Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Kolë Idromeno, çami i Pargës që u përjetësua në Shkodër

Nga Rexhina Biba 0

Më 12 dhjetor të vitit 1939 u shua artisti i madh Nikolla Idromeno, njeriu i portretit psikologjik, artisti shumëplanësh.

Nikolla “Kol” Idromeno (Hidhromeno) lindi më 15 gusht 1860 në Shkodër, vdiq më 12 Dhjetor 1939. Kolë Idromeno ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant e kompozitor këngësh shkodrane. Ai ishte i pari që realizoi shfaqjet kinematografike në Shqipëri, 1919.

Kolë Idromeno konsiderohet si një prej piktorëve më të mëdhenj të shkollës shkodrane të arteve pamore, së bashku me piktorin Ndoc Martini dhe Simon Rrotën.

Familja e tij, ishte një nga familjet më të njohura të Pargës në Çamëri.

Dasma shkodrane, Kolë Idromeno

I ati i tij, Arsen André Idromeno kishte një punishte marangozi, ku Kola i vogël e ndihmonte, veçanërisht duke zbukuruar orenditë prej druri me vizatime.

Më vonë djali mori mësime për vizatim pranë fotografit të njohur të qytetit, Pietro Marubi, i cili pasi dalloi tek nxënësi aftësi të veçanta, e këshilloi të atin ta dërgonte të birin për studime jashtë vendit. Kështu. Kolë Idromeno vetëm 15-vjeç, në 1875, filloi studimet për pikturë në Venecja të Italisë, ku formohet me veprat e rilindasve europianë.

Pas kthimit në vendlindje, Kola, përveç pikturës që e ushtronte pandërprerë, e tërhiqte mjaft fotografia, të cilën e shihte me kënaqësi në studion e Marubit. Në studio në atë kohë punonte si ndihmës një djalosh zadrimor, Mati Kodheli, me të cilin Kola u miqësua shpejt, por për një kohë të shkurtër, sepse më 1881, ai vdes.

Theksojmë se në këtë periudhe u ngjiz miqësia ndërmjet familjeve Marubi dhe Idromeno që vazhdoi për një kohë të gjatë. Kol Idromeno i firmoste veprat e tij Nikolla Idromeno. Në 1878 i bashkohet lëvizjes patriotike të Lidhjes së Prizrenit, pra kur flasim për Idromenon nuk flitet vetëm në rrafshin e një artisti, por edhe një patrioti të madh që aspironte pavarësinë e Shqipërisë.

Duke parë aftësitë e të birit në lëmën e fotografisë, Arsen Idromeno, vendosi të hapë edhe ai bashkë me të birin një atelie fotografike. Punën në të e drejtonte dhe e përballonte vetë Kola, i cili shfaqi pasion dhe zell të madh si artist dhe teknolog në proceset e fotografimit. Gjatë punës si fotograf, Kola, lidh miqësi me shumë njerëz të të gjitha shtresave, duke u bërë kësisoj njeri i njohur në qytet. Ndërkohë studioja e ngritur në vitin 1884, u quajt me një emër fare shqip “Dritëshkronja e Kolës”, emër që më vonë u huazua edhe nga Marubi që emërtoi atelien e tij “Dritëshkrojetoria Marubi”.

Koli Idromeno u martua me Roza Saraçin, nga një familje qytetare shkodrane. Viti 1888 i rezervon një nga dy ngjarjet tragjike që do i ndodhin në jetë: i vdes djali dy vjeçar, i vetmi bir i tij. Dy vjet më pas, 1890, vdes motra e dashur Tone, 31 vjeçare. Kola tanimë punon kryesisht në dy fusha, pikturë dhe fotografi. Për të pikturuar pikturën e njohur “Motra Tone”, Kola përdori fotoportretin që i kish bërë ai të motrës, ndërsa piktura e mësonte të bënte fotografi artistike sa më ndjesore.

Motra Tone, Kolë Idromeno

Një nga veprat më të dalluara të Koli Idromenos është “12 luftëtarët e Pargës në lundër”. Në këtë pikturë ai kujton largimin e parardhësve të tij nga Parga drejt Himarës. Në 2 shkurt 1883 ai realizon portretin e motrës së tij “Motra Tone”, e quajtur “Mona Liza” e Shqipërisë që vlerësohet  si portreti i parë psikologjik e social i pikturës realiste shqiptare i Rilindjes tonë. Motra e tij e veshur me veshjen tradicionale shkodrane është ngulitur në atë vepër arti, me gjithë delikatesën, bukurinë dhe dlirësinë shpirtërore të një femre shqiptare.

Piktura e fundit e Idromenos është “Plaku nga Postrriba”, ku shpreh situatën ekonomike të fshatit. Kolë Idromeno ka një meritë të madhe në prizmin e pikturës. Risitë që pruri në këtë fushë kanë qenë shumë të rëndësishme, duke ia nisur me realizmin e nga laicizmi i përfaqësuar si tek “Motra Tone” deri tek “Plaku nga Postrriba”.

Plaku nga Postrriba, Kolë Idromeno

Ai u bë i njohur edhe si arktitekt. “Dugajt’ e reja” në Shkodër është një rrugë e projektuar prej tij, por dhe shumë ndërtesa të qytetit dhe rrugë qëndrore janë punuar nga dora e Koli Idromenos.

Artisti i madh u shua në Shkodër 12 dhjetor 1939.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej