Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Ishte një gjë e trishtuar të shikoje Tokën nga Hëna…

Nga Media 0

Nga Kasëm Trebeshina

ODIN MONDVALSEN

Jo!… Unë isha tek ai vendi atje poshtë dhe kisha një emër! Tashti jam këtu dhe kam një emër tjetër… Ndofta atje nuk kisha asnjë emër, pasi më kishin thirrur me një emër . Dhe tashti jam…
Po, mua më quajnë…
Ata qeshin se mua më quajnë…
Ç’ka këtu për të qeshur?
Më parë kisha një emër, kurse tashti më quajnë… Më quajnë Odin Mondvalsen. Ç’punë u prish atyre se mua më quajnë kështu?… Nuk e keni dëgjuar ndonjëherë këtë emër? Shumë mirë: dëgjojeni tashti! Si?… Nuk doni ta dëgjoni? Pse?… Se nuk e keni dëgjuar? Dhe pastaj?… Nuk e ke dëgjuar më parë, dëgjoje tashti.

Njerëz me bluza të bardha vijnë vërdallë, më bëjnë injeksione dhe ikin. Vijnë ata pa bluza dhe nuk duan të dinë fare për emrin tim. Ata nuk duan të besojnë se unë isha në Hënë dhe pastaj, pasi varrosa katër shokët e mi, erdha këtu në Mars dhe u bëra Odin Mondvalsen!…
Jo!… Odin Mondvalsen unë isha edhe më parë se të zbrisnim në Hënë. Odin Mondvalsen unë isha atëherë kur nuk isha unë. Pastaj zbritëm në Hënë ku mblodhëm kunguj, domate dhe qiqra.
Bre! Sa u bënë qiqrat atë vit!… Ne hëngrëm sa u dendëm dhe pastaj unë dola përjashtë tek nata dyjavëshe e Hënës që nga doja të vështroja Tokën në dritën e Hënës. Ose dreqi e di në dritën e kujt… Ishte një gjë e trishtuar të shikoje Tokën nga Hëna, kur e dije se atje ishte dikush që të kërkonte me sy, ngaqë kishte mall të të shihte dhe nuk të shihte dot.

Zot i Madh, si u ngatërruan punët!… Duket Harizit të Dajlanit i kishte humbur gomari dhe ne u nisëm për në Mars që ta gjenim. Pesë vetë për një gomar!… Dhe ne ishim që të pestë komisarë… Po ata të katër vdiqën në Hënë dhe unë i varrosa atje. Pastaj vetëm u nisa per në Mars për të gjetur gomarin e Harizit. Duket dikush më thërriste nga pas:
– More, kthehu!… Se gomari erdhi në shtëpi!…
Mirë e kishte ai, po ku dëgjoja unë?! Isha nisur për një gomar dhe duhej patjetër ta gjeja!… Duhej patjetër të gjeja një gomar me shalë ose me samar.
Djalli e mori atë punë!…

Sa zbrita në Mars më diktuan, më arrestuan, më pyetën, më shanë, më rrahën dhe pastaj erdhën këta njerëzit me bluza të bardha. Këta e kanë punën me injeksione dhe, kur heqin dorë nga ato, vinë ata të tjerët pa bluza dhe të gjitha fillojnë nga e para.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej