Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Kryeneçësia, virusi që përçan shqiptarët

Nga 27.al 0

Nga Arben Llalla

Karakteristikë e veçantë e shqiptarëve është krenaria, e cila kur teprohet kalon në kryeneçësi. Kryeneçësia në shekuj ka bërë që shqiptarët të mos njohin gjuhën e mirëkuptimit midis tyre. Virtytet e krenarisë së tepruar, të kryeneçësisë janë të shprehura edhe në fjalët e urta popullore në çdo trevë shqiptare si për shembull “për inat të sime vjehrre, shkoj e flej me mullixhiun”, ose më keq akoma “për inat të së resë, të më vdesë djali”, apo “shqiptari për një plesht djeg jorganin” e kështu me radhë.

Fatkeqësisht kjo farë kryeneçësie është shumë e shprehur në klasën politike ndërshqiptare.

Problemi i bashkimit apo gjuhës së përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni ka bërë që politikanët e këtushëm të mos kenë një program koordinimi afat gjatë për zgjidhjen e problemeve që ndeshin shqiptarët. Inatet personale të liderëve partiakë reflektohen në inate kolektive partiake. Mëritë për unin, kryeneçësinë individuale kanë çuar në dasi të thella mes kokave të politikës shqiptare në Maqedoni dhe më gjerë, duke bërë që shpeshherë shqiptarët të jenë të papërgatitur përballë ndryshimeve të mëdha politike që po ndodhin sot. Ajo çka është shqetësuese, janë marrëdhëniet e acaruara që gjallojnë midis liderëve dhe që dashur-padashur transmetohen tek anëtarësia e thjeshtë e partiake. Për të qenë më konkret po flasim për mungesën e unitetit të mendimit dhe veprimit midis partive shqiptare kohëve të fundit.

Në vitet 1998-2001, kur PDSH kishte krijuar një ndarje administrative në Maqedoni dhe shqiptarët komandonin në trevat e tyre, në skenë del UÇK-ja me luftën e saj të lavdishme. Një luftë që nisi për bashkim kombëtar dhe që përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit në plotësimin e të drejtave të shqiptarëve. Por, prej 16 vitesh që BDI gjendet në qeveri, qysh nga viti 2002 u harruan familjet e dëshmorëve, u harruan të drejtat e shqiptarëve, por nuk u harrua vënia e pasurisë kolosale në emër të vlerave të luftës nga drejtuesit e BDI-së.

Më keq se sot për shqiptarët në Maqedoni nuk bëhet. Puna ka vajtur sa po tjetërsohet vota shqiptare duke votuar partitë sllavo-maqedonase, sepse partitë tona ua vranë shpresat shqiptarëve, ndaj kur nuk ke shpresa do të thotë se je i vdekur.

Nëse shkohet në votime me inate, smirë dhe interesa të ngushta personale duke votuar LSDM-në, atëherë shqiptarët do humbim Strugën, Kërçovën, Bërvenicën, Haraçinën e ndoshta herën tjetër i vjen rradha Dibrës, Gostivarit, Tetovës e gjetkë. Mos t’ju duken të parealizueshme humbjet e bastioneve shqiptare, sepse akademitë sllave punojnë prej 150 vitesh që të arrinim në këtë gjendje të mjerueshme, ku me krenari një pjesë e gjakut tonë të mburret që voton LSDM-në dhe përfaqësohet nga sllavo-maqedonasit në Kuvendin e Maqedonisë dhe kuvendet vendore. Sherrin e votës shqiptare në drejtim të kutisë së LSDM do e shohin, kur të bëhet rregjistrimi i popullsisë, ku sipas strategjisë sllavo-maqedonasve shqiptarët mund të dalin nën 20% të popullsisë së përgjithshme dhe arsyet dihen tashmë.

Prandaj, koha kërkon që liderët e partive politike të zhvishen nga paragjykimet, të jenë më seriozë, të ndahen nga padronët politikë maqedonas për të realizuar qëllimet e të drejtave të shqiptarëve, zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të gjuhës, flamurit, invalidëve të luftës së 2001 e plot halle të tjera.

Ka ndonjë lider partie që çirret se është më “patrioti” se paska luftuar me armë në tre luftëra, qenka patrioti që punon për “Shqipërinë dhe shqiptarët” e natyrisht ëndërron që një ditë emri i tij të shkruhet përkrah burrave të shquar të kombit shqiptar si Skënderbeu, Hasan Prishtina, Fan Noli, Faik Konica e të tjerëve. Por, këtyre “patriotëve” që më shumë kanë përfituar nga gjaku i dëshmorëve, që shkelin mbi betimin, mjaft t’u kujtosh se burrat e shquar shkrijnë pasurinë për Çështjen Kombëtare, ndërsa sot ndodh e kundërta në emër të patriotizmit dikush pasurohet.

Burrat e shquar punuan për kombin, e këta punojnë për t’u pasuruar vetë. Ata ishin lisa, patriotët e sotëm janë filiza. Ata ishin burra, ndërsa këto të sotmit janë meshkuj. Ata u shquan për patriotizëm, kurse integristët po shquhen për karrierë.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej