Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Holanda për vizat? Nuk lahet m… me sh…

Nga 27.al 0

Nga Enkel Demi

“Asgjë nuk ka ndryshuar deri në këtë moment, shqiptarët mund të lëvizin pa viza në zonën Shengen”, ka thënë ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, të cilin propaganda do e shesë pa atë pjesëzën “deri në këtë moment”. Natyrisht, që vendimin do e marrë Bashkimi Europian, por një vendi që i kërkohet t’i vendosen vizat a mund t’i hapen negociatat? Pak gjasa ka. Vetë ambasadori Soreca nuk e thotë këtë, por në lidhje me qëndrimin e Holandës bën përgjegjëse qeverinë e Tiranës, kur thotë: “Më lejoni që të them që kemi ftuar qeverinë shqiptare që të rrisë bashkëpunimin me Holandën për emigracionin e paligjshëm dhe luftën kundër krimit”. Pra, i bie që qeveria nuk e ka përfillur ftesën dhe na del para hundës kjo gjëmë, sepse për shqiptarët është megjithë mend gjëmë.

Po cili ka qenë reagimi i qeverisë? Pothuaj heshtje. Veçohet një deklaratë e Ministrisë së Jashtme, në të cilën shprehet keqardhja që Shqipëria është bërë argument për fushatën elektorale për zgjedhjet evropiane të partive të djathta, nacionaliste, sovraniste, ekstremiste. Me një fjalë, fajin e kanë prapë të tjerët, por qeveria, më mirë qeverisja në asnjë mënyrë, megjithëse nëpërmjet zotit Soreca mësuam se duhej punuar me Holandën kundër krimit.

Kjo është një qeveri e gjenive të pafajshëm. Makina e propagandës është duke kërkuar fajtorët, ose më ndryshe armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Sot, doli në skenë emri i zonjës Madeleine Van Torrenburg, e cila është një politikane populiste holandeze dhe ka kërkuar me ngulm vënien e vizave për ne, shqiptarët. Sipas agjitatorëve, zonja Van Torrenburg ka punuar në UNMIK në Kosovë. Në këtë organizatë ka punuar edhe Lulzim Basha, i cili po ashtu ka një grua me shtetësi holandeze.
Pra, ja ku del që Lulzim Basha ka yshtur në rastin më të mirë Madeleine Van Torrenburg të punojë që të vendosen vizat për shqiptarët, në mënyrë që të ndihmojë në rrëzimin e sulltanatit tonë të qashtër.

Në rastin më të keq Lulzim Basha e ka paguar Van Torrenburg që të bëjë këtë punë të zezë me paratë që përfiton nga financimet ruse.

Kjo është “mrekullia” që ka shpikur Propaganda e Rilindjes, së bashkë me korrespodentët e saj vullnetarë (kor.vull.).

Natyrisht, kur pushteti birret, këto janë sjelljet e tij. Empatia që kërkon të krijojë Edi Rama dhe të tijët, viktimizimi i tyre nuk mund të jetë më argument politik, siç e ka shtyrë këto gjashtë vjet. Kapej me avionë me drogë, fajin e kishte opozita që e nxinte në sy të botës, kapej me presh në dorë në histori koncesioni, fajin e kishte prapë opozita që e nxinte në sy të botës. I thyen në mes njerëzit në hu, fajin e ka opozita që nuk i lë t’i rrahë. Grabiten paratë në Rinas, fajin e ka opozita, sepse banditët duhet të jenë të sajët. Po na i vendos vizat Hollanda, fajin e ka Luli që ka punuar në një godinë me politikanen populiste. Është njësoj sikur me pas një horr në pallat, por të të quajnë edhe ty të degjeneruar, pse i ke thënë “mirëmëngjes”, kur e ke hasur në shkallë.

E keqja është që dielli nuk mbulohet me gazetat e mëngjesit. Në maj, nëse nuk e merr ftesën fajin nuk e ka Luli që mund të ketë bërë shëtitje tek molet e Amsterdamit, por kriminelët që qeveria nuk begenisi të bashkëpunojë që t’i luftonte. Nëse na vendosen vizat, pastaj fajin ta ketë kush të dojë pastaj, por edhe unë, edhe agjitatori, edhe propagandisti, edhe korrespodenti vullnetar do shkojmë si Çeço të mbajmë radhën te dera e ambasadës, pse jo mund ta blejmë vizën, se kushedi ç’hall na ka zënë.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej