Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Kasta jonë sunduese dhe e drejta e Donald Trump*

Nga admin 0

Nga Frrok Çupi

U bënë dy vjet që Presidenti Trump ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë, por asnjëherë “kasta” jonë politike nuk i është referuar doktrinës Trump. Kësaj here iu referuan radios “Zëri i Amerikës”, seksioni shqip- këtë e quajnë “Amerika”, por jo Donald Trump.

Të gjithë këta këtu janë kundër Presidentit Trump; këtu nuk ka as të majtë e as të djathtë, aq më pak parti të djathtë e konservatore,  që të ndjekë modelin e tij. U desh vetëm një artikull i “porositur” për Zërin e Amerikës /Seksioni shqip/ që opozita të thërrasë se “Amerika është me ne”. Artikulli është shkruar nga një gazetare e lidhur ngushtë me opozitën (PD) në Tiranë dhe është suportuar në Uashington nga Elez Biberaj- tani në pension, por emigrant shqiptar i vjetër në Amerikë, gjithnjë i lidhur me frymën anti-komuniste në Shqipëri, për shkak të “biografisë familjare”.

Artikulli i porositur nga Tirana shkruante atë që ishte thënë e shkruar rëndom dhe kopjuar nga dosjet e prokurorisë. Sipas fakteve të strathëna, kryetari i Bashkisë në Durrës paska bashkëpunuar me një bandë “kriminelësh” duke folur në telefon mbi disa shpërblime për zgjedhjet e zhvilluara para gati dy vjetësh. Kjo shërbeu si kauzë që “të ngrihet më këmbë mileti” i opozitës,  sepse Amerika “ka thënë” gjëra të rëndësishme për “vjedhjen e zgjedhjeve”.

Ndoshta dikush do të dojë të krijojë ndonjë “keqkuptim”, sikur ky kryetari i Bashkisë i Durrësit po del “pa lagur” nga gjithë meseleja e lidhjeve të tij me banditë. Jo, sigurisht, ai duhet të japë përgjegjësi pikë për pikë. Por, nuk është ai i vetmi që kreu mëkatin e manipulimit të votave. Këtu ka një histori kastash të tëra me vjedhjen e votave. Opozita e sotme është “heroinë” në vjedhje dhe blerje votash. Një militant i LSI-së së Monikës+Ilir, u vra herën e kaluar dhe la jetën në në Laç duke shpërndarë lekë për vota. PS është kapur në Dibër duke premtuar pagesa për votat në zgjedhjet lokale. PD kur ishte në pushtet “fitoi” 101 për qind të votave (1996). Kryetari i PD, Basha, u ngjit në selinë e kryetarit të Bashkisë me 10 vota të vjedhura sy më sy me forcë nga Arben Ristani, kryetar i KQZ…

Denoncimet nuk kanë të bëjnë me perceptimin se “cili vjedh e blen më shumë se tjetri”. Çështja është se kështu është formuar kasta jonë sunduese politike. Kasta tani kërkon gjak nga populli që kasta të mos zbresë nga froni. Opozita nuk pranon, gjallë me frymë, që të qëndrojë më në opozitë. Po të qëndrojë në opozitë edhe ca kohë- kjo është shumë e rrezikshme për ta: Po vjen reforma në Drejtësi që i plas në burg për krime dhe vjedhje… Kjo është kasta.

Donald Trump hyri në Shtëpinë e Bardhë pa asnjë ditë privilegje politike, asnjë ditë anëtarësi dhe mbështetje partie, asnjë ditë në pazarllëqe zyrash. Hillary, kandidatja përballë, kishte 23 vjet në zyrat e pushtetit dhe të partive; Amerika zgjodhi ndarjen nga kastat, nga establishmenti dhe nga elita liberale demagogjike që funksionon veç për vete…

Këtu, asnjë nga këta, nuk e do Donald Trump. Arsyeja pse nuk e zënë në gojë është ruajtja e vetvetes si “kastë” sunduese përjetë. Të gjithë janë në radhën e llojit që nuk kanë bërë gjë tjetër në jetë veç sundimit: Kryetari i PD ka hyrë në lëkurën e njerëzve veç si i zgjedhur me dorë i një kryetari Partie që është Sali Berisha; vetë kurrë nuk ka dhënë as më të voglin kontribut për vendin. Monika+Ilir janë në pushtet që në adoleshencë; tani janë gati të gjyshërojnë pa u ndarë nga zyrat e pushtetit. Kryeministri Rama, edhe pse është i vetmi që hyri në politikë nga zhvillime demokratike dhe jetë qytetare, prapë ka 14 vjet në pushtet. Kryetarët e tjerë të partive mund të quhen edhe bij por edhe prindër të vetvetes (domethënë, të partive të tyre), duke sjellë ndërmend një “incest politik”.

Të gjithë kanë ardhur e janë larguar nga qeverisja, por gjithnjë në pushtet. Po ata- përjetë! Të gjithëve ua ka pirë lëngun populli, një lëng të hidhët që kurrë nuk do të pranonte ta pinte më. Secili merr para nga fondet publike, kryetari i PD dhe LSI- pjesën më të madhe. Këta, të mësuar me përfitime pa fund, shesin edhe protestat e njerëzve.

Kasta sunduese këtu ka krijuar “moçalin” frymëmbytës, që Donald Trump bëri thirrje: “Drain the swamp!”. Në Europën Perëndimore po zhvillohet me dinamizëm procesi i “tharjes së moçaleve”. Elitat e vjetra politike po largohen nga pushteti…, në Itali, Francë, Gjermani, Çeki, Poloni, Holandë… Elitat e “swamp” e sfilitën Kontinentin e vjetër dhe futën në krizë BE-në. Shqipëria është vendi ku në “moçal” vazhdojnë të ushqehen qetësisht  kastat që i morën shpirtin këtij populli që kur ishin adoleshentë ose qëkur nuk i njihte njeri në këtë botë. Prapë kanë ofruar “luftë” dhe konflikt, vetëm me qëllim që të mos largohen nga pushteti. Asnjë lidhje nuk kanë me fatet e popullit- siç thërrasin. “Mandat”, “mandat”, “zgjedhje”, “zgjedhje”- thërrasin pa pushim, vetëm duke treguar etjen e tyre për vete. Njerëz budallenj që i hanë këto parulla ka kudo nëpër botë, edhe këtu padyshim. Por që të tregojnë të vërtetën se “partitë këtu janë klika që mbrojnë tre a katër liderë” fajtorë- kjo është e larg tyre…

Donald Trump, me ardhjen dhe pas mbërritjes në Shtëpinë e Bardhë, krijoji doktrinën e shërbimit ndaj kombit dhe njerëzve, doktrinën e tharjes së moçaleve, të largimit të kastave sunduese, bezdisëse, mizerrabël…, si këto që jargaviten duke kërkuar luftë. Këta nuk e duan Donald Trum; edhe pse vetë Trump nuk i do, edhe pse kanë bashkëpunuar me kundërshtarët e Trump dhe bizneset ruse; por mbi të gjitha sepse nuk duan t”i aviten modelit të Donald Trump. Trump është “armiku” më i madh për ta. Sepse “doktrina Trump” kërkon largimin e menjëhershëm të kastave sunduese…

Prandaj këta njohin si “Amerikë” jo presidentin Trump, por “Amerikë” quajnë Klodianën nga fshati Domje dhe Elezin nga Uashingtoni…

____

*Fragment nga libriVjen Trump

/veritas.com.al/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej