Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

A ja del dot PBDNJ, si parti “antishqiptare”?

Nga 27.al 0

Nga Mero Baze

Partia e pakicës greke në Shqipëri ka një histori të gjatë dhe vitale në 25 vite pluralizëm në Shqipëri, duke ja dalë të jetë një ombrellë pakicash dhe një institucion politik që mbron të drejtat e rrezikuara të tyre.

Në zgjedhjet e para pluraliste në 31 mars 1991, ajo nuk ekzistonte dhe pakica greke u përfaqësua me Shoqatën “Omonia”, ku mori 5 deputetë, për shkak të zonave të vogla elektorale dhe numrit të madh të deputetëve, që ishte 250 vetë.

Paketa e re kushtetuese e Shqipërisë, e verës së vitit 1991, ndaloi ekzistencën e partive me baza etnike dhe fetare në Shqipëri dhe kjo çoi në krijimin e PBDNJ, një parti politike që do të mbronte të drejtat e pakicave të rrezikuara në Shqipëri, jo vetëm asaj greke. Megjithëse, pas saj shtylla kryesore ishte OMONIA, nën drejtimin e urtë dhe të mençur të Vasil Melos, një ish-disident antikomunist, PBDNJ filloi të ketë një shtrirje territoriale nga Saranda, në Kukës e Shkodër, duke u bërë një parti e rëndësishme kombëtare e spektrit politik shqiptar.

Ai fitoi dy deputetë në sistemin mazhoritar në vitin 1992, ndërsa në zgjedhjet e vitit 1996, rrezikoi të ngelej jashtë Kuvendit për shkak të manipulimit.

Në zgjedhjet e vitit 1997, PBDNJ u forcua me deputetë në Korçë, Vlorë dhe Tiranë, ndërsa në vitin 2001, arriti të futej në Kuvend në raundin përsëritës të zgjedhjeve në zonën e Dushkut me tre deputetë, për shkak të skemës së famshme të “Dushkut” në sistemin elektoral.

Vasil Melo kishte mbledhur në PBDNJ, gjithë figurat autoritare të pakicës greke në Shqipëri dhe intelektualë pro pakicës greke. Kishte një politikë më shumë se të kujdesshme për të mos qenë provokativ, por i pranueshëm nga pjesa tjetër e spektrit politik. Ai arriti t’i japë një brishtësi dhe një iluminim partisë së tij, si parti moderne europiane, aq sa detyronte spektrin politik shqiptar, të ishte i kujdesshëm me të dhe partinë e tij. Ai nxiti një lloj delikatese shqiptare ndaj pakicës greke në Shqipëri, me qëndrimet e tij.

Edhe kur në vend pati kriza të mëdha, siç ishte viti 1996 apo viti 1997, Melo arriti ta mbante PBDNJ larg urrejtjes popullore, megjithëse në disa raste konflikti me Greqinë ishte i hapur dhe armiqësor.

Pas vdekjes së Vasil Melos më 2002 dhe ardhjen e Vangjel Dules në krye të PBDNJ, profili i kësaj partie ndryshoi tërësisht. Dulja filloi të braktisë pakicat e tjera në Shqipëri, si ato rome, vllehe, goranët, vrakaçarët, gollobordasit, shulet e të tjera, siç njihen në zhargonin popullor dhe u fokusua jo vetëm tek pakica greke, por tek elementët më radikalë të tyre. Ai e ktheu PBDNJ në një truprojë të sillogjeve të Greqisë së Veriut, që janë qesharake dhe të vjetra për vetë Greqinë. Brenda PBDNJ ndoqi një politikë spastruese nga elementët e moderuar intelektualë dhe nga figura popullore që ndjehen tërësisht grekë të Shqipërisë dhe jo desantë grekë në Shqipëri.

Shumë figura të njohura të PBDNJ, ish-ministra të saj dhe autoritete të larta shtetërore u larguan nga PBDNJ dhe sot askush nuk di të thotë ndonjë emër, përveç Dules dhe Bollanos, në atë parti.

Pas rënies së influencës sociale greke në Shqipëri, liberalizimit të vizave e zbehjes së pensioneve greke për minoritetin, edhe influenca politike e Greqisë ra. Në këtë moment, në vend që PBDNJ të fokusohej tek qëndrime më integruese me shoqërinë shqiptare, shkoi nga kahu i kundërt, duke u mbështetur në elementë ekstremistë antishqiptarë, të cilët e kthyen PBDNJ, nga një simbol paqeje dhe bashkëpunimi, në një simbol sherri dhe agresiviteti.

Kulmi ka arritur me qëndrimet që PBDNJ mori ndaj Çështjes Çame, duke e sulmuar atë më shumë se Athina zyrtare. Nëse ka diçka që PBDNJ, jo vetëm nuk duhet ta zërë në gojë, por duhet ta shmangë si debat, është genocidi ndaj çamëve, pasi ai ngjall ndenja negative tek shqiptarët për Greqinë dhe PBDNJ-së nuk i bën mirë kjo klimë. PBDNJ jo vetëm që e sulmon atë si çështje, por merr shpesh qëndrimet ekstreme të fanatikëve fashistë grekë ndaj saj.

I gjithë ky pozicion i ri politik i PBDNJ, e ka dobësuar ndjeshëm atë si parti, aq sa një tjetër fraksion i pakicës greke në Jug, MEGA, me një udhëheqje modeste lokale, ka arritur të marrë në Sarandë më shumë vota se PBDNJ dhe ta mundë atë në zgjedhjet vendore të vitit të shkuar.

E çuditshme është se ndryshe nga profili që i jep partisë së tij, Vangjel Dule ka një shfaqje tjetër në publikun shqiptar. Ai është racional, kur gjykon politikën shqiptare, konstruktiv kur flet për konfliktet politike mes politikës shqiptare dhe shpesh shumë më i urtë se Rama, Meta apo Berisha për zgjidhjet që ofron.

Por, ai është gabim pikërisht aty ku duhet të ishte konstruktiv. Ai mendon me sa duket se një politikë ekstreme e PBDNJ, dhe bërja e saj si zëdhënëse e qëndrimeve ekstreme greke, mund të kthejë vëmendjen ndaj saj dhe mund t’ia dalë të qëndrojë në Kuvend me një deputet, ose dy.

Në zgjedhjet e fundit në fakt, Dule hyri në Kuvend, për shkak të ndihmës së Partisë Socialiste dhe Bollano dy herët e fundit, më 2007 dhe 2011, ka dalë kryetar bashkie me votat e hapura të PD, e cila është dashur dhe të manipulojë, që ai të fitojë.

Pozicioni i ri i Dules dhe PBDNJ, si një parti “antishqiptare”, u vulos me dorëheqjen e tij nga nënkryetar Kuvendi, vetëm pse u emërua si nënkryetar Shpëtim Idrizi. Nuk di sa popullor e ka bërë kjo gjë në Greqi, ku nuk voton askush për të, por në Shqipëri, më së shumti është dukur një budallallëk. Pos të tjerash, ky gjest rrezikon ta defaktorizojë edhe në Athinë, pasi ka lëshuar një pozicion të rëndësishëm shtetëror në Shqipëri. Akoma më keq mund të defaktorizohet, nëse nuk ja del të përfaqësohet në Kuvend. PS, PD, apo LSI, mund të fusin kandidatë nga pakica greke në listat e tyre, duke e defaktorizuar atë dhe duke i krijuar Athinës zyrtare një pol të ri komunikimi politik me pakicën greke në Shqipëri. Po ashtu, rivali i saj MEGA, e cila po shtrin ndikimin e saj në paqe, mund t’i bëhet një rival serioz.

Dhe politika konfliktuale, nuk stimulon bashkëjetesën këtu, por eksodin e grekëve. Dule sa më grek të hiqet këtu, sa më shumë tenton t’i fusë në sherr ata me shqiptarët, aq më pak grekë ka në Shqipëri, aq më shumë i nxit ata të ikin në Greqi e të jetojnë atje. Bilanci i hidhur i eksodit të tyre drejt Greqisë, i bën ata sot fizikisht të defaktorizuar nga pikëpamja elektorale, edhe për shkak të politikës greke, që i mban me këmbë në Shqipëri dhe gojë në Greqi.

Por mbi të gjitha, është e vështirë t’ia dalësh më 2017 në Shqipëri, pas 25 vitesh tranzicion dhe hapje, si një parti ksenofobe, raciste dhe pro fashiste, në emër të një pakice, që jo vetëm nuk ka të rrezikuar asnjë të drejtë, por është me e sigurtë nën udhëheqjen e politikës shqiptare se sa të një aventure të tillë. Vangjel Dule mbetet një politikan i urtë shqiptar, kur flet si politikan shqiptar dhe një grek ekstremist në politikën shqiptare, duke u bërë më antishqiptar se sa u duhet dhe ekstremistëve. Besoj që ai mund t’ia dalë vetëm me urtësi dhe si faktor integrues, jo si sherrxhi që ankohet tek “vëllai i madh”, kur nuk ia del dot sherrit në lagje.

/gazetatema.net/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>