Ka than' i moçmi: 

"Populli nuk e pëson duke qenë i ditur."

- Pjetër Bogdani  

Ilir Kerni: Në 2013 besova si fëmijë dhe ishte ndjenjë e bukur. Tani po shijoj ndjenjën e zhgënjimit total…

Nga Ejona 0

Ish- drejtori i TKOB, Ilir Kerni, ka thyer heshjen, pas një periudhe 6-mujore, pas dorëheqjes së tij: “Tani për tani vazhdoj të shijoj ndjenjën e zhgënjimit total. Pranoj ta shijoj thellë sepse në 2013 besova si fëmijë dhe ishte ndjenjë e bukur!”

Ilir Kerni u emërua drejtor i TKOB më 25 tetor 2013 dhe u largua, pas dorëheqjes, më 30 korrik 2016.  “Çfarë bëri TKOB në 33 muaj?.. Unë mund ta argumentoj me fakte, por ndoshta një herë tjetër. Por, për mua, ajo periudhë është fillim-epoke i teatrit normal, ashtu siç duhet të jetë. Sot, kur e mendoj, unë drejtor i TKOB për 33 muaj?… S’di pse e shtynë kaq gjatë me një tip si unë… ndoshta veshtirësitë e suksesit dhe të pastërtisë…”

Gjatë kohës që Kerni ka qenë në krye të këtij institucioni, emra të rëndësishëm si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu apo Shkelzen Doli ka qenë pjesë e Skenës së Operas. Realizoi me sukses një sërë premierash dhe kishte vizionin perëndimor të drejtimit të një teatri modern. U detyrua të dorëhiqet, më 30 korrik, për  shkak të buxhetit të ulët për TKOB. Pati shprehur pakënaqësi me buxhetin e akorduar për institucionin që ai drejtonte: “Me buxhetin më të ulët historik. Shpenzimi mesatar për një shfaqje nuk kalon të 600 eurot”.

Sot balerini i mirënjohur, Ilir Kerni u rikthye edhe një herë në Kroaci, në Zagreb, ku jeton e punon që prej viti 1994. “Tani për tani vazhdoj të shijoj ndjenjen e zhgënjimit total. Pranoj ta shijoj thellë sepse në 2013 besova si fëmijë, dhe ishte ndjenjë e bukur! Unë jam mirë me gjthçka! Në tetor të 2016 kam filluar punë, plani B, i cili më bënte Njeri të Lirë”.

Artisti i shquar Ilir Kerni nuk është i vtmi që ka pësuar një zhgënjim të tillë. Pak ditë më parë reagoi edhe tenori i mirënjohur Agim Hushi, me një letër të dhimbshme, ku shprehte zhgënjimin e tij të thellë ndaj politikave shtetërore të artit si dhe mungesës së respektit e vëmendjes ndaj artistit dhe kontributeve të tij.

“Një ditë mund të bëjmë një intervistë, sigurisht, por a ia vlen?…”, kjo është dilema e Ilir Kernit, që, për fat të keq, ëndra e bukur e vitit 2013, iu kthye në makth, sepse u gjend në një vend të gabuar, në një kohë të gabuar …

Në fund Ilir Kerni e mbyll me një postim interesant: “Ka diçka të ngjashme atmosfera në Shqiperi  me tipin e fotos “Hannibal” Anthony Hopkins!!”

***

Ilir Kerni u lind në Tiranë më 18 maj 1959. Në 1977 mbaroi Akademinë e Baletit. Si blerin i parë u angazhua menjëherë në TOB në Tiranë, ku për aktivitet të shquar artistik u vlerësua me një sërë titujsh, si: “Artist i merituar”, “Çmimi i Republikës”, Urdhrin “Naim Frashëri i klasit të II–të” etj. Për mëse dhjetë vjet realizoi me mjeshtëri të lartë: 1982: “Para stuhisë” (Adili), 1982: “Shote dhe Azem Galica (Azemi), 1983: “Halili dhe Hajria” (Tahir beu), 1984: “Joniada” (Shpendi), 1986: “Arrëthyesi” (Frici), 1989: “Vajzat e qytetit të gurtë” , 1992: “Don kishot” (Bazilio) etj. Në të njëjtën kohë Kerni u angazhua edhe si pedagog në Akademinë e Baletit – Tiranë. Po ashtu, ka punuar si pedagog dhe në Tokio, Francë, Kroaci. Në vitin 1990 fitoi bursën e UNESCO–s për pedagogji e kërcim, në “Grand Opera” në Paris. Pasi përfundon këtë të fundit, angazhohet në “Opera de Strasburg”. Nga 1994 ishte balerini kryesor  në Teatrin Nacional Zagreb, ku u dekorua disa herë, si: dy herë me çmimin “Oskar Ormosh”, si dhe në vitin 2002 i jepet Çmimi më i lartë në Kroaci, për rolin e Mefistofelit në baletin “Faust”, si roli më i mirë, çmim për të cilin është nominuar edhe tri herë të tjera. Më 2005 iu besua edhe detyra e baletmaestrit të trupës. Gjatë karrierës së tij si balerin ka interpretuar me dhjetra role të spikatura. Në tetor 2013 mori detyrën, si drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit, të cilën e ushtroi deri në korrik 2016.

 /360grade.al/

 

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>