Ka than' i moçmi: 

Njeriu i lig i ngjan thesit të qymyrit: jashtë i zi, brenda akoma më i zi”.

                          -Sami Frashëri

Kumari, të gjitha rrugët të çojnë në …”Taivan”

Nga Media 0

Nga Ilir Babaramo

Vetëm Enver Hoxha, kur shpërndante tapitë e tokës në Gorre të Lushnjës, fshatin e Arben Çukos, ka aktruar një empati kaq të madhe, sa ajo e Edi Ramës në seancën e fundit parlamentare. Kryeministri kurorëzoi operacionin e tjetërsimit të industrisë së kumarit duke aprovuar ligjin që dhjetëra mijëra familje e prisnin me ankth. Për thuajse një muaj, studio më studio televizive, Rama ka bërë një anatomi të përkryer të pasojave të industrisë që është ngritur mbi një nga veset më të mëdha njerëzore.

Foli pa fund për divorce, drama deri dhe krime në familje duke krijuar një konsensus që shoqëria shqiptare mund ta ketë patur vetëm në 22 marsin e vitit 1992. Në fakt, në 1 janar shqiptarët do zbulojnë se kanë ndjekur live një nga mashtrimet më të mëdha publike. Fare thjesht. Lojërat e fatit nuk mbyllen, siç premtoi Rama. Thjesht përqëndrohen në një dorë të vetme.

Flamë, kancer, marrëzi kolektive ishin termat më pak të ashpër që Rama ka përdorur gjatë show-t të tij, me një aktrim patetik që mund të krahasohet vetëm me Talman e Napoleonit, kur recitonte klasicistët francezë. Ashtu si në veprat e Kornejit e Rasinit, heronjtë e përmasave epike nuk janë të vetëm në përpjekjet e tyre titanike. Diku një shërbëtor e diku një lolo luan rolin e tij si për të konturuar përmasat horizontale të gjëmës. Madje, në barrikadën verbale që u ngrit me ngut trimi më i çartur ishte Gavroshi.

Dëgjuam e çfarë nuk dëgjuam deri dhe deputetë që janë kërcënuar nga burgjet që të mos votojnë kundër. A thua se burgjet nuk kontrollohen nga shteti por janë ambasada që gëzojnë statusin e ekstraterritorialitetit diplomatik. E megjithatë heronjtë nuk e epën. Ligji kaloi me të gjitha votat e shumicës qeverisëse. Gati të gjithë u sugjestionuan. Dhe kundërshtarët më të ashpër të Ramës nën zë i jepnin të drejtë: të rrimë shtrembër e të flasim drejt , bravo i qoftë që i mbylli.

Rama ka plotësisht të drejtë. Lojërat e fatit dhe pikat e basteve kontrollohen në shumicën e rasteve nga llumi i shoqërisë shqiptare. Është gjithashtu e vërtetë se buka e gojës së mijëra fëmijëve shkon tek e “kuqe e zezë” ose kush do gjuajë encen e parë: Ronaldo apo Messi. Ka të drejtë, kur thotë se lumi i lekëve shkon tek llumi. Gjithnjë sipas Ramës kjo industri ka një turn over vjetor rreth 700 milionë euro. Se ku do shkojë gjysma e këtij oqeani parash, ajo e basteve, duhet të presim studimin që po bën qeveria. Si nën zë është thënë se do kanalizohet në on line. Nëse për këtë pritet që të shikojnë se çfarë vendimi do merret nga Rama, një gjë është e sigurtë; të gjitha kazinot e lincesuara do mbyllen me përjashtim të njërës asaj të madhes, mu në qendër të Tiranës.

Nëse shikohet me kujdes projekti që mbrojti Rama në Kuvend thuhet: “mbyllen të gjitha kazinotë elektronike”. Nëse kishte ndërmend t’i jepte fund kësaj marrëzie kolektive Rama nuk kishte përse të përdorte një truk të tillë. Mjaftonte që në ligj të thuhej: “mbyllen të gjitha kazinotë”. Me trukun e krijuar krijohet një monopol i frikshëm. Të gjithë që luanin poshtë pallateve tani do dynden në qendër të Tiranës. S’kanë përse të shqetësohen, ku do lënë makinën. Për pak javë nis dhe ndërtimi i një parkimi gjigand.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej