Ka than' i moçmi: 

"Çlirim i një populli nuk do të thotë liri e tij duke skllavëruar një tjetër."

Faik Konica

Ikën edhe virgjëreshat bashkë me burrneshat, mbetëm ne lexuesit e pornove nëpër gazeta

Nga Media 0

Nga Artan Fuga

Ikën ata që shpallën pavarësinë,

madje iku edhe Haxhi Qamili,

Iku Selam Musai,

vate edhe Themistokliu.

Ikën ata që kishin bërë studimet në Firence, Romë dhe Vienë,

dërguar nga Lartmadhëria Zogu i Parë i shqiptarit,

Ikën edhe ata që më pas i bënë studimet në Moskë, Kiev dhe Leningrad,

mbetën ata që diplomohen me letra pa vlerë njomur me ujë Lane.

Madje ikën edhe ata që studjuan në Kinë, Vietnam dhe Kore.

Gjithçka në tru ka zënë kore,

ose skorje,

Mall rrethinash elbasani.

Prodhim shkretëtire e Gobit, me etIketë anglosaksone.

Ose edhe ca të tjerë nga krahina dru me pre!

Ikën gjeneralët,

ikën dallëndyshet, lejlekët dhe arinjtë nga malet.

Ikën traktoristët,

Ikën kombajnerët!

Madje ikën edhe shoferët

të skodave Albania, kontrabandistët,

Mbetën analistët,

Ikën ata që dinin latinisht.

Ikën edhe osmanologët.

Ikën ata të greqishtes së lashtë,

ikën përkthyesit e kinezces

të rusishtes.

Nuk ka më as të burgosur për të përkthyer si duhet veprat e mëdha të artit botëror.

Tani mashtruesit përkthejnë rëndomthi me google translator.

Ikën ata që dinin të ndërtonin hekurudha,

ikën ata që dinin të operonin,

Ikën ata që mbi supe dinin të mbanin pesëdhjetë vite burg,

ikën meshtarët ilegalë dhe hoxhallarët që agjëronin fshehurazi.

Ikën dhe besimtarët,

mbetën bestydët dhe ne frikacët nga vdekja.

Ikën dashnorët e serenatave,

ikën vajzat që kishin frikë mamatë,

ikën gratë që u ndruheshin burrave dhe burrat që nuk kishin frikë nga gratë.

Mbetën T-shirt-et uniseks.

Ikën edhe virgjëreshat bashkë me burrneshat.

Mbeti preshi.

Dhe kastraveci i rritur në furgone

me hormone.

Iku dhe Bulevardi i Korçës,

mbetën kërnackat korçare,

me kullën idiote.

Iku velenca prej leshi.

Iku edhe guna e grrisur mbi tela,

Mbetëm ne që tërë ditën në verë themi : uuuu sa vapë,

ne llotaxhinjtë,

mbetëm ne që u marrin votave atyre që janë pas nesh në listat e kandidatëve për deputetë.

ne hajdutët që bërtasim “Kapeni hajdutin!”

Mbetën edhe pulat që t’i vjedhim ne hajdutët e pulave.

Mbetëm ne që ikim nga sytë këmbët dhe bërtasim :

“Shqipëri të kam lënë pendët!”

Mbetëm ne të ikurit që nuk ikim dot!

Dhe nga që nuk ikim dot bërtasim :”Kam vendosur të jetoj këtu!:”

Mbetëm ne lexuesit e pornove prej të sëmurësh seksualë në gazeta.

Mbetëm ne rrenacakët që nuk e shohim hundët e pinokut te ata që na gënjejnë.

Mbetën edhe qentë e bashkive. Me vathë në vesh!

Dhe ne që na kafshojnë qentë!

Si edhe karvani që leh kur sheh se qentë shkojnë përpara!

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej