Ka than' i moçmi: 

"Besa, pra, mund të ketë shumë në këtë botë, atdheu është vetëm një."

- Çajupi

Jepini shpresë opozitës më 18 shkurt

Nga Media 0

Nga Mero Baze

Mitingu i 18 shkurtit është një nga momentet më të rëndësishme për opozitën shqiptare, për të cilën ajo ka nevojë për ndihmë. Opozita shqiptare e ka të nevojshme një demonstrim force së paku më 18 shkurt. E dimë të gjithë që mitingu i Tiranës është një antimiting i Bukureshtit, por nuk është fundi i botës. Është përpjekje e opozitës shqiptare për të bërë nxehmjen dhe për të forcuar besimin tek vetja se mund t’ia dalë.

Është një nga ato ngjarje që mund të ndikojë më shumë se sa mendojmë ne në ecurinë e procesit demokratik në Shqipëri.

Shikoni opozitën sot. Është tërësisht e çorganizuar, e shthurur, e demoralizuar, e pamotivuar, e pabashkuar, e papërfillur dhe mbi të gjitha, e parëndësishme për të diktuar në shoqëri. Është një opozitë tërësisht e defaktorizuar, pa ide, pa ideologji, pa identitet, me kauza të rastësishme, të mbledhura rrugës herë nga majtistë ekstremë, herë nga neokomunistë, herë nga racistë, herë nga nacionalistë, e së fundmi dhe nga një specie që vetëquhet “anti-soroist” .

Opozita sot është një konglomerat pakënaqësish që nuk ngjizen dot me njëra-tjetrën, si ata gurët që nuk i mban dot bashkë balta, por duhet diçka më e fortë, më çimentuese dhe më solide, për të bërë një shkëmb. Është ndoshta gjëndja më e keqe që ka pasur ndonjëherë opozita në Shqipëri, pasi është dhe një hallakatje mes dilemave të Bashës për të bërë sikur është kryetar dhe dilemave të Berishës për të bërë sikur nuk është kryetar.

Është kjo arsyeja që opozita ka rënë në batak, është defaktorizuar dhe mund të mos ia dalë dot as të shkojë deri në zgjedhje.

Ndaj është mirë të mos demoralizohet nga krahasimi me Rumaninë. E vërtetë është që luftojnë për kauza të ndryshme, por të dyja bashkë luftojnë kundër qeverive përkatëse.

Më 18 shkurt ata kanë nevojë të tregojnë muskujt. Kanë nevojë të duken të fortë, të pamposhtur, qëndrestarë, të pamëshirshëm dhe mbi të gjitha, me shpresë. Ndaj, mos i dekurajoni, duke u kujtuar që nuk duhet të thyejnë, të shkatërrojnë apo të djegin diçka. Veset dalin bashkë me shpirtin. Do ta bëjnë dhe atë. Problemi është të tregojnë se janë gjallë. Dhe dobësia e tyre sot është dobësia e shoqërisë shqiptare.

Në mungesë të opozitës politike po lulëzojnë lloj-lloj opozitash klienteliste, bazuar mbi klientelizmin e trafiqeve, krimit të rrugës dhe drogës dhe pse jo, ekstemizmit fetar.

Nëj dështim i opozitës më 18 shkurt, do të thotë një demoralizim i tyre, një shenjë për mos futje në zgjedhje dhe shformim të një partie historike, të cilën duket se e ka vënë nën vete duke e përdhunuar si një i devijuar nga inçesti, ai që e ka keqpërdorur për 27 vjet.

Prandaj, është mirë që më 18 shkurt ata të ndjehen të fortë dhe me shpresë. Asgjë nuk e gjen Shqipërinë nga një protestë e fortë, e madhe dhe nga një ngushëllim, qoftë dhe tek dhuna për të nxjerrë dufin. Është mirë ta heqin mendjen se po i merr pas rrokupuja e Shkëlzenit dhe Arminës, degradimi i Saliut, qaramanllëku i Lulit tek të huajt për Berishën, dyzimi se çdo bëjnë me LSI-në apo zgjedhjet.

Shqipëria ka nevojë të ketë shpresë si demokraci funksionale dhe shpresa vjen nga normaliteti i garës dhe betejave elektorale. 18 shkurti vlen për t’i dhënë shpresë opozitës të shkojë në zgjedhje të masë forcat, dhe pse jo, t’ia dalë.

Në të kundërt, më 19 shkurt, Shqipëria do ketë më shumë zi, më shumë pesimizëm, më pak shpresë dhe mbi të gjitha, më pak shanse për garë më 18 qershor, katër muaj më vonë, pasi shumica do ndihet komode dhe arrogante. Dhe do të kemi po ashtu, një “nxitje” të forumeve të LSI-së, për të ndarë mendjen me kë do jenë në koalicion. Zgjedhjet mund të afrohen katër muaj më afër, nëse ata dështojnë, por askush nuk do ndjehet i fituar. Opozita duhet ndihmuar të shpresojë.

/gazetatema.net/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej