Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Kur grekët flisnin për miqësi të sinqertë Greqi-Shqipëri

Nga 27.al 1

Nga Arben Llalla

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë që nga krijimi i këtyre dy shteteve kanë njohur periudha të luftërave të heshtura, të miqësisë së mirë dhe të ngrirë. Janë ende të freskëta marrëdhëniet e akullta të dy vendeve në vitet 1994-1995 pas provokimeve greke në jugun e Shqipërisë dhe arrestimet e pesë minoritarëve grekë me akuzat për tradhti ndaj shtetit shqiptar.

Pasi Italia kishte pushtuar më 7 prill 1939 Shqipërinë, Greqia më 10 nëntor 1940 shpall dekretin mbretëror ligjin 2636 gjendjen e luftës me Italinë dhe Shqipërinë tashmë të pushtuar nga Italia fashiste e Musolinit. Pas pushtimit nga Gjermania, qeveria kuislinge e Greqisë që udhëhiqej nga kryeministri Jorgos Çolakoglu e heq ligjin e luftës. Por, me mbarimin e luftës qeveria e sapo formuar në vitin 1945 e rikthen këtë ligj famëkeq, të cilin Greqia i kishte shpallur Shqipërisë me një dekret të ri numër 13. Ligji i Luftës vazhdon të jetë ende në fuqi dhe në momente të caktuara i shërben politikës keqdashëse të Athinës, ndaj del në sipërfaqe.

Përzënia sistematike e çamëve nga trojet e tyre në vite deri në shpërnguljen e madhe në vitin 1945 ka sjellë acarimin e marrëdhënieve midis dy vendeve pa përfaqësi diplomatike në kryeqytetet e tyre në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore.

Në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946 Greqia kërkoi ndryshimin e kufirit me Shqipërinë duke kërkuar jugun e vendit, gjithashtu nuk pranoi që Shqipëria të konsiderohej aleat i vendeve fituese kundër fashizmit.

Në vitin 1949 ushtria e Greqisë vendosi forcat e saj në kufi për të hyrë në Shqipëri, atëherë pati shumë provokacione me të vrarë nga të dy palët dhe në historinë shqiptare këto ngjarje njihen si provokacionet e gushtit të 1949. Më 1968 marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës arritën deri në një luftë të hapur pas pretendimeve greke për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Në gusht të atij viti Greqia mbajti Kongresin e Vorio Epirit ku pjesëmarrësit dolën me deklaratën se Greqia duhet të çlirojë Vorio Epirin (Jugun e Shqipërisë) të pushtuar nga shqiptarët. Siç duket emocionet e suksesit të Kongresit çuan deri aty sa politikanët dhe ushtarakët grekë të bëjnë gafën e madhe duke mbledhur forca të mëdha ushtarake në kufi për të sulmuar Shqipërinë. Por, përgjigjia e Tiranës nuk vonoi. Kryeministri Mehmet Shehu bëri një tjetër deklaratë marroke, tek tha se për pak orë ushtria shqiptare do të pijë kafenë në Janinë, prandaj duhet të bëheni gati t’u shërbeni shqiptarëve. Më 1 shtator 1968 forcat e mëdha të ushtrisë greke u tërhoqën nga fronti njëherë e përgjithmonë, duke lënë vetëm ato forca ushtarake që i mbanin zakonisht për ruajtjen e kufirit. Këto do të ishin edhe përpjekjet e fundit të grekëve për pushtimin e jugut të Shqipërisë me pretekstin për mbrojtjen e “voriepiriotëve”. Që nga ajo kohë nuk ka pasur acarime të ngjashme midis dy vendeve.

Në vitin 1971 Kryetari i sapo zgjedhur i Republikës së Greqisë me anë të puçit ushtarak, koloneli Jorgos Papadhopulos, më 6 maj vendos për marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Shqipërisë. Që nga vitit 1939 e deri më 1971 Shqipëria dhe Greqia nuk kishin marrëdhënie diplomatike mes tyre. Iniciator për hapjen e ambasadave midis dy shteteve është koloneli me origjinë shqiptare arvanitasi Jorgos Papadhopulos. Nuk dihet pse diktatori ushtarak vendosi të bëjë hapin e parë për rifillimin e dialogut politik midis dy vendeve fqinje në një periudhë të vështirë provokacionesh. Në fillim u hap pika kufitare midis Follorinës dhe Kapshticës. Në vitin 1978 filluan edhe fluturimet e para të linjës ajrore midis Athinës dhe Tiranës.

Kopertina e revistes Shqiperi e Re, 1.6.1984.nr.1

Kopertina e revistës “Shqipëria e Re”

Nga dokumentat historike të dhjetëvjeçarit 1980-1990, mësohet se disa intelektualë grekë në shkurt të vitit 1980 morën përgjigje pozitive nga gjykata e Athinës për aprovimin e kërkesës së tyre për themelimin e shoqatës së miqësisë Greqi-Shqipëri. Në kryesinë e kësaj shoqate bënin pjesë Pandeli P. Pandeleon kryetar dhe anëtarët të kryesisë Kosta J. Dhrosaqi, Jani Gj. Glikofridhi, e të tjerë. Nënshkrimet për themelimin shoqatës së miqësisë Greqi-Shqipëri (Ελληνο-Αλβανικου Συνδεσμου Φιλιας), i kishin hedhur edhe shumë personalitet të mëdha të jetës politike dhe kulturore të Greqisë së viteve 1980. Kështu figuronte firma e deputetes së PASOK-t me origjinë shqiptare, Melina Mërkuri, ministre e Kulturës, kryetarët e bashkive të Pireos, G. Kiriaharakos, të Thivës K. Kurkutis, të Dafnis K. Mihalopulos, të Nea Smirnis K. Beklivanidhis, të Ymittu A. Lentakis, të Lavriu K. Pogas, e shumë kryetarë të bashkive të ndryshme të Greqisë. Kjo kërkesë është nënshkruar nga arvanitasi i shquar Aristidh Kola edhe shumë ministra të qeverisë së Greqisë të atij viti.

Nënshkrimet për themelimin e kësaj shoqate miqësore mbajnë datën e 28 marsit të vitit 1980. Themelimin e shoqatës e përshëndeti edhe kryetari i Federatës së Përgjithshme të Punëtorëve të Greqisë, Jorgos Ravdopulos i cili deklaroi: “Me bindje të plotë botuesi i revistës “Shqipëria e Re”, organ i shoqatës miqësi Greqi-Shqipëri, do të kontribuojë në përpjekjet për afrimin e popullit grek dhe atij shqiptar…”

Kerkesa e anetareve te shoqates drejtur qeverise greke per heqjen e Ligjit te luftes 28.10.1985

Kërkesa e anëtarëve të shoqatës drejtuar qeverisë greke për heqjen e Ligjit të luftës

Në vitin 1983 kryeministri i Greqisë Andrea Papandreu do të deklaronte: “Nuk e di çfarë kanë bërë miqtë dhe fqinjët tanë shqiptarë. Nuk e kisha nderin të vizitojë vendin e tyre. Por, ai është një vend ku mund të flitet për socializmin, sepse për Shqipërinë, Shqipëria është e tërë bota”. (Botuar në gazetën greke “TA NEA”, më 3.6.1983)

Gjatë një fjalimi në Janinë më 23 shkurt të vitit 1984 kryeministri Andrea Papandreu deklaroi se Greqia nuk kishte pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, por i kërkonte Tiranës respektimin e minoritetit grek.

Pavarësisht nga këto deklarata Greqia vazhdonte të ushqente pretendimet e saj ndaj Shqipërisë. Ajo për çdo vit mbante Kongresin për Vorio Epirin, përkrahte me të holla dhe propagandë shoqatat e organizatat që luftonin për aneksimin jugut të Shqipërisë. Ish-kryeministri grek, Andrea Papandreu ishte mjeshtër në politikën e fqinjësisë së mirë me vendet lindore dhe vendet e botës së tretë që në emër të komunizmit shtypnin popujt e tyre. Ai mbante bazat amerikane në Greqi, por ruante edhe një miqësi shumë vëllazërore me Gadafin dhe Libinë e atyre viteve që ishte cilësuar si vendi që përkrahte terrorizmit.

Në qershor të vitit 1984 shoqata e miqësisë Greqi-Shqipëri nxori në qarkullim numrin e parë të revistës së saj me emrin ““Shqipëria e Re””(η νεα αλβανια), e cila u botua deri në numrin e katërt të saj. Nisma e parë e shoqatës ishte kërkesa për heqjen e ligjit famëkeq të luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë që ishte miratuar nga Kuvendi i Greqisë më 10.11.1940 dhe vazhdonte të mbetej në fuqi. Çudia ishte se shumica e nënshkruesve për themelimin e shoqatës dhe kërkuesit për heqjen e ligjit të luftës, kur bëheshin ministra e harronin shoqatën dhe kërkesën e parë të tyre për heqjen e ligjit të luftës midis dy vendeve, ligj që ende është në fuqi dhe qëndron mbi kokat e marrëveshjeve të shumta miqësore Greqi-Shqipëri.

Revista Shqiperi e Re, foto Andera Papanderu dhe Adil Carcani

Revista “Shqipëria e Re”, në foto Andera Papanderu dhe Adil Çarçani

Kryetari i shoqatës Pandeli P. Pandeleon për të arritur qëllimet e shoqatës trokiste në çdo derë qeveritari deri tek kryeministri i Greqisë të atyre viteve Andrea Papandreu.

Bashkëpunëtorët më të ngushtë për botimin e revistës “Shqipëria e Re” ishte arvanitasi Jorgo Maruga, kryetar i Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë, si dhe shqiptari nga Voskopoja i cili në vitet 1950 ishte arratisur nga Shqipëri për në Greqi Kristo Zhakarlliu që shkruante me pseudonimin Voskopojari. Kjo revistë bënte një propagandë të madhe në të mirë të Shqipërisë, ndër to reklamonte librat që lexuesi grek duhet të lexonte në lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët, ndër to veçohet libri: “Shqipëria, vendi i trimave” i autorit Ilia Hroni.

Kur doli numri i parë i kësaj reviste më 1 qershor të vitit 1984 Pandeli P. Pandeleon shkoi në ambasadën e Shqipërisë në Athinë për të dhuruar disa kopje. Punonjësit e ambasadës shqiptare pasi lexuan revistën mbetën të kënaqur nga shkrimet që ishin botuar dhe diplomati shqiptar Ksenofon Nushi i premtoi se për çdo numër do të bliheshin 200 kopje me dy dollarë copën. Ato vite shpenzimet e për botimin e çdo numri të revistës “Shqipëria e Re” kushtonte vetëm 200 dollarë. Pas pak ditësh ambasada e Shqipërisë në Athinë në shenjë mirënjohje e fton Pandeli P. Pandeleon të bëjë një vizitë 15 ditore në Shqipëri. Nga vizita 15 ditore që kreu në vendet më të bukura të Shqipërisë Pandeli P. Pandeleon mbeti shumë i gëzuar dhe kur u kthye në Athinë nxitoi të botonte numrin e dytë të revistës që drejtonte në emër të shoqatës së miqësisë Greqi-Shqipëri. Pas daljes së numrit të dytë Pandeli P. Pandeleon me 200 copët e revistës vrapoi për në ambasadën e Shqipërisë për t’i dhënë revistat sipas premtimit që kishte marrë nga diplomatët shqiptarë, por kësaj here diplomatët shqiptarë refuzuan blerjen e revistës. Pas kësaj të papriture Pandeli P. Pandeleon u largua nga ambasada i zhgënjyer dhe i pashpresë. Por, zhgënjimin më të madh e mori kur nga Ministria e Kulturës së Greqisë refuzoi financimin e revistës me pretekstin se një botim i tillë nuk ishte brenda kuadrit Kushtetues.

Borxhet e shumta të shoqatës dhe të revistës bënë që shoqata e miqësisë Greqi-Shqipëri të mos funksiononte më dhe revista e saj “Shqipëria e Re” të mbyllej dhe të mos dëgjohej më as për njeriun miqësor Pandeli P. Pandeleon.

Megjithëse jetëshkurtër shoqata dhe revista “Shqipëria e Re” hynë në historinë e përpjekjeve të disa njerëzve për të ndërtuar një miqësi të mirë dhe të vërtetë mes dy vendeve. Iniciatori dhe përkrahësit e tij kërkonin që qetësia dhe miqësia të mbretërojë midis njerëzve e dy fqinjëve shekullorë. Historia e themelimit të shoqatës së miqësisë Greqi-Shqipëri dhe botimi i revistës “Shqipëria e Re” sot na duket diçka e çuditshme, kur dihen marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, marrëdhënie që shpeshherë nxehen nga një dashuri e zjarrtë dhe shpeshherë ftohen, ngrijnë, për të arritur më tej deri në hakmarrje të grekëve ndaj emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej disa vitesh në Greqi duke u grisur pasaportat e lejet e qëndrimit.

Arvanitasi Pandeli P. Pandeleon me punën e tij shembullore për afrimin midis dy popujve arriti që t’u tregojë popullit dhe politikanëve grekë se Shqipëria e shqiptarët janë njerëz mikpritës. Përpjekjet e tij dhe të përkrahësve të tjerë për heqjen e ligjit të luftës bënë që qeveria greke e drejtuar nga Andrea Papandreu në vitin 1987 të dekretojë një ligj për heqjen e gjendjes së luftës, por ky ligj nuk u aprovua kurrë nga Kuvendi i Republikës Greke.

Kush ishte iniciatori i themelit të shoqatës miqësi Greqi-Shqipëri

Iniciatori për themelimin e Shoqatës së miqësisë Greqi-Shqipëri ishte Pandeli P. Pandeleon, arvanitas. I lindur në fshatin Perahora që banohet nga arvanitasit të krahinës së Korinthit ishte krenar për prejardhjen e tij shqiptare dhe kishte një dashuri të madhe për Shqipërinë. Ai mori pjesë në luftën antifashiste dhe luftoi për çlirimin e Greqisë disa vjet në male. Pas çlirimit për idetë e tij të majta u internua për 20 vjet me radhë duke bredhur nga njeri ishull në tjetrin. Sipas shënimeve të Kristo Zharkalliut: “Pandeliu sa më shumë e rrihnin, aq më i vendosur bëhej. Kur e qëllonin në kokë me ndonjë dru, i kujtoheshin gjërat që kishte harruar prej kohësh.” Ndërsa arvanitasi Jorgo Maruga për Pandeliun thoshte: “Pandeliu kishte ngrënë më shumë dru, se sa bukë në jetën e tij.”

Me rënien e diktaturës së kolonelëve në vitin 1973 Pandeliu filloi aktivitet e tij për afrimin e dy popujve fqinjë me njëri-tjetrin duke themeluar Shoqatën e miqësisë Greqi-Shqipëri (Ελληνο-Αλβανικου Συνδεσμου Φιλιας) dhe revistën “Shqipëria e Re” (η νεα αλβανια). Pas mbylljes së revistës “Shqipëria e Re”, Pandeliu bëri përpjekje për botimin e një reviste të re me emrin “Dy popuj miq”, një emër ndoshta i frymëzuar nga vepra e Enver Hoxhës, i cili pak kohë para se të vdiste botoi një libër me të njëjtin titull. Por, edhe botimi i kësaj reviste mbeti vetëm një projekt në shpirtin dhe mendjen e njeriut të guximshëm Pandeli P. Pandeleon, i cili vdiq në vitin 1999 në harresë dhe varfëri të plotë, por duke lënë gjurmë në historinë e dy vendeve, për një miqësi të sinqertë në të mirë të njerëzimit.

Sistemi i Enver Hoxhës promovon miqësi me grekët

Diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha për të treguar një afrim të mirë me Greqinë në vitin 1978 bëri një vizitë në Dropull, zonë ku banon minoriteti grek. Në fshatin Grapsh ai foli greqisht dhe u shpreh për afrim të dy vendeve. Po ashtu pak vite më vonë shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë të Rebublikës Popullorer Socialiste të Shqipërisë u emërua një minoritar grek, i quajtur Kiço Mustaqi, i cili në vitin 1990 u bë edhe ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.

12.1.1985, Kakavie

Kakavijë në 12 janar 1985 hapet pika e re kufitare

Në fillim të viteve 1980 u hap edhe pika e re kufitare midis Greqisë dhe Shqipërisë në Kakavijë, shiritin e hapjes së kësaj pike doganore e prenë ministri i jashtëm grek Karolos Papulias dhe ai shqiptar Muhamed Kapllani të shoqëruar atëherë me manifestime të përbashkëta festive shqiptaro-greke në dy anët e kufirit. (Vetëm pak ditë më parë në nëntor 2007, me propozimi të kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime kryetari i Republikës Greke, Karolos Papuliasi u shpall “Qytetar nderi” i Gjirokastrës me motivacionin: “Personalitet i shquar dhe politikan që i ka shërbyer harmonisë së marrëdhënieve midis dy vende fqinjë”. Duhet thënë se kryetari Karolos Papulias është me origjinë çame nga fshati Voshtian e krahinës së Çamërisë).

Ndërsa kryeministri i Shqipërisë në vitin 1983 Adil Çarçani do të deklaronte në Kuvendin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë më 15.1.1983 për miqësinë e dy vendeve fqinje: “Gëzohem nga lajmi se edhe qeveria dhe populli grek dëshirojnë forcimin e miqësisë me vendin tonë”.

Pak kohë para se të vdiste udhëheqësi i Shqipërisë Enver Hoxha botoi librin “Dy popuj miq”, një vepër që u botua nga shtëpia botuese “8 nëntori” në vitin 1985.

Komente (1)

  1. ” Në fillim të viteve 1980 u hap edhe pika e re kufitare midis Greqisë dhe Shqipërisë në Kakavijë, shiritin e hapjes së kësaj pike doganore e prenë ministri i jashtëm grek Karolos Papulias dhe ai shqiptar Muhamed Kapllani të shoqëruar atëherë me manifestime të përbashkëta festive shqiptaro-greke në dy anët e kufirit.
    O Beno, urime per shkrimin po me keto datat e ke djallosur fare.Ishte Reiz Malile me Jorgo Papulisin dhe jo Met Kapllani. Kapllani ishte zvminister ne kohen kur Malile ishte minister, dhe Ka[pllani u be minister i jashte,per pak muaj, ne 1991. Shife ne tribunen e mitingut, me Bekerin e SHBA

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej