Ka than' i moçmi: 

“Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet”
                                             -Naum Veqilharxhi

Ku është sot Luftar Paja, që para 20 vjetëve ia përplaste Ramës fytyrës arrogancën e treguar ndaj artistëve?

Nga Media 0

Nga Ergys Mertiri

Problemi i artistëve është sot se nuk kanë një Dukë, si ai i futbollit, që të ketë gjithashtu një pushtet absolut brenda feudit të vet. Duke qenë të përçarë, e madje, shumë prej tyre edhe të kompromentuar me pushtetin, nëpërmjet projekteve, interesave të vogla dhe bashkëpunimit të ndërsjelltë të herëpas-hershëm, është vështirë ti mbijetojnë një makinerie të dhunshme pushteti si ajo që ka instaluar sot Rama.

Pyetja shtrohet, ku është sot Luftar Paja që para 20 vjetëve ia përplaste fytyrës Ramës arrogancën e treguar ndaj artistëve? Ai hesht, me titullin “Simbol i Qytetit” në sirtar, dhënë nga Erion Veliaj, ndërsa e ka lëshuar të birin fushatave të Rilindjes.

Shumë prej artistëve janë kapur në mënyra të ndryshme nga kjo qeveri, ndaj dhe zëri i tyre është i mekur përballë arrogancës së një pushteti të dhjamur në zullume. Ata nuk reaguan kur Rama vendoste, pikërisht Zana Çelën në krye të operas, pikërisht për të poshtëruar ata që dje iu ngritën në grevë për mospranimin e saj. Ata nuk kanë reaguar kur Rama tallej me ta, duke mbajtur drejtor Ervin Çulin që vë në skenë drama ku luan vetë, ndërsa konfliktohet me të gjithë kolegët. Përkundrazi, ata kanë duruar ndërhyrjet e pushtetit duke pranuar padrejtësitë e tij. Ata kanë toleruar projektet e imponuara nga qeveria, ndërhyrjet e saj, deri tek rolet dhe aktorët.

Por sidoqoftë ka shumë prej atyre që kanë qendruar dinjitozë përballë çdo pushteti. Pikërisht ata janë edhe më të rrezikuarit nga projektligji i qeverisë që kërkon të vërë nën kontroll komunitetin e artistëve. Rama po kërkon të ketë në dorë bukën e gojës së tyre, për t’i pasur nën zgjedhë.

Pikërisht për këtë arsye artistët duhen mbrojtur, ashtu siç, mbi të gjitha, duhet mbrojtur arti në vetvete. Duhet mbrojtur, jo thjesht godina, shembja e së cilës do t’i hapë udhë një rrokaqielle monstruoze, pjesë e një projekti për shpërfytyrimin e këtij qyteti. Por duhet mbrojtur, mbi të gjitha, pavarësia e artistëve, për të mos lejuar turpin e rikthimit të një regjimi ku pushteti kontrollon edhe veprat që vihen në skenë, apo qendrimet politike të një artisti nëpër media.

Nëse lejojmë edhe këtë, nuk do jetë larg dita kur Edi Rama do të na vijë nëpër shtëpija për të na kontrolluar se çfarë themi me njëri-tjetrin. Nuk ka asgjë për të mos e besuar. Këtë bëri paraardhësi i tij Enver Hoxha, nëpërmjet instalimit të një aparati shtetëror, më të madhit që ka pasur ndonjëherë ky vend, Sigurimit të Shtetit, që përgjonte njerëzit deri në gjirin e familjes.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej