Ka than' i moçmi: 

“Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: Ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve”.

                                    -Faik Konica

Kthimi i të humburve në familjet tona

Nga Media 0

Kjo është fjala e kryetares Gentiana Sula mbajtur me rastin e firmosjes se marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe ICMP për identifikimin dhe gjetjen e të zhdukurve të diktaturës.

Nga Gentiana Mara Sula

Me emocion të thellë jam sot këtu, në nënshkrimin e marrëveshjes mes Qeverisë Shqiptare dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, duke parë të materializohen përpjekjet tona shumëvjeçare për te zgjidhur këtë ngërc disa dekadash.

Sot, hidhet një hap i rëndësishëm duke ndërmarrë këtë angazhim institucional qeveritar për kerkimin, gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të të zhdukurve apo te humburve të diktaturës.

Shteti po mer pergjegjësitë e veta.

Po merr nga pak tipare me njerezore.

Këtu u tha që rreth 6,000 qytetarë, të ekzekutuar me apo pa gjyq, ose të vdekur burgjeve, nuk mundën të ktheheshin në shtëpi, në mënyrën më çnjerëzore. Mes tyre ka figura të shquara dhe njerëz të thjeshtë.

Në cilësinë e familjares së një personi të zhdukur prej vitit 1952 dëshmoj se prej disa dhjetëvjeçarësh jemi përpjekur të bëjmë diçka për eshtrat e gjyshit tonë që unë nuk munda ta njoh kurrë. Sulejman Mara vdiq ne rrethana te paqarta dhe humbi në burgun e Burrelit, në moshën 44-vjeçare. Baba i 5 fëmijëve. Qytetar i respektuar në bashkësinë e tij.

Por, emri i tij nuk figuronte si i humbur ne librat e shtetit. Prokuroria e rrethit Burrel nuk hapi ndonjë proces për kërkimin e tij. Në përpjekje për të bërë diçka për t’i vënë në vend dinjitetin, mësova me dhimbje se vendvarrimet e tilla ishin shpesh të pashenjuara, apo dhe të tjetërsuara në ndërtesa apo ngrehina të tjera, si për shembull, fushë sporti (rasti i Burrelit).

Ishim pajtuar mbase me faktin se shteti s’kishte mjete për të bërë një kërkim të tillë në mënyrë efikase sepse analizat e ADN-se ishin te kushtueshme, por mosrespektimi i vendvarrimeve të njohura si të tilla më dukej shumë i rëndë.

Ndihem kokulur që dinjiteti i tij sot është ende i nëpërkëmbur. Ndihem ende e dhunuar sot, ashtu si Aldo Terrusi, i biri i drejtorit qe Bankës Italine të viteve të pasluftës, i cili pati të njëjtin fat si im gjysh, në të njëjtin vend. Për këtë arsye, të gjithë ne ende vazhdojmë përpjekjet prej njerezish të lirë të kërkojmë që shteti të bëjë detyrat e veta.

Sfida të tjera do të vijojnë me hapjen e këtij procesi, por si qytetare e këtij vendi demokratik, është e rëndësishme për mua dhe më bën të ndihem më e lirë dhe e respektuar fakti që shoqëria dhe shteti shqiptar, më në fund e njohin këtë problematikë, e trajtojnë në disa plane dhe marrin përsipër të trajtojnë njerëzisht viktimën pa varr dhe pasardhësit e saj.

Kurse në cilësinë e politikëbërëses publike, detyren e mora në vitin 2014. Asokohe, mbaja detyrën e zëvendësministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, dhe ky pozicion i lartë publik më dha mundësinë të avancoja agjendën e vështirë për këtë proces.

Atëherë më bëri përshtypje të thellë fakti që shumë prej familjarëve të të humburve e kishin humbur shpresën se diçka mund të ndodhte dhe nuk po bënin më përçapje.

Shteti merr fytyrë njerëzore

Kontributi i institucioneve shqiptare për këtë është rritur vit pas viti, ndonese ngadale. Le te shohim rrugen qe eshte pershkruar.

Ishte përmirësuar kuadrin ligjor, me qëllim që viktimave t’u garantohet e drejta e njohjes së të vërtetës për rrethanat e zhdukjes me forcë dhe e drejta për të kërkuar informacion, e drejta për drejtësi si dhe masat që duhet të ndërmarrë shteti për ta mundësuar drejtësinë; e drejta për rehabilitim efektiv, përfshirë dëmshpërblimin, ruajtjen e kujtesës dhe garancinë e mospërsëritjes së faktit. Keshtu ishin ratifikuar “Konventa Evropiane “Për kompensimin e viktimave të krimeve të dhunshme” në vitin 2004, ate te 2008 te Parlamentit shqiptar per Denimi e Krimeve te komunizimit, duke vijuar më tej me ratifikimin nga Republika e Shqipërisë të Konventës Ndërkombëtare e OKB-SË “Për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë” në vitin 2007. Nderkohe nje maredhenie me ICMP datonte vitin 2011, pa mundur te materializohej.

Qeveria Shqiptare, me propozim të MMSR dhe bashkepunim me ICMP adoptoi në dhjetor të 2015 një plan veprimi për kërkimin dhe gjetjen e të zhdukurve të diktaturës. Gjej rastin te falenderoj koleget e mij te cmuar ketu te pranishem ermira Shtino dhe Bilal Kola per perkushtimin dhe besimin qe theu cdo skepticizem dhe i dha fytyre ketij aksioni.

Grupi i posaçëm i OKB-së për të drejtën mbi të vërtetën dhe mospërsëritjen e abuzimeve masive me të drejtat e njeriut, në dhjetor 2016 raportoi gjerësisht për problemin e pazgjidhur të varreve të fshehura të diktaturës. Dhe konstatoi me te drejtë se familjet ishin krejtësisht të demoralizuara për të kërkuar të drejtën e tyre për të vërtetën dhe qartësimin e fatit të familjarit të munguar.

Raportet e Komitetit të Zhdukjeve me Forcë të Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në 2018 përmendin çështjen e të zhdukurve të komunizmit;

Mes tyre, i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, të cilin e kryesoj që nga fillimi i 2017.

Përparësi dhe kujdes i posaçëm i është kushtuar nga ana e legjislatorit dhënies të së drejtës për akses, mbi bazë kërkese në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për personat e vdekur dhe të shpallur të zhdukur, si dhe vënia në dispozicion e dublikatave të tyre, duke përcaktuar rendin ligjor të personave që përfitojnë nga kjo e drejtë dhe të të afërmve të tyre, në funksion të qartësimit të fatit të të vdekurve apo të të zhdukurve, për rehabilitimin, për ruajtjen e të drejtave të personalitetit të të vdekurve apo të zhdukurve.

Po kështu, për kërkesat e paraqitura nga gjykatat, prokuroritë ose Policia Gjyqësore, për efekt të një procedimi penal të regjistruar, Autoriteti kryen verifikimet e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni, dhe në çdo rast, vepron në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale në fuqi.

Të denjë mes njerëzve

Në punën time të përditshme takoj shumë familjarë që shprehin dhimbjen e thellë dhe pengun që ende kanë familjarë të humbur e të parespektuar.

Vlen të theksohet se numri i kërkesave që kanë të bëjnë me persona të zhdukur në AIDSSH e ka kaluar 40 dhe rritet ditë pas dite. Kjo lidhet me besimin ne rritje te familjarëve të të zhdukurve për të drejtën e tyre njerëzore për të kërkuar vendprehjen e të ekzekutuarve pa gjyq, e të zhdukurve në rrethana të paqarta, traumë që familja e ka mbartur për vite të tëra dhe ka mbetur e patrajtuar.

Gjej rastin këtu të shpreh nderimin tim më të lartë për familjarët e përkushtuar, si Nikolin Kurti, Hamza Kazazi, Vera Mborja, apo familjet Toto, Plaku, etj., që megjithëse gjatë këtyre viteve nuk ia kanë dalë, ende bëjnë detyrën e tyre humane të mos-humbjes së shpresës dhe respektit ndaj familjarëve të tyre të ndjerë që janë ende të humbur.

Një shembull i lartë i qëndresës dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor është ai i familjarëve të të ekzekutuarve pa gjyq me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike, familjet Shehu, Kaceli, Peshkëpia, Kasimati, etj., të cilët jo vetëm mundën t’i rikuperonin eshtrat e familjarëve, por kanë 25 vjet që ende synojnë kthimin e vendit të ekzekutimit në vend të kujtesës dhe vetëdijësimi.

Si dhe mijera familje qe paten fatin e mire te kene mundesi permes rrugeve private te bejne nderimet e tyre familjareve te humbur ne diktature.

Mbrojtja e vendvarrimeve dhe vendekzekutimeve të fshehta

Me AIDSSH besojmë se çdo vendekzekutim dhe vendvarrim i fshehtë duhet të ruhet, shenjohet dhe të kthehet në vend ndërgjegjësimi.

Në këtë kuadër, Autoriteti ka bërë kërkesë pranë Ministrisë përgjegjëse për përfshirje në projektligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” të një pike ku të përfshihen si vende kujtese dhe vetëdijësimi vendet e pushkatimit dhe vendvarrimet e fshehta të periudhës së diktaturës komuniste.

Po ashtu, Autoriteti i është drejtuar me një propozim këshillit bashkiak të Tiranës për kthimin në vend të ndërgjegjes të vendvarrimit të fshehtë të viktimave të 26 shkurtit, në përkujtim të intetektualëve të ekzekutuar, të njohur si “grupi i bombës në Ambasadën Sovjetike”.

Protokolle referimi me IIPP dhe ICMP

Në planin strategjik të AIDSSH, kërkimi dhe trajtimi i rasteve të personave të zhdukur është një nga elementet e punës së institucionit. Po ashtu, në marrëveshjen me IIPP-në, mes të tjerash, bashkëpunimi për të zhdukurit përbën një seksion të veçantë. Të dyja palët angazhohen të bashkëpunojnë për referimin e të zhdukurve, identifikimin e secilit prej rasteve të gjetjes së tyre, pra, një protokoll të përbashkët veprimi për të gjitha rastet e raportimit; krijimin e bazës së të dhënave me akses nga të dy institucionet me emrat e personave të pagjetur dhe vendvarrimet e vendekzekutimet, me synim përgatitjen e një regjistri të përbashkët me koordinatat e vendeve të ekzekutimit dhe varrimit të fshehtë, të raportuar nga familjet apo të gjendur përmes kërkimit në arkiva.

Ndërkohë, AIDSSH ka përgatitur urdhrin e posaçëm për trajtimin e veçantë të kërkesave të të zhdukurve, me formularët përkatës dhe institucioni ka gati aktet për vijimin e procesit. Për vënien e tyre në zbatim pritet të firmoset marrëveshja përkatëse me ICMP-në.

Dita Ndërkombëtare e të zhdukurve

AIDSSH i ka kushtuar vëmendje e posaçme çdo rasti, gjatë trajtimit të dosjeve dhe dokumentacionit në shqyrtim, duke organizuar komunikime me individë, familjarë të të zhdukurve, të tilla si në aktivitetin e zhvilluar në përkujtim të Kampit të Tepelenës, më 30 gusht 2017, Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Në këtë datë, Autoriteti përkujtoi varrezën e panjohur të fëmijëve dhe të zhdukurve të tjerë në Tepelenë dhe mbolli pemët e para të Memorialit të Fëmijëve që humbën jetën në kamp.

Këtë vit, po planifikojmë përkujtimin e Ditës së të Zhdukurve, përmes një instalacioni masiv me mijëra qirinj në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të nderuar shumë nga ata që sot nuk kanë një vend ku të prehen.

Hapat e ndërmarrë janë konkretë. Shoqëria e sotme – e cila mban peshën e të pathënave të së shkuarës, e asaj që ka mbetur pa zbuluar, pa dalë në dritë, e fateve të lëna në mes, e fëmijëve të rritur pa prindër që u zhdukën brenda natës, e pasardhësve që nuk identifikohen me të parët se u është tjetërsuar mundësia për ta bërë, – duket se është gati të përgjigjet dhe të marrë përgjegjësi.

Jam e optimiste tani e shoh që puna jonë disavjeçare ka arritur diçka dhe uroj ta bëjmë më të mirë shoqërinë ku jetojmë dhe rrisim fëmijët tanë, nëpërmjet së vërtetës, transparencës dhe respektimit të dinjitetit njerëzor.

Ju faleminderit!

Tiranë, 17 korrik 2018

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej