Ka than' i moçmi: 

"Më lehtë është me mbledhë një thes pleshta, se ti bashkosh dy shqiptarë."

- At Gjergj Fishta

Komisarët e plehrave dhe shenjtorët e higjenës!

Nga 27.al 0

Nga Ermal Telha

Dy palët kryesore në situatën e nxehtë të rikthimit të plehrave të botës në Shqipëri, janë ata që sot i duan, por dje s’i donin dhe ata që sot s’i duan, por dje i donin, ose e thënë ndryshe, komisarët e plehrave dhe shenjtorët e higjenës. Të parët nga të dytët, i dallon vetëm intervali kohor i analizës. Në qoftë se i referohemi vitit 2013, komisarët e sotëm të plehrave janë shenjtorët e djeshëm të higjenës, e anasjelltas, gjithashtu është po kaq e vërtetë.

Komisarët e plehrave e risollën në parlament ligjin e mbetjeve, atë ligj që shenjtorët e higjenës që dikur e donin me ngut, sot e luftojnë me “heroizëm”. Ata janë në emërues të përbashkët përsa i përket thelbit, i ndan vetëm konteksti kohor i vendosjes së ngjarjes, ose më thjesht, përkatësia politike në shumicë apo opozitë, nga e cila rrjedhin edhe përfitimet financiare përkatëse. Rolet janë ndërruar, pretendimet jo! Madje, komisarët e sotëm pretendojnë se kanë përmirësuar procesin, duke garantuar kontrollin e plehrave.

Komisarë dhe shenjtorë, shenjtorë dhe komisarë, kanë siguruar një rezultat të pakundërshtueshëm, pikërisht shpresën e vrarë për çdo qytetar, vendosjen e çdo qytetari në plan të fundit, interesat e qytetarëve në retorikë ndërsa interesat klienteliste në përditshmëri.

Natyrshëm lind një pyetje që shumë prej nesh ja bëjnë vetes duke ju adresuar shërbëtorëve të djeshëm dhe atyre të sotëm:

Për çfarë i shërbejnë plehrat e botës Shqipërisë dhe shqiptarëve?!

Ata (komisarët dhe shenjtorët) me siguri do të përgjigjeshin njëlloj, ndaj po mundohem të përgjigjem si qytetar duke shtuar edhe disa pyetje në formë zgjidhjeje:

Pse duhet t’i shtojmë hapësirës shqiptare shumëfishin e plehrave që vetë kjo shoqëri prodhon dhe nuk arrin ende t’i përpunojë dot?!

Pse duhet të stimulojmë biznesin vdekjeprurës të plehrave, kur mund të stimulojmë turizmin, i cili në vend të fluksit të plehrave, do të na sillte në Shqipëri flukse qytetarësh kuriozë për bukuritë dhe atraksionet kulturore të vendit tonë, të cilat i kemi vërtet me shumicë?!

Pse duhet të besojmë që komisarët e sotëm, ndryshe nga ata të djeshmit, do t’ja dalin të kontrollojnë procesin e riciklimit, në një kohë kur kanë dështuar me sukses në shumë fenomene të tjera si kanabisi, i cili megjithëse jo legal si aktivitet, popullaritetin e ka historik?!

Pse gjithnjë bëhemi të parët e alternativave që fqinjët tanë i refuzojnë ose nuk i konsiderojnë si mundësi zhvillimi biznesi?!

Pse nuk lejojnë referendumin të vendosë për fatin e plehrave meqënëse gjithçka e bëjnë si shërbëtorë të përkushtuar në emër të qytetarëve?!

Pse plehrave duhet t’i hapim derën në një kohë kur një investitori te huaj potencial, jo vetëm që nuk ja hapëm, por ja “përplasëm” në kokë këtë derë?!

Pse opozita e sotme sillet sikur s’ka qënë asnjëherë në pushtet dhe pushteti i sotëm sillet sikur ska qënë asnjëherë në opozitë?!

Në qoftë se këtë artikull do ta kisha shkruar në vitin 2013, komisarët e plehrave do të ishin shenjtorët e higjenës dhe shenjtorët e higjenës do të ishin komisarët e plehrave.

Ata janë njëlloj!

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej