Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Janullatosi, katedralet e ngjalljes dhe manastiret e vdekjes

Nga 27.al 0

arben llalla

Nga Arben Llalla

Tashmë dihet që Kryepeshkopi grek i ortodoksëve shqiptarë, Anastas Janullatosi e ka mbështetur të gjithë diskurin e tij publik në konceptin e ringjalljes së KOASH-it, të cilën e kishin vrarë komunistët shqiptarë. Prandaj, ngaqë bashkë me kishën, komunistët kishin vrarë dhe priftërinjtë, u desh të sakrifikonte Greqia një nga peshkopët e saj, të dorëzuar nga Jeronimi I, (jo i sotmi) që njihej për afrimitetin e tij me juntën ushtarake dhe me praktikat e tij antikanonike dhe parakishtare. Sigurisht që këto praktika të jashtëligjshme dhe të padëgjuara më përpara në historinë e kishës ortodokse botërore, po i bën edhe nxënësi i tij i zellshëm, Janullatosi, të cilët vetëm për kishë, kanune e traditë nuk do t’ia dijë, por “feja” e tij e vërtetë është t’i shërbejë greqizimit dhe shtetit grek, siç kishte bërë gjithë jetën, mentori i tij, që u dorëhoq për këto shkelje të rënda.

Cilat janë praktikat parakishtare dhe antikanonike të Kryepeshkop Anastasit?

Unë kam denoncuar edhe më përpara, dorëzimin në kundërshtim me kanonet apostolike të gjysmës së peshkopëve të sinodit, të cilët janë me prejardhje myslimane. Pakënaqësia për këto gradime ka arritur kulmin në qarqet kishtare ortodokse shqiptare. Gjithashtu, përplasja mes klaneve që ndjekin këta peshkopë, por Anastas Janullatosi as që do t’ia dijë, madje ai në këtë drejtim punoi, që të mbillte përçarje mes klerit ortodoks, në mënyrë që ta kishte më të lehtë për të sunduar. Praktikat e kërcënimit me bukën e gojës dhe pagesat më të ulëta se minimuni jetike të priftërinjve, të cilët pas dekadash me veladon, nuk kanë nga t’ia mbajnë, janë gjithashtu të njohura për publikun dhe të trajtuara gjerësisht prej meje.

Por, në këtë shkrim, do trajtoj një tjetër praktikë të çuditshme, precedent unik botëror kishtar, nga ato histori që e bëjnë tashmë qesharake, kishën martire shqiptare. Sapo erdhi Janullatosi, u kujdes të kuronte kultin e tij të individit dhe për këtë rekrutoi specialistë të PR-it, nga më të mirët e Greqisë. Fabula do të ishte që Janullatosi, misionari vetëmohues, braktisi karrierën universitare për të ringjallur kishën shqiptare dhe për këtë shqiptarët duhet t’i ishin përjetësisht mirënjohës, adhurues të bindur. Por, qasja është tejet egoiste dhe megallomane. Anastasi, ngatërron realitetin shqiptar me atë grek dhe flet vetëm për ortodoksizmin. Sigurisht që komunizmi i goditi të katër komunitetet fetare, por asnjë nga krerët e këtyre komuniteteve nuk pretendoi kredite dhe famë për ringjalljen e katoliçizmit, të islamit apo të bektashizmit. Qasja e këtyre krerëve ishte e përulur dhe ata i jepnin lavde Zotit në qiell që lejoi më në fund lirinë, e cila do të sillte automatikisht riçeljen e luleve fetare.

E thënë më thjesht, edhe pa Janullatosin ortodoksia në Shqipëri do të ringjallej, siç ngjau me fetë e tjera në Shqipëri, ndoshta jo me kaq pompozitet të jashtëm ndërtesash e investimesh, me paratë e ardhura nga matanë kufirit. Ndoshta do të ishte një lule më e vogël, por që do të kishte aromën e saj biologjike shqiptare dhe jo një “lotus”, kaq i madh, i rritur me hormone të injektuara grekomane. Megjithatë, Janullatosi nuk e mendoi më gjatë, por nisi çeljen e shkollave dhe mediave, si hap i parë i natyrshëm për propagandën fetare. Për të rrënjosur përrallën e tij në mendjen e ortodoksëve, i pagëzoi ato me emrin “Ngjallja”. Radio, gazeta, seminari i priftërinjve, kishin të njëjtin emër, që për çudi, në greqisht përkthehet si “Anastasis” që përkonte me emrin e Janullatosit. Kështu kulti i Shën Anastasit, ringjallësit i kishte të gjitha kushtet për t’u kultivuar. Por, kryepeshkopi me kombësi greke nuk u ndal me kaq. Ai pagëzoi edhe Katedralen e Korçës po me emrin “Ngjallja” dhe shumëkush do të mendojë që e zgjodhi si simbol të triumfit të Zotit mbi ateizmin komunist. E lënë me aq, kjo histori do të kishte kuptim, madje do ta bënte efektin e dëshiruar prej Janullatosit. Por, mania për famë dhe lavdi e shtyu prelatin e huaj, të emëronte njësoj edhe katedralet e Tiranës, edhe të Gjirokastrës, pa përmendur edhe ndonjë kishë tjetër të qyteteve më të vogla.

Kështu, tre nga katër dioqezat shqiptare, i kanë të konsakruara katedralet me emrin “Ngjallja=Anastasis”. Veç ajo e Beratit shpëtoi pa marrë emrin e Anastasit, pasi kishte një parahistori që e pengonte murgun grek ta uzurponte katedralen e fundit, sepse po t’ia kishte arritur, ridikulizimi që i ka bërë kishës shqiptare do të kishte arritur në zenit.

Cila nga kishat autoqefale të botës, ka të emëruara katedralet kryesore të saj me të njëjtin emër? Asnjëra, dhe kurrë nuk do t’ia lejonin vetes një gjë të tillë. Sidomos emri “Ngjallja”, u jepet shumë rrallë kishave në botën ortodokse, pasi me këtë emër njihet kisha e Jeruzalemit, që mban brenda saj, varrin e Krishtit. Po ua lëmë lexuesve t’i nxjerrin përfundimet që kjo histori e kthyer tashmë në qesharake, mund t’u shkaktojë. Sigurisht, ka informacion që shumë klerikë dhe besnikë të oborrit, po u vënë edhe emrin Anastas fëmijëve të tyre, por kjo është një çështje e tyre private, megjithëse po bëhen personazhë anektodash, të cilat do të tregohen gjatë mes shqiptarëve.

Natyrisht, shenjtori ynë akoma i gjallë i ka krijuar kishës shqiptare edhe një histori tjetër, që qëndron në antitezë me fabulën e parë.

Është fenomeni i njohur i mbjelljes së eshtrave të ushtarëve të vdekur grekë nëpër manastiret dhe kishat e jugut të Shqipërisë, duke krijuar kështu një vijë imagjinare të një kufiri të ri të helenizmit. Si shpjegohet që misionari ynë që erdhi të ringjallte kishën shqiptare, u mor më shumë me vdekjen dhe të vdekurit? Nëse katedralet i emëroi me ngjallje, pse i errësoi manastiret shqiptare me vdekjen dhe i murosi rreth tyre të vdekurit grekë? Pikërisht, sepse ai nuk erdhi për të ringjallur ortodoksinë, por helenizmin dhe këtë mund ta bënte vetëm nëpërmjet kultit të vdekjes dhe jo të jetës. Sepse, jeta i përket popullit shqiptar që banon prej shekujsh në këto troje. Pa dyshim jeta do të triumfojë në këto troje. Ashtu sikurse pas komunizmit, fetë rilindën në Shqipëri, kështu edhe pas diktaturës grekomane anastasiane, do të ringjallet realisht ortodoksia shqiptare e marrë peng prej Janullatosit dhe shpurës së tij. Kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe atëherë shenjtori ynë do të ekzistojë vetëm në ikonën që porositi t’i pikturohej para vdekjes, nga frika se mos e fshinin nga historia. Por, historia është e pamëshirshme, ajo nuk të fshin, por të jep vendin e merituar. Faktet janë kokëforta.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>