Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Ku shkuan e nxorrën Vojsavën sllave?*

Nga admin 0

Nga Artan Shkreli

Përpiqen të argumentojnë, e s’ja gjej dot arsyen e arsyes, por nuk mbërrijnë të nxjerrin askund se Vojsava Kastrioti ishte sllave (madje shkojnë deri aty sa në emër të neo-internacionalizmit ballkanik të deklarojnë se ishte serbe).
Jepen si argument emrat ortodoksë (jo etnikë: që mund t’i ketë kushdo serb, arbër, grek a bullgar) kundrejt atyre arbërorë (etnikë: si Ghin, Ghon, Deda, e të tjerë që normal janë shumë të paktë) dhe luajnë pa kokëçarje me një marifet të tillë fëminor.
Barleti nuk thotë askund e në asnjë rresht se Vojsava është sllave; thjesht është i pari që e ze n’gojë si të bijën e princit të Tribalëve… kaq.
Më pas është Gjon Muzaka, i cili e përmend i pari me emër e mbiemër si Vojsava Tribalda, e cila vinte nga një derë e fisme, por pa ndaluar në përkatësinë etnike të saj, sikurse dhe Barleti, pasi edhe për të nuk paraqiste ndonjë veçanti.
E ndërkaq, është po Muzaka që në “Kronikën” e tij, kur flet për Vrana Kontin, i cili kishte gjak Muzakajsh nga e ëma, e quan atë markez të Tribaldëve; të një gjindjeje, pra minimalisht me përzjerje të fortë arbërorësh.
E sikur kaq të mos mjaftonte, G. Von Hahn në “Studimet” e tij, në dijeni të shtesës gjenealogjike të Kostandin Muzakës, i mëshon faktit se Vojsava, bijë e fisnikut Monçini e zot i Pollogut, është me gjak nga të Muzakajve – gjë që mbështetet edhe nga Babingeri.
Historitë dhe historianët e mëpasshëm, nën frymën e ndihmës që u jepeshin popujve sllavë për shkëputje nga Perandoria Osmane, ushqyen idetë pansllaviste, por pa filtrin e nevojshëm kritik, e ndofta pa dashje, në kurriz të një populli që ende nuk e konsideronte kush, kur dihet se zotërinjtë sllavë u zhdukën si kripa në ujë nga territoret arbërore pas vdekjes se Stefan Dushanit. Në rrëmujën që pasoi, dinamika e Gropajve, Muzakajve, Aranitëve e të tjerëve në atë zonë, është sot vështirësisht e ndjekëshme, sikundër edhe ajo e vijimësisë aty të pushteteve të Brankoviçëve apo bujarëve bullgarë (fundi i shekullit XIV).
Sa i takon tribalëve, fisit të lashte ilir, pa u futur në hollësirat e periudhes greko-romake, ata vijojnë në Mesjetë të përmenden nga Stefan Bizantini ende si “ilirë” (shekulli VI e.s.); domethënë pak para vendosjes së sllavëve në territoret e Ballkanit jug-perëndimor.
Si në shekullin VI të Stefanit, në atë të XIV të Monçinit, dhe sot në shekullin XXI tonin, çka mbetet, është fakti se Pollogu, banuar vijimisht nga arbërorët, e herë nga përzjerje arbano-sllave, u ka lënë trashëgim shqiptarëve kujtimin e një gruaje të hirshme: dibranen Vojsava Tribalda-Kastriotin. Nëse këtë e mëtojnë edhe sllavët (bullgarë, serbë e boshnjakë), për shkak të mungesës së burimeve absolute mbi etnicitetin e saj, janë të lirë ta bëjnë e ta ribëjnë, por nuk besoj se u duhet ndihma jonë për këtë.

P.S. – sa i takon O. Schmidt-it, dihet se ai nuk sjell asgjë origjinale, përveçse përsërit tezat e serbit B. Petrovski.
P.P.S. – në gravurë, Vojsava shtatzanë me Gjergjin – nga J. Breu II, 1533, Gjermani.

* titulli është i redaksisë.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej