Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Kreu i PE: Diktatori Benito Mussolini, ka bërë dhe gjëra të mira

Nga Media 0

Nga Edon Qesari

Ditën e djeshme, kreu i Parlamentit Europian, z. Antonio Tajani (i grupit parlamentar të partive konservatore europiane dhe anëtar i rëndësishëm i partisë së Berlusconi-t në Itali) pohoi se trashëgimia politike dhe historike e Benito Mussolini-t nuk ishte e gjitha për t’u hedhur poshtë, se ish-diktatori italian kishte ngritur rrugë, qendra urbane, i kishte dhënë vendit të tij zhvillim ekonomik, se deri në fund të viteve 1930, kur shpalli ligjet pro-diskriminimit racor dhe e afroi Italinë me Gjermaninë naziste – lëvizje e cila, e shtyu Romën në të njëjtin front luftarak me Hitler-in gjatë Luftës II Botërore – Mussolini, pra fashizmi, në të vërtet ka bërë dhe gjëra të mira.

Janë dhe një sërë të dhënash të tjera historike që Tajani – si shumë politikanë të tjerë të sojit të vet, të cilët ose nuk e njohin fare historinë, ose e përdorin të shkuarën sa për llomotitje elektorale – mund të kishte renditur, pavarësisht se s’e bëri: si për shembull, fashistizimi i gjithë jetës sociale dhe kulturore që në vitet e para të regjimit musolinian; burgosja, internimi apo zhdukja e gjithe rrymave dhe personaliteteve që nuk ishin në të njëjtën linjë mendimi me regjimin (komunistë, socialistë, demokristianë, republikanë apo thjesht antifashistë); rrënimi ekonomik i vendit si pasojë e autarkisë së vendosur në ekonomi; përfshirja e Italisë në ndërmarrje luftarake apo imperialiste (Spanjë, Etiopi, Shqipëri, Greqi, Jugosllavi) ku krimet ndaj popullatave civile nuk u kursyen; apo të tjera si këto që do t’i mjaftonin Tajanit për të bërë një hap prapa nga relativizmat e tij në vlerësime të fakteve historike.

Megjithëqë, më shumë se të tregojë thellësinë e injorancës së kreut të një institucioni muhabetesh dhe lezetesh të tjera, siç është Parlamenti Europian, pohimet e Tajanit duhen parë në vazhdën e përpjekjeve që e djathta popullore dhe konservatore europiane, në prag të zgjedhjeve në BE, po bën që t’i thithë mbrapsht elektoratin të djathtës ekstreme (apo “sovraniste”, siç së fundi ka llagapin), tashmë duke i marrë për përdorim vetjak edhe disa referenca historike apo parulla ideologjike – në trajtë sigurisht më të squllur dhe të zbutur – e që prapë së prapi diktojnë batakun përreth tyre dhe madje përtej.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej