dy vogëlushë, që të përndiqeshin në ditën me diell, në një nga rrugët kryesore të Tiranës, nga një qen endacak, i cili donte të plotësonte tekat e tij??”

Prindërit, nga ana tjetër i kishin dërguar në shkollë me mendje të mbledhur, e kush do ta mendonte se do bëheshin pre e përndjekjes së një qënieje me katër këmbë. Më të voglit iu desh të duronte edhe kafshimin dhe kacafytjen e tij.

Sa të sigurtë jemi ne sot nga këto krijesa, të cilat i kemi përherë me vete… ato t’i sheh syri kudo…në rrugë, në parkingje makinash, në trotuare, në qoshet e kateve të para të pallateve, por edhe brenda (njërin prej tyre e kam gjetur afër apartamentit tim në katë të gjashtë, kish kryer edhe nevojat e tij fiziologjike dhe të nesërmen, asnjë nga banorët e pallatit nuk merrte përsipër të pastronte vendin)…

Të vetmuar, të lënë pas dore, ata shpesh janë të padëmshëm, por herë të tjera mund të kthehen në një rrezik të vërtetë. Shpesh të pakontrolluar, të pavaksinuar ata përbëjnë kështu jo vetëm rrezik fizik, por edhe epidemik.

Ca të tjerë duket sikur disa vende i kanë “privatizuar”, i kanë bërë të tyret. Kur ndiejnë se një “prurje” e re, e panjohur shkel në juridiksionin e tyre, ata bëjnë batërdinë. Menjëherë, si ato getot e Brooklin-it ata bëhen bashkë, dhe me ca lehje të forta në kor, ditën apo natën qofshin, i vërsulen “të riut”. Si ato bandat e vërteta, qentë endacakë, të shumtë në numër, kanë përcaktuar mirë kufijtë e tyre dhe luftojnë për to!

E ndërsa ne njerëzorët, humanët c’bëjmë?

Ne, me raste kthehemi edhe në prenë e tyre, jemi dorëzuar plotësisht dhe iu kemi lejuar atyre t’na diktojnë rrugën edhe udhën….

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej