Ka than' i moçmi: 

"Çlirim i një populli nuk do të thotë liri e tij duke skllavëruar një tjetër."

Faik Konica

Historia 180 gradë në dekorimet e Presidentit

Nga 27.al 0

Nga dom Gjergj Meta

Ideja e këtij shkrimi, që prej kohësh më vërtitej në mendje, u materializua pasi Presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani, dekoroi me urdhrin “Nderi i Kombit”; Eminencën e tij, Kardinal Ernest Simonin (Troshani) në ditën e Pashkës. Ndër klerikë, më herët, këtë titull e kishte marrë edhe Atë Zef Pllumi. Një titull i tillë, i dhënë nga institucioni më i lartë i vendit për këto kategori personash, në specifikën e historisë sonë kombëtare, në një vend ku institucionet vlerësohen si duhet, merr përmasat e një rishkrimi dhe rishikimi të historisë. Ky veprim dhe të tjerë të ngjashëm kthejnë përmbys ato vlerësime dhe lexime të historisë që bëheshin në kohën e diktaturës komuniste, duke përjashtuar apo duke dhënë vlerësime negative rreth personave apo grupeve të caktuara.

Institucioni i Presidencës kohët e fundit ka pasur një veprimtari të dendur në këtë aspekt. Pak javë më parë në ish-Abacinë e Oroshit, vetë emri i së cilës thotë shumë për ata që njohin sadopak analet e historisë së Mirditës heroike dhe të shumëvuajtur, u dekoruan nga Presidenti disa persona, ndër të cilët edhe disa pinjollë të familjeve të rëndësishme mirditore si Gjonmarkajt e Oroshit dhe Mëlyshët e Kthellës, të cilët ishin trajtuar si armiq të popullit gjatë viteve të diktaturës. Po në Mirditë Presidenti ka shkuar edhe në Burgun e Spaçit për të vlerësuar autorët e Revoltës së Spaçit, ndër të cilët edhe bashkëfshatarin tim nga Durrësi, Pal Gjergj Zefin, si një ndër nismëtarët e kësaj revolte.

Përmbysja e sistemit komunist në vetvete nuk ishte ipso facto, edhe përmbysja e një lloj historiografie të imponuar përdhuni nga ideologët e tij. Kjo e fundit do kohën e vet dhe nuk bëhet me revolucione popullore. Por, shenja konkrete si këto të institucionit presidencial janë një mënyrë për ta vendosur historinë dhe shkrimin e saj në hullitë e një historiografie sa më afër objektives. Dritëhijet e historisë dhe të veprës së shumë njerëzve, nëse ka pasur të tilla, nuk mund dhe nuk duhet të zbehin kontributet e tyre. Mirdita është rasti tipik i një historie të manipuluar në shumë rrafshe. Është një histori e vuajtur, por ndër më të lavdishmet e kombit tonë. Ashtu sikurse me Kishën katolike dhe me klerin e saj, komunizmi edhe me Mirditën punoi me një logjikë përçudnuese, vëllavrasëse dhe përçarëse.

Të vjen mirë kur përkrah Presidentit, si figurë gjithëpërfshirëse, sheh Ipeshkvin katolik të Mirditës, aspekt thelbësor i identitetit të Mirditës, edhe kryetarin e Bashkisë që përfaqëson shpirtin laik të kësaj krahine. Kanë bashkëjetuar këto dy aspekte në Mirditë gjithmonë, sepse tjetër ka qenë pushteti i Abatit, e tjetër ai i Kapedanit apo bajraktarëve. Do t’ia kishte zili çdo shtet modern kësaj bashkëjetese shekullore si një model laiciteti, pa i shkelur këmbët njëritjetrit, por në përplotësim të ndërsjellë dhe në shërbim të njerëzve. Edhe kjo është një mënyrë për të rishkruar historinë, për ta vazhduar atë e për ta vendosur në vendin e vet.

Është gjithashtu shembulli më i mirë i një qasjeje ndaj historisë me sytë e dëshirës për ta vlerësuar atë objektivisht, por edhe për të qenë promovues të një pajtimi, për të cilin Shqipëria jonë ka ende nevojë. Vetëm kështu mund të shpjegohen edhe emocionet që një miku im i pranishëm në atë ceremoni më përcolli, duke parë mallëngjimin dhe përlotjen e familjarëve të dekoruar, të cilët ishin lënë në harresë gjithë këto vite.

Por, dua të kthehem edhe një herë te dekorimi i Kardinalit. Kisha Katolike, me lumnimin e 38 martirëve, dashje pa dashje, e rishkroi historinë, atë histori që gjithmonë ajo në fakt e ka besuar. Nuk munguan zëra, megjithëse ndoshta të heshtur apo nëpër forume të ndryshme shpesh anonime, e nuk do të mungojnë kurrë ndoshta, të cilët akuzuan se po shenjtëronim kolaboracionistë dhe armiq.

Kjo është në fund të fundit demokracia që gjithkush të mendojë atë që don. Por, gjithashtu, mund të themi se brezave të ardhshëm u bëhet një shërbim i madh, kur edhe institucioni i kreut të shtetit vlerëson ata që vuajtën, pse donin të ishin të lirë, e shpresojmë që këtë gjë të vazhdojë ta bëjë në çdo rast e për çdo person që ka vuajtur apo është përbaltur padrejtësisht nën atë sistem. Kur brezat e ardhshëm të jenë të lirë nga kushtëzimet ideologjike do të kuptojnë që rehabilitimi nuk është vetëm një çështje fjalësh, por ka të bëjë me gjeste konkrete.

Ndërsa Presidenti Nishani dekoronte Kardinal Troshanin, i viheshin re emocionet në çdo fjalë që thoshte. Megjithatë, përtej emocioneve, dekorimi i Dom Ernestit si “Nderi i Kombit” është edhe një akt pafajësie, atë pafajësi që presin shumë ta marrin ende. Dom Ernesti u shpall edhe nga shteti i tij i pafajshëm për veprën e kremtimit të meshës për shpirtin e Presidentit Kenedi. Kjo është një rrugë për të rishkruar historinë e një kombi, por edhe historinë e jetës së individëve dhe familjeve shqiptare. Ky rishkrim nuk bëhet vetëm në akademi, të cilat për fat të keq në Shqipërinë tonë prej shumë dekadash janë të politizuara, por edhe nga zëri i njerëzve dhe nga aktet e institucioneve e për më tepër nga kreu i shtetit.

Kardinal Troshani dhe Mirdita janë vetëm dy shembuj të nevojës së një historie, që kërkon ende të shkruhet ashtu si duhet. Nga Veriu në Jug ka ende situata, të cilat duhet të rivlerësohen dhe të rehabilitohen për t’u dhënë vendin e vet. Kontributi dhe shembulli i institucionit të Presidencës duhet të shtyjë patjetër edhe institucione të tjera, e sidomos ata që merren me histori, të rishikojnë tekstet dhe t’i reformojnë thellësisht ato.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej