Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Kristo Çipa, ish-kreu i PD-së Himarë: Shitja e PD-së tek PBDNj, dëmton jo vetëm partinë, por edhe interesat e vendit

Nga 27.al 0

Kristo Çipa ish-kreu i PD-së në degën e Himarës denoncon lëshimet që selia blu ka bërë ndaj elektoratit të saj në Himarë. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Çipa shprehet se në vend të zgjedhjes së strukturave brenda partisë, PD ka emëruar në Himarë përfaqësues të PBDNJ-së. Një proces i tillë, sipas Çipës dëmton jo vetëm PD-në, por edhe interesat e vendit.

Gjatë muajve të fundit është përfolur mediatikisht se Partia Demokratike në Qarkun e Vlorës ka braktisur pozicionin kombëtarist duke u hapur dyert anëtarëve të rinj, të cilët vijnë nga qarqe antikombëtare, siç është organizata MAVI. Si është e vërteta e gjithë kësaj historie? A është ky një spekulim mediatik?

Ka gati 13 vjet që Partia Demokratike ka filluar të bëjë kalimin e “butë” të lëshimit të sovranitetit partiak drejt PBDNJ-së, duke u kthyer dalëngadalë në shtojcë të saj. Kjo kohë relativisht e gjatë i ka mjaftuar qendrës në Tiranë që kohë pas kohe të përgatisë terrenin dhe opinionin se çdo hata është e kapërcyeshme dhe që çdo qëndrim kombëtarist i bazës nuk është gjë tjetër, veç një sjellje e dalë mode dhe identiteti i tyre shqiptar le të arkivohet në kujtesën e Kombit se dëshira për pushtet e qendrës nuk mund të pengohet nga një grup qendrestarësh, qofshin këta edhe themelues apo votues të PD-së, përderisa lobet “pensioniste” të Epirit të Veriut (Vorio-Epirit sipas termit tinëzar diplomatik fqinj) në Amerikë kanë shkopin magjik të ardhjes në pushtet. Përsa i takon anëtarëve të MAVI-t, ata pas 20 e ca vjetëve kanë kaluar ylberin dhe tashmë janë kthyer në viktima, për të cilët rehabilitimi është kusht për t’u futur në Europë.

Çipa, para 10 ditësh në zgjedhjet e kryetarit të degës së Himarës ka pasur kontestime nga ana Juaj, por edhe e anëtarëve të tjerë të kësaj partie se është shkelur statuti dhe në krye të PD-së së Himarës është “emëruar” apo zgjedhur ish- sekretari i PBDNJ-së. Ç’ka ndodhur në të vërtetë?

Ajo çka ndodhi para dhjetë ditësh ngjan sikur ka ndodhur para dhjetë vjetësh dhe çdo kontestim yni humbi në veshin e shurdhuar të qendrës, e cila për hir të së vërtetës nuk është përgjigjur fare zyrtarisht, por nën zë ka filluar të artikulojë ‘argumente’ të servirura nga ‘zogjtë e avllisë’ që zëvendësuan të zotët e shtëpisë. Statuti, udhëzimi, fakti, ekzistenca nuk kanë më asnjë vlerë dhe kapja e partisë mund të reklamohet si hapje paçka se të emëruarit rishtas nuk janë as personalitete, as të rinj, as shoqëri civile, por të shtrydhur e të rraskapitur nëpër bodrumet, kurset dhe strukturat e tej lodhura të PBDNJ-shit për zonën e bregut. Ky zhvillim i fundit në PD- Himarë të kujton ‘Komisionin e festës’ të Kadaresë, ku të gjithë krerët shqiptarë të ftuar në festën e stisur, ua prenë kokën duke e çuar çështjen shqiptare rreth gjysmë shekulli mbrapa.

A ka pasur kontakt me ju zoti Noka para se të bëheshin zgjedhjet dhe nëse po, çfarë Ju ka thënë lidhur me këtë çështje?

Zoti Noka nuk ka dëshiruar të ketë asnjë kontakt me ne edhe pse atë e kishte detyrim statutor dhe partiak. Ishim ne që e kërkuam këtë kontakt dhe pasi biseduam u duk se gjithçka u qartësua, por siç duket punët e errëta kalojnë nëpër shtigje të fshehta dhe zoti Noka si Imer Agai duke treguar shenjën që kishte në mëngë (postin e kryetarit të grupit të punës për Qarkun Vlorë) me një mendjelehtësi fluturake, përqafonte ‘krushqit’ e rinj sikur të kishte zbuluar planetin e ri me jetën parajsë. Plagët e 94-ës kishin zënë kore për të dhe kalimi i djallëzuar i tyre tek PD, i dukej si falje në Mekë. Edhe Isa Buletinin e Bajram Currin të kishte takuar në këmbim të kryetarit të grup seksionit dhe atij të degës së PD- Himarë, nuk do të kishte qenë kaq i lumturuar edhe pse ky i fundit u zgjodh me 25 vota (aq sa mund të marrë një kryetar seksioni). Ndërsa ata që kishin 25 vjet që votonin për PD dhe kishin sakrifikuar idealin e tyre shpirtëror, interesat dhe kishin rrezikuar kokën, tani ishin paskrahu të dënuar për “mëkatin” e tyre të dashurisë ndaj PD. Përbuzje dhe mosmirënjohje më të madhe sesa kjo në Himarë gatë viteve të fundit nuk ka pasur ndonjëherë. A janë këta persona emisarë apo misionarë koha do ta tregojë!?

Po z. Basha a është vënë në dijeni për këtë veprim anti-statutor dhe anti-kombëtar? Çfarë masash ka marrë?

Zoti Basha është vënë në dijeni disa herë nga ana ime dhe anëtarësisë qoftë zyrtarisht dhe personalisht. Kemi marrë një pritje mjaft korrekte zyrtare, një mirëkuptim institucional dhe një premtim shpresues se kjo parregullsi do të evitohej dhe në këtë riorganizim do të zbatohej udhëzimi i nxjerrë prej tij konform vendimit të Kryesisë së PDSH. Ankesa e formuluar nga strukturat e grupseksionit Himarë u dorëzua tek Sekretari Organizativ, në pritje të anulimit të zgjedhjeve të parregullta të organizuara (kujtojmë se në këto zgjedhje nuk u përfillën as kryetari, sekretari dhe nënkryetari i grupseksionit, kryetari i FRPD, kryetarja e LDG dhe kryetarët e sekretarët e seksioneve). Deri tani nuk ka asnjë përgjigje institucionale dhe kjo e fundit qoftë edhe negative nëse do të kishte edhe një argument të vetëm, do të ishte një lloj vlerësimi zyrtar dhe do të tregonte se strukturat e Partisë Demokratike funksionojnë dhe se serioziteti në marrëdhënie me anëtarësinë është korrekt. Por heshtja duket se ka zbritur në një pus të thellë e të errët, nga ku uji i ndenjur ka dekompozuar “kufomën” e së drejtës.

Cili është synimi i bashkëpunimit të z. Noka me këto grupime ?

Në programin e Partisë Demokratike, në procesin e gjatë e të vështirë të dekriminalizimit e të dekusarizimit, në luftën ndaj korrupsionit dhe abuzivizmit, trafikimit të votës është theksuar qartë se pastërtia morale do të jetë një ndër shtyllat themelore e thelbësore të fushatues së ardhme elektorale. Në krah të zotit Noka do të shikonim me dhimbje të thellë ish -pushtetarë lokal të rrënuar moralisht e të akuzuar nga opinioni publik për abuzim me pushtetin dhe gatitësit e rrokullisjes marramendëse të PD-së në këtë treve, trafikantë të blerjes së votës së PD nëpër parti të tjera dhe disa të tjerë që hyjnë e dalin në mënyre sezonale tek PD, të cilët nuk dimë se çfarë i bashkoi kësaj here në kohën e duhur, në vendin e duhur, por sigurisht për interesa të tyre dhe kurrë të partisë. Ata kanë qenë në dijeni të reformave partiake që ka ndërmend të realizojë kryetari Basha dhe kanë nxituar të përpunojnë bazën e partisë për ta pasur të lehtë kandidimin e tyre në listat e deputetëve. Me këtë bazë pa kockë e memorie, manipulatorët e kanë si ujku që mjegulla e sjell në humor të mirë. Çdo program i mirëhartuar, premtim dhe shpresëndjelljeje i materializuar me këto figura që kanë përgjegjësinë historike për fatet e kësaj treve, do të ishte një ridështim i garantuar dhe i pariparueshëm.

Si mendoni z.Çipa, a do të ndikojë kjo në zgjedhjet e 2017-ës? Do të ketë ngritje në vota apo ulje me kësi veprimesh ?

Në zonën e ish- Bashkisë Himarë, PD ka qenë forcë e parë dhe e dytë, por pas bashkëpunimit me PBDNj-in në vitin 2003 e në vazhdim ajo kaloi në vendin e tretë me një numër të reduktuar votuesish. Sa keq duhet theksuar se, edhe në zgjedhjet e fundit lokale ky gabim u përsërit, përpos PD-së, Partia Republikane, e cila ishte pjesë e koalicionit të djathtë i vuri në dispozicion vendet e komisionerëve të saj PBDNJ-së pasi këta të fundit s’kishin hapësirë ligjore. E kundërta ndodhi me PS-në, nga parti e tretë që ishte duke ruajtur identitetin dhe e forcuar atë kaloi në parti të parë. Duke ju referuar asaj që ju pohova pak më lartë dhe duke parë këtë pështjellim që po ndodh në këtë prag zgjedhjesh, mendja ta thotë se, ngritja është e vështirë. Në të gjithë territorin e ri të kësaj bashkie, anëtarë të PD-së, simpatizantë të saj, njerëz të thjeshtë që e shikojnë atë si shpresë e shpëtim, koalicionet e dëmshme të provuara disa herë veç e kanë rrudhur atë dhe i kanë larguar këta njerëz nëpër drejtime jo fort të dëshiruara për ta. Shumë afër kësaj fushate dhe shumë distancë ndaj këtyre njerëzve, harresa dhe mospërfillja kanë faturë të lartë dhe inati ndaj subjektit që ti e do shumë është mjaftë i hatashëm. Asnjë person i lartë i Partisë Demokratike nuk ka marrë mbi supe barrën e rëndë për ta nxjerrë nga gjendja e pashpresë këtë parti në këtë zonë dhe kjo ka qenë vijueshmëri sistematike e qendrës. Ndërsa ardhja e personave si kjo e Flamur Nokës në këtë zonë do të ishte një qefinim i sigurt i vdekjes nga pakujdesia për këtë parti.

Thuhet se në zgjedhjet e ardhshme elementë të PBDNJ do të kandidojnë në listat e PD-së nën siglën e koalicionit të djathtë … Si e shikoni ju apo është tepër herët për të folur?

Unë nuk jam në dijeni rreth kësaj që juve pyesni, por një fjalë e urtë franceze thotë: “Për të mësuar se si është vera, nuk duhet pirë gjithë fuçia”. E sa për verën e pirë me PBDNj-in rrezik se është pirë gjithë fuçia! Hilet e njohura të kësaj partie në këtë trevë, syleshësia jonë dhe sindromi i lobeve greke i njohur për selinë e PD-së ndër vite nuk kanë ç’prodhojnë, veç “avullim” votash tona dhe buzëgreminash koalicionesh që në fund e katandisin kokoshin një thelë. Sa parti janë afruar me thërrime tek ne dhe kanë dalë me kapitale pavarësie dhe grumbullime mosmirënjohëse? Nuk e di se me ç’kostum mund të vishet ky koalicion, por pa tjetër që do të qëndrojë keq se rrobaqepësit që do ta qepin e dinë se pas zgjedhjeve ata do të ndahet dhe trupi që do të ngelet nga ky kostum do të jetë skeletik. Ne jemi formësuar si parti e bashkimit kombëtar (pa pasur fobi ndaj pakicave) dhe çedimet e herë pas hershme me ketë parti sikur na e mjegullojnë imazhin apo çdo devijim është mjaft i ëmbël dhe ata që se hanë këtë “mjaltë” duhet të quhen konservatorë!? Edhe me vëllain të ruan reciprociteti, ndërsa me fqinjin korrektësia!

/kohajone.com/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej