Ka than' i moçmi: 

"Më lehtë është me mbledhë një thes pleshta, se ti bashkosh dy shqiptarë."

- At Gjergj Fishta

Ju rrëfej Dritëro Agollin e UÇK-së

Nga 27.al 0

Nga Arben Llalla

Të gjithë folën fjalët më të mira për poezinë dhe penën e Dritëro Agollit. Sapo morrën vesh që u shua poeti i madh, nisi gara me turravrap se kush të fliste i pari në gazeta dhe televizione për poezinë e tij, vargjet e për kohët, kur ishte ligjvënës pas viteve 1990. Por, askush nuk foli për kontributin e tij kombëtar, lidhjet me Diasporën shqiptare në Turqi, Itali dhe shqiptarët vendas në Greqi, arvanitasit.

Arben Llalla me Abdurahim Ashikun, Athinë, viti 2000

Pata fatin të bashkëpunoj me Dritëro Agollin jo për poezinë, publicistikën, penën letrare, por për çështjet kombëtare, për UÇK-në e Kosovës dhe arvanitasit. Ishte viti 1998, kur nëpërmjet telefonit Dritëro Agolli më këshillon që të lidhem me arvanitasin e shquar Aristidh Kolën dhe publicistin e njohur dibran Abdurahim Ashikun, i cili jep një kontribut të shquar në emigracionin në Greqi, duke më dhënë madje numrat e tyre të telefonit.

Pikërisht, këshilla e Dritëro Agollit më çoi të njihem nga afër me studiuesin Aristidh Kola dhe të bashkëpunoj me atë deri sa u largua nga kjo botë në tetor të motit 2000.

Dritëro Agolli bashkë me intelektualë të tjerë shqiptarë kishte shumë vite që jepte kontributin kombëtar tek shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Ai pati lidhje me drejtuesit e lartë të UÇK-së e më njohu edhe mua me këta drejtues për të dhënë kontributin në luftën e drejtë të Kosovës. Gjatë vitit 1998-2000, unë drejtova Forumin e Emigrantëve Shqiptar në Selanik, në qytetin, ku ishte baza e fuqishme e propagandës së Millosheviçit. Sak në Selanik djali i Sllobos, Marko Millosheviçi kryente disa sipërmarrje të ligjshme dhe të paligjshme. Një pjesë e këtyre fitimeve përdoreshin në propagandën mediatike të Greqisë kundër UÇK-së dhe shqiptarëve. Atë periudhë bashkë me shumë shqiptarë e arvanitas, ne shkruanim dhe dilnim në mediat greke për të sqaruar opinionin e keqinformuar vendas rreth të vërtetës së UÇK-së dhe luftës së saj të drejtë. Kur avionët e NATO-s nisën bombardimet mbi Serbinë dhe Kosovën më 24 mars 1999, më bie telefoni; ishte njeri nga diplomatët e lartë shqiptar, i cili më rrëfeu se Dritëro Agolli bashkë me Limos Dizdarin janë në Turqi në një takim ndërshtetëror dhe për pasojë që aeroplanët nuk mund të fluturojnë nga Turqia për në Tiranë, ata do kalonin në Selanik dhe duhet t’i gjenim një vend të sigurtë, ku duhet të qëndronin atë natë. Në atë kohë Selaniku ishte një qytet i frikshëm, ku shërbimet inteligjente të ndryshme kryenin misionet e tyre, sepse në portin e këtij qyteti ndodheshin disa anije luftarake të NATO-s. Por, në fakt nëpërmjet Selanikut dhe Maqedonisë kalonin ndihmat për ushtrinë serbe, ku qeveria e Greqisë mbyllte njërin sy.

Më 25 mars 1999, diplomati shqiptar më njoftoi që të shkoja të merrja Dritëro Agollin, bashkëshorten e tij, Sadijen dhe mbesën Anën. Trupi diplomatik shqiptar kishte vendosur që Dritëro Agolli do të qëndronte në shtëpinë time, ndërsa Limos Dizdari në një tjetër shtëpi, kuptohet për çështje sigurie. Nuk bëhej fjalë për punë rehatie e luksi, sepse ata mund të qëndronin në hotelet e Selanikut apo në shtëpitë e diplomatëve, por ishte në pikëpyetje siguria e tyre. Makina me targa diplomatike të Turqisë që kishin udhëtuar dy deputetët shqiptar Agolli dhe Dizdari gjatë gjithë rrugës në territorin e Greqisë ishte përndjekur nga makina të ndryshme dhe kjo kishte ngjallur një farë droje për të panjohurën.

Natën e 25 marsit familja ime pati nderin të kishte mysafir Dritëro Agollin, zonjën Sadijen dhe mbesën e vogël, Anën, të cilën nuk e ndanin asnjëherë siç më thanë. Atë natë e gdhimë me Dritëron duke pirë recinë dhe uiski. Jemi kënaqur me muhabet bashkë me prindërit e mi. Kemi folur për arvanitasit, UÇK-në, historitë e familjeve tona, pothuaj aspak për poezinë dhe letërsinë. Të nesërmen në orën 10.00 paradite i përcolla miqtë e mi, familjen Agolli për në Tiranë.

Kështu e njoha unë Dritëro Agollin si njeri të thjeshtë, njeri që ka kontribuar në çështjen kombëtare, ku ka dhënë një kontribut të shquar në Çështjen e Kosovës.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej