Ka than' i moçmi: 

“Gjysmë mjeku-vdes njerëzia, gjysmë idealisti-nuk bëhet Shqipëria”.

                                     -Fan Noli

Jam shpata, kam prerë koka e koka…

Nga Media 0

Nga Poety Arte

Jam shpata.
Kam prerë koka e koka…
Kam prerë kokën e Karlit zulmëmadh, kokën e kokëfortit Rikard, kokën e Ibën Khalimit të kuq të Arabisë, kokën e Abdulullah Flokëgjatit, kokën e mongol Tinean Taimunit…
Kam prerë koka gjeneralësh që s’ua kujtoj dot emrat. Kam prerë kokat e mijëra ushtarëve, që në luftëra të barabarta e të pabarabarta, dhanë jetët e veta për asgjënë, duke luftuar e duke u qëndruar besnikë (deri në më të fundmen sekondë të frymës), mbretërve të rremë e të lavdishëm, që kishin patur veç një synim të vetëm: lavdinë e vetes.
Kam prerë koka të zbardhura pleqsh të mbarë, dhe njerëzish të pafajshëm e të qëndrueshëm, që përpara barbarisë sime, nuk u ka lëvizur qerpiku, por i kanë zgjatur qafat dhe e kanë kërkuar shpëtimin e përtejshëm, në përmendjen e emrit të një Zoti të Vetëm.
Kam prerë edhe koka hajdutësh, koka kopukësh, koka mashtruesish e rrëmbyesish të shumtë – historia është përplotë e mbushur, me mashtrues rrugësh e hajdutë burrështetas.
Kam prerë koka heronjsh, në histori librash, që mëpastaj i dogjëm, kur e përdhunuam bibliotekën e famshme të Babilonisë, ku, – e pranoj – jam munduar fort, duke ngarë pas një miu të vogël e hidhnak, që e ngava e s’e zura kurrë, e që edhe sot e kësaj dite më dhemb, pse s’arrita ta zë, t’ia pres kokën atij minoku.
Historia ime është e gjatë, ndaj po t’i përshkruaja gjithë prerjet që kam bërë, shekuj do më duheshin për ta mbaruar rrëfimin.
Por, ka ca vite që më kanë ngujuar në këtë muze, ku tri unaza të hekurta më mbërthejnë për muri. Është tepër mizore jeta ime; edhe më mizor, mbërthimi.
Shpatë mos qofsha, unë tani e vuaj vertikalen e vdekur të këtij muri të ftohtë. Jam me kokë teposhtë në këtë boshësi të lodhshme. Errësira është e padurueshme; i padurueshëm është ftohti.
Arrij disi, ta përballoj ftohtin dhe errësirën…
Ç’s’mund të duroj, ç’m’i ha nervat e më bën të vuaj, është ai mi i zi (s’ka dyshim se është pikërisht ai miu i vogël i ndërgjegjes, që e ngava e s’e zura kurrë), që më vjen natë për natë, e më zgërdhihet mu përpara hunde, duke m’i treguar ata dhëmbë të vegjël e të bardhë, sikur do, të më thotë se, triumfi që mbahet mend, historia që mbijeton, është vetëm ajo e minjve.
Në mut i pasha, triumfin dhe historinë! Unë veç dua të shpëtoj nga ai mi mizor, që, për çdo natë më vjen para mëngjesit, ngjitet për muri me ato këmbë të vockla, më ndalet mbi krye, dhe më pëshurr sa t’i dojë zemra!
Shpirti më ka ardhur majë hunde! Në mut e pasha, lavdinë e shpatës, lavdinë e gjakut!…

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej