Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Historia e binjakeve nga Patosi: E nisëm si kameriere, përfunduam shkencëtare

Nga Media 0

Historia e Argitës dhe Detinës, binjakeve nga Patosi, ngjan si një film. Kur ishin vetëm 13 vjeç, ato nisen në një udhëtim të vështirë për në Angli, ku ndjeheshin si kriminele të pafajshme.

Familja Zalli u largua nga Shqipëria për një jetesë më të mirë, por vitet e para nuk ishin aspak të lehtë për ta. Edhe dy motrat u detyruan të punonin, në fillim si kameriere, ku detyroheshin të vishnin këpucë me taka, që pronari i hotelit të besonte se ishin 15 vjeçe.

Sot, 31 vjeçaret kanë arritur shumë lart, por asgjë nuk ka ndryshuar, ato vazhdojnë të jenë të thjeshta dhe humane. Me një vullnet për tu admiruar, motrat Zalli kanë arritur majat e shkencës për mjekësi molekulare.

Janë krenare që janë shqiptare, e këtë gjë duan ta tregojnë kudo që shkojnë. Por, jo nga ato atdhedashëse vetëm për flamurin, vajzat nga Patosi, ndihmojnë studentë shqiptarë si të vazhdojnë studimet në Angli, duke bërë kurse. Pasi sado larg të jenë, ato gjithmonë do të japin për Shqipërinë, pa pritur gjë në këmbim.

Lexoni rrëfimin e plotë të shkencëtareve binjake më të famshme, nga horrori i kalimit të telave, në bullizmin nga fëmijët anglez, deri sot ku Argita dhe Detina premtojnë surpriza për Shqipërinë.

U larguat për në Angli në vitin 1999, në një rrugëtim të gjatë e të vështirë.  Por, çfarë po linte pas familja Zalli dhe me çfarë u përballët në Folkestone?  

Detina- Pas po linim njerëzit tanë më të dashur, por mbi të gjitha gjyshen tonë Lako, të cilën kur e takuam, nuk i thamë që të nesërmen do të niseshim për në Angli. Prindërit, lanë familjet, shtëpinë e gjithçka çfarë kishin ngritur.

Argita- Por, më tepër ne lamë pas ndjenjën e të qenit fëmijë. Kur erdhëm në Angli harruam të merrnim frymë thellë dhe të shijonim ajrin e pastër, e të shikonim perëndimin e diellit.

Folkestoni përfaqësonte derën e shndërrimit. Situata e vështirë që ndodheshim na vodhi fëmijërinë. Filluam të punonim si kamariere në moshën 13 vjeçare, vishnim këpucë me taka, në mënyrë që pronari i hotelit, të besonte se ne ishim 15 vjeçe dhe kishim eksperiencë.

Kishim marrë përgjigje negative nga Home Office dhe mund të na kthenin në çdo moment në Shqipëri. Ndaj duhet të punonim në mënyrë që të ndihmonim prindërit, për të larë të paktën një pjesë të borxhit.

Njëkohësisht, filluam të përkthenim nëpër spitale dhe shërbime sociale për shumë familje shqiptarësh. Ndonjëherë isha e nxehur me jetën, përse duhet të punoja?! Përse duhet të përfshihesha në çdo çështje ligjore apo takimet me avokatët?!

Shkolla ishte një vend i ftohtë. Nuk kishim shokë apo shoqe në shkollë. Ditëlindjet ishin një tortë e ngurtë me qiriun e flaktë që fikej përpara se të ndizej. Ato kohë nuk na mungojnë, por janë pikërisht ato kohë që na bën të jemi ato që jemi sot.

 

Ju ishit vetëm 13 vjeç, por e kuptonit se çfarë po ndodhte teksa kalonit telat, e qëndronit të fshehur si të ishit kriminelë të pafajshëm?

Argita- Patjetër, e dinim se ishim ilegalë. Por, nuk e dinim se deri në çfarë pike ky akt, mund të quhej krim. Kishim shumë frikë, por besonim shumë tek mami dhe babi.

Detina- Siç tha edhe ju, ishim kriminel të pafajshëm. Pas kalimit të telave më kujtohet që sëbashku me babin u fshehëm poshtë një maune të madhe. Më kujtohen këpucët e zeza të policit francez dhe kënaçja e coca-colës, që ai gjuante sikur të ishte një top futbolli, e unë dhe babi ishim të vetmit spektator. Ishin momente drithëruese, kisha frikë, por ndërsa babi më pyeste me shenja nëse isha mirë, unë vetëm i buzëqeshja dhe i shtrëngoja fort dorën.

Nga mësuesit e keni ndjerë ndonjëherë peshën e të qenit nga një shtet, i cili praktikisht ishte i panjohur?

Argita- Mësuesit në Angli kanë qenë të mrekullueshëm me ne. Na vlerësonin shumë dhe gjithmonë na kanë ndihmuar.

Detina- Madje, drejtori i shkollës, Mr.Fox, na mbante si shembull për të gjithë studentët e tjerë. Ndërkohë fëmijët që na sulmonin, më tepër e bënin se kishin problem familjare dhe atë zemërimin e tyre e nxirrnin tek ne. Por, ishin thjeshtë fëmijë.

Cila ka qenë forca juaj, që iu ka shtyrë gjithmonë të ecnit para, pavarësisht se ju kanë vendosur shpesh kallama gjatë rrugës?

Argita- Forca e sakrificës dhe e dashurisë të prindërve tanë. U detyroheshim shumë atyre, ndaj ishim të vendosura të ecnim përpara. Kemi qenë gjithmonë shumë ambicioze dhe për më tepër kemi pasur gjithmonë njëra-tjetrën. Dhe kjo ka qenë një mbështetje e madhe.

I jeni dedikuar mësimeve që të vogla, me qëllimin e qartë, për të pasur sukses. Por, keni hyrë ndonjëherë në “telashe” gjatë periudhës së adoleshencës?

Ardita- Do të doja shumë të kujtoja ndonjë episod, por nuk më ka ndodhur asnjëherë diçka e tillë. Ne ishim fëmijë të dëgjueshëm, por më tepër kemi pasur aq përgjegjësi, saqë nuk kishim kohë të bënim ndonjë telash.

Detina- Ndryshe nga Argita, unë kam qenë fëmijë i prapët, më pëlqente të bëja shaka. Por, njëherë më shkoi keq. Isha në kursin e anglishtes në Patos, e vendosa t’i bëja një shaka mësueses. Por, mirë që “rrengun” nuk e bëra, por më e keqja ishte se mësuesja aksidentalisht na mbylli në shkollë, e të gjithë në Patos, na kërkuan për orë të tëra. Sigurisht, që Argita nuk ishte me mua. Ndërsa herë të tjera që kam hyrë pak në telashe, ishte kur i bëja karate fëmijëve të tjerë, për të mbrojtur Argitën.

Si e plotësoni njëra-tjetrën, me të metat dhe cilësitë tuaja? Për çfarë “zihen” motrat Zalli?

Argita- Ndoshta nga që jam 5 minuta më e madhe, e ndjej veten shumë përgjegjëse ndaj Detit. Ajo është pjesa ime, ndaj mundohem të jem prezente në çdo pjesë të jetës së saj, duke i ofruar këshilla. Ndonjëherë edhe gaboj, duke vepruar sikur të jem mami i saj. Është e vërtetë, karakteret tona ndryshojnë paksa. Unë përshembull, jam shumë e apasionuar ndaj modës, kurse Deti është më sportive. Për këtë shkak, në departamentin e veshjes, jam unë përgjegjëse.

Argita

Detina- Mua më pëlqen volejbolli, basketbolli, por më shumë futbolli. Argita nuk i pëlqen fare këto gjëra, madje edhe kur ka ndeshje për tu parë, duhet t’i lutem të më shoqërojë. Unë jam më protektive, bëhem merak dhe e shpreh shumë këtë gjë.

E zotëroni shumë mirë shqipen, madje keni ruajtur edhe theksin nga Fieri. Çfarë tjetër keni marr me vete nga Shqipëria?

Detina- Dashurinë për familjen dhe të afërmit. I ndjekim shumë traditat shqiptare, pasi edhe pse jetojmë në Angli, përsëri jemi binjaket e Shqipërisë. Vazhdojmë të mbajmë lidhje me të afërmit tanë, gjithashtu edhe me shumë student shqiptarë, të cilët mundohemi t’i ndihmojmë.

Argita- Kemi marrë të gjitha vlerat kyçe në jetë, duke filluar nga ajo dashuria e madhe që gjendet vetëm në një kulturë aq të ngrohtë, e mikpritëse si Shqipëria. Kemi marr respektin për njerëzit, thjeshtësinë, të qenit të përulur, vlerësimin ndaj gjërave të bukura në jetë, si edhe unitetin e të qenit një familje e fortë, që lufton për të arritur qëllimet e larta në jetë.

Cilat janë problemet më të mëdha në Shqipëri?

Detina- Ne shqiptarët e kemi pak të vështirë të jemi ‘mendje hapur’. Shpesh herë gjykojmë të tjerët, pa u dhënë një shans të provojnë veten.

Detina

Por, një nga problemet kryesore lidhet me shkollimin e punësimin e studentëve. Ndodhin shumë padrejtësi. Studentët që mbarojnë masterin me nota të shkëlqyera, janë ende të papunë, ndërsa disa të tjerë, jo edhe aq të mirë, janë në punët më të mira. Kjo është një gjë që duhet të zgjidhet sa më shpejt.

Çfarë i bën të lumtura Detinën dhe Argitën?

Detina-Lumturia e familjes është lumturia ime.

Argita- Lojërat me Destin, djalin e Detinës, i cili është djali jonë, një kafe me mamin e babin, një film i bukur me bashkëshortin, si edhe suksesi në karrierë.

A mundet një femër të zhvillojë njëkohësisht karrierën dhe familjen, apo njëra kërkon më tepër prioritet?

Argita- Patjetër, megjithatë duhet të them se fillimi i një  karrierë në shkencë është paksa i vështirë. Për këtë arsye ajo merr prioritet, por me kalimin e viteve jam munduar të balancojë karrierën me jetën private. Dhe tani jam në një pozicion ku shpenzojë më tepër kohë me familjen, edhe  pse është e pa-evitueshme që të punojë në fundjavë disa herë.

Argita dhe bashkëshorti, Redi

Patjetër që mundet ta bëjë. Unë jam një prej tyre. Ndonëse Desti, është 1 vjeç, unë e vazhdoj karrierën time, ku jap mësim jo vetëm në Angli, por në vende të ndryshme të botës. Edhe pse, kur unë e bashkëshorti largohemi për punë, prindërit e mi janë një ndihmesë shumë e madhe, e ata kujdesen për Destin. Por, nëse do të zgjidhja midis karrierës e familjes, padiskutim që familja ka prioritet.

Si e shihnit dashurinë dhe martesën më parë, e çfarë janë ato tani? Çfarë është suksesi, po paraja?

Argita-Dashurinë dhe martesën e kam parë gjithmonë siç e shoh tani.  Kjo do të thotë që është pjesa më e rëndësishme e jetës time. Jam me fat se kam një bashkëshortë të shkëlqyer, të cilin e kam shume shok, por edhe këshilltar. E vlerësoj shumë.

Unë them gjithmonë se suksesi shkon e vjen. Sot je dikush, nesër mund të mos jesh askush, prandaj duhet të jemi gjithmonë me këmbët në tokë.

Sigurisht paraja ta bën jetën më të lehtë, por jo më të lumtur. Një fustan mund të gëzojë për një ditë. Por, ato çastet e bukura që shpenzon me familjen tënde të ngelen thellë në zemër e të gëzojnë gjatë gjithë jetës.

Detina- Unë jam një person ëndërrimtar, dashurinë dhe martesën e shihja si një ëndërr të bukur. Ku do të kishte shumë udhëtime të bukura, shumë respekt, sakrificë dhe dashuri. E lidhja do të forcohej me një fëmijë. Tani pas martesës nuk ka ndryshuar asgjë, përveç faktit që udhëtimet nuk janë edhe aq të shpeshta, pasi Desti është akoma i vogël.

Deti dhe bashkëshorti, Toni

Rrugëtimin tuaj e quani fat, apo fati është një nocion i krijuar nga njerëz dembelë dhe duhet vetëm vullnet e punë?

Argita-Nuk e quaj fat dhe as oportunitet i dhuruar. Por, është një punë e krijuar nga vetë ne për të ndjekur ëndrrat tona.

Detina- Për mua është puna, pastaj vjen fati. Sa më shumë të punosh, aq më me fat je.

Çfarë do të sjellin të re motrat Zalli? Po projekte me Shqipërinë?

Argita-Projektet për Shqipërinë janë në vijim e sipër me organizatën We Speak Science. Shumë shpejt do të organizojmë konferenca për shkencën e mjekësinë, si edhe konkurse e seminare në lidhje me karrierën për studentët.

/Dritare.net/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej