Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Kryeministri Tsipras do të takohet me babain e Çështjes Çame, Servet Mehmeti

Nga 27.al 0

Nga Arian Galdini

Servet Mehmeti është një burrë me flokët e bardha borë, i cili ka ardhur 2 apo 3 vjeç në Shqipëri. Është bir në një familje me shumë fëmijë që u rritën vetëm nga nëna e tyre sojlie, për të cilën, kur e kujton e flet për të, xhaxhi Serveti përlotet. Vuajtjet dhe sakrificat e nënës së tij për të ushqyer, shkolluar e rritur me dinjitet fëmijët e saj, xhaxhi Serveti i ka të skalitura si 10 urdhëresat e Zotit në pllakat e gurta të Moisiut.

Ajo nënë çame, nuk i pa kurrë varfërinë, mungesat, padrejtësitë, si shkaqe e arsye për të ushqyer smirë, mllef, ligësi, dorëzim apo marifete te fëmijët e saj.

Përkundërazi, çdo ditë mjerimi e zbukuroi me këngët e gëzueshme të krahinës së Çamërisë. Çdo mungesë e padrejtësi e mveshi me histori burrash e trimash Çamërie që luftonin për të mbrojtur vendin e tyre, tokat, pronat dhe familjet e tyre, që lundronin deteve për të bërë tregëti me botën, që punonin nga agimi në muzg për të ndërtuar të mirat, të cilat së bashku zhvillonin qytezat, lagjet dhe fshatrat ku jetonin, e që kurrë nuk bënin armiq, e që lindnin e vdisnin kryelartë.

Asnjëherë nuk e pa a dëgjoi nënën e tij, Servet Mehmeti që të shante, mallkonte a urrente ndokënd për hallet e mëdha që i kishin rënë si male mbi shpinë.

Ajo dinte të bënte gjellë e haje të shijshme edhe nga ajri. Dinte t’i ngopte fëmijët e saj me gëzimin e buzëqeshjen e saj. Dinte t’i ngrohte, kur kishin ftohtë, me dashurinë e saj.

Kur ishin pa strehë, ajo u tregonte fëmijëve të saj se trimat e Çamërisë ishin yjet e qiellit dhe i mbronin ata nga shiu, bora, ftohma dhe të ligjtë. Kur gjenin strehë, ajo u thoshte fëmijëve se pluhuri i yjeve të qiellit i kishte bërë ato mure e atë çati, që ata të ishin gjithmonë e të pandarë nga trimat e Çamërisë.

E kur fëmijët e pyesnin që përse ishin pa shtëpi, përse ishin pa baba, përse ishin të varfër, ajo me sytë lart nga qielli e të lagëta si deti Arpicës u përgjigjej: “I kemi edhe shtëpinë, edhe të mirat edhe babain, i kemi…”

Fëmijët që kurrë nuk e kishin parë të qante nënën e tyre, i uleshin përreth e përpiqeshin të kuptonin nga valët e detit të lotëve që i rrëshkisnin në faqe nënës së tyre, që nëse i kishin të gjitha këto, çfarë i kishte prurë larg tyre. “Jemi në atdheun tonë, por jo në vendin tonë”, u thoshte, teksa psherëtinte nëna. Me kaq e mbyllte detin në sy dhe niste të këndonte tumankuqen a ndonjë këngë tjetër të gëzueshme Çamërie.

Ku e gjente forcën ajo nënë që detin e lotëve ta mbyllte me këngë të gëzueshme, asnjëherë nuk e kuptoi askush. Derisa fëmijët u rritën e këngët u bënë histori dhe historitë u bënë kujtesë, e kujtesa u bë ndërgjegje, e ndërgjegja u bë kushtrim.

Në ditët e sotme, xhaxhi Serveti është ai plaku i moçëm e i urtë që qëndron në udhëkryq e të dëfton se cila është rruga që të çon e të kthen, e cila është ajo që s’të kthen.

Deti i Arpicës në sytë e nënës së tij është bërë shkumë e bardhë dallgësh të rrepta në flokët e tij.

Këngët e trimave të Çamërisë janë bërë urtësi në fjalët e tij. Historitë e Çamërisë janë bërë fuqi dhe drejtësi në mendimet e veprimet e tij. Kujtesa është bërë kudhra dhe çekani i karakterit të tij. Ndërgjegja dhe kushtrimi janë bërë arsyeja e jetës së tij.

Njëlloj si atëherë kur ishte 2 a 3 vjeçar, ai pyet, përse jam larg detit të Arpicës, larg shtëpisë sime, larg babait, përse?

Me këto pyetje ai jetoi çdo ditë të jetës së tij. Me këto pyetje u bë edhe njëri ndër themeluesit, madje kryetar i Shoqatës Patriotike “Çamëria”. Me këto pyetje u përlesh para Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2004, ndërsa e përgjakte policia që mbronte deputetët që kishin frikë të votonin Rezolutën Çame. Me këto pyetje e fitoi Rezolutën Çame.

Me këto pyetje iu bë krah e mbështetje Shpëtim Idrizit, Tahir Muhedinit e të tjerëve që të themelonin Partinë e Çështjes Çame.

Me këto pyetje refuzon t’i bindet kufizimeve të moshës dhe si një luftëtar i paepur e nis dhe bitis ditën duke notuar në detin e Arpicës që i kanë ngulitur në mendje sytë e lagët të nënës së tij.

Ai noton në ato sy, noton në atë det, sepse kërkon bregun. Është Uliksi i kohëve moderne. Kërkon Itakën e tij.

Kërkon atë Itakë, ku ka shtëpinë, babain dhe detin ku lundronin të parët e tij.

Do të prekë ata gurë që ngriti me duar babai i tij për të ndërtuar shtëpinë. Do të shkelë në atë tokë prehet babai i tij e shumë të tjerë që u vranë e masakruan pabesisht nga bandat e Napoleon Zervës.

Do të shohë atë prag prej ngaku e larguan përdhunshëm, krejt pa arsye ndërsa ai ishte vetëm 2 a 3 vjeç. Do të shkojë në vendin e tij.

Në Tiranë e ngado në Shqipëri, të gjithë ata që e njohin Servet Mehmetin, e nderojnë si një njeri e burrë të rrallë.

Shpesh ai ngjason me ndonjë nga ata yjet lart në qiell si në rrëfenjat e nënës së tij që ka zbritur këtu si burrë i çmuar Çamërie.

Ai këtu është në atdheun e tij. Por, nëna i ka lënë amanet që të mos harrojë kurrë vendin e tij, shtëpinë e tij, babain e tij.

Kur dëgjon Ministrin e Jashtëm të Greqisë Kotzias, të deklarojë se Çështja Çame nuk ekziston, xhaxhi Serveti i ndjen sytë e t’i bëhen si deti i Arpicës.

Kur dëgjon t’i thuhet se shtëpia, toka, babai i tij, nuk ekzistojnë, deti i syve të tij dallgëzon furishëm.

Kur dëgjon t’i thuhet nga Kotzias se në moshën 2 a 3 vjeçare ai është dënuar nga Gjykata si bashkëpunëtor i nazizmit, furia e dallgëve në detin e syve i mbyt faqet dhe zemrën.

Servet Mehmeti është në Tiranë. Atdheu i tij është Shqipëria. Shtëpinë, tokën dhe babain i ka në Arpicë.

Nëse Ministri Kotzias thotë se Servet Mehmeti nuk ekziston, ndoshta duhet që vetë Kryeministri Tsipras të vijë në Tiranë për ta pirë një kafe me xhaxhi Servetin.

Xhaxhi Serveti nuk është armik i Greqisë, nuk i uren grekët. Përkundrazi, atje në Greqi ai ka vendin e tij ka tokën, shtëpinë, pronat dhe babain e tij.

Ai do vetëm të shohë detin e Arpicës.

Është thinjur duke notuar në detin e Arpicës nëpërmjet syve të nënës së tij. E nuk do që sytë e tij të bëhen det Arpice për fëmijët e tij.

Do vetëm të shohë detin me sy, që ta heqë detin nga sytë.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>