Ka than' i moçmi: 

“Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: Ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve”.

                                    -Faik Konica

Kur fëmija ishte fëmijë…

Nga Media 0

Nga Peter Handke

 

Kur fëmija ishte fëmijë,

ecte duke lëkundur duart,

donte që përroi të ishte lumë,

lumi të ishte vorbull,

e ky pellg të ishte deti.

 

Kur fëmija ishte fëmijë,

nuk e dinte që ishte fëmijë,

çdo gjë kishte shpirt,

e të gjithë shpirtrat ishin Një.

 

Kur fëmija ishte fëmijë,

nuk kishte mendime mbi ndonjë gjë,

nuk kishte zakone,

ulej shpesh këmbëkryq,

ngrihej duke vrapuar,

kishte lule në kokë,

e nuk ngërdheshej, kur fotografohej.

 

Kur fëmija ishte fëmijë,

ishte koha e këtyre pyetjeve:

Pse unë jam unë e pse nuk jam ti?

Pse unë jam këtu e pse nuk jam atje?

Kur filloi koha e ku mbaron hapësira?

A nuk është jeta nën diell veç një ëndërr?

A nuk është ajo që unë shoh e dëgjoj e nuhas

veç një pasqyrim i botës përpara botës?

Ekziston vërtetë e Keqja dhe ka njerëz,

që janë vërtetë të këqinj?

Si është e mundur që unë, që jam unë,

përpara se të isha, nuk isha,

dhe tani që unë, jam unë,

nuk do jem më ky që jam?

 

Kur fëmija ishte fëmijë,

mbytej me spinaq, me bizele, me sultjash,

e me lakër të zjerë.

Dhe i ha sot të gjitha e jo vetëm nga nevoja.

 

Kur fëmija ishte fëmijë,

u zgjua një natë në një shtrat të huaj,

e tani gjithmonë e më shpesh.

I dukeshin të bukur shumë njerëz,

e tani vetëm në ndonjë rast fatlum.

E kishte të qartë si ishte parajsa,

tani mundet veç ta marrë me mend.

Nuk e mendonte Asgjënë,

sot ngjethet prej saj.

 

Kur fëmija ishte fëmijë,

luante me gëzim,

e tani, luan njëlloj si atëherë,

vetëm nëse bëhet fjalë për punën e tij.

 

Kur fëmija ishte fëmijë,

i mjaftonin si ushqim molla,

buka, e kështu vazhdon të jetë.

 

Kur fëmija ishte fëmijë,

i binin manaferrat ndër duar siç

vetëm manaferrat bien,

e tani ende ndodh,

Arrat e freskëta i mpinin gjuhën,

e tani ende ndodh,

Mbi çdo mal, kishte dëshirën e

një mali edhe më të lartë,

e në çdo qytet, dëshirën e një

qyteti edhe më të madh,

e kjo vazhdon të jetë kështu.

 

Zgjati dorën me krenari në majën

e një peme për qershitë,

siç bën ende sot,

Kishte turp para të panjohurëve,

e ka ende sot,

Priste për dëborën e parë,

e ashtu pret akoma.

 

Kur fëmija ishte fëmijë,

hodhi një shkop si shtizë kundrejt një peme,

e ajo dridhet atje ende sot…

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej