Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Himara, përtej… Shqipërisë dhe larg Greqisë

Nga Media 0

Nga Ben Andoni

Mjafton të ngjajë diçka në Himarë ose një problem i vogël, diku në fshatrat e saj, e ai do amplifikohet deri në pafundësi. Menjëherë kancelaritë diplomatike në Tiranë e Athinë vënë alarmin dhe mes vendeve tona rivendoset “normaliteti”, që do të thotë krizë. Më së shumti në zgjedhjet e përgjithshme por sidomos ato lokale, pastaj në incidente të etnisë dhe tashmë për pronat, të gjithë i janë qepur Himarës, duke e parë si objekt me të cilën mund të merren paq. Gjen anatema nga më të këqijat drejtuar himariotëve, futje turinjsh të politikanëve dhe akuza. Sa shumë akuza?!

Territori i bashkisë së Himarës është kthyer në një vend turistik të nivelit të parë në kushtet shqiptare, falë natyrës së bukur që përmbledh zonën e bregdetit dhe atë malore. Bash, e gjitha kjo, ka bërë lloj-lloj pasanikësh duke ditur konfuzionin me titujt e pronësive t’i qepen vendit për të fituar e fituar me çdo kusht. Po pse ndodh kjo? Të gjithë e dinë që kriza e Himarës është e përhershme, përderisa himariotët do të këqyren me syrin që shikohen sot nga të dy vendet kufitare.

Sot e kësaj dite, qeveria shqiptare me instrumentet e saj nuk ka arritur të realizojë procesin e regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme në Bashkinë Himarë. Kjo do të realizonte jo thjesht njohurinë por dijeninë dhe autoritetin e plotë të të drejtës pronësore të banorëve të territorit të saj.

Greqia, ndërkohë, duke shfrytëzuar përkatësinë etnike të disa fshatrave të saj nuk lë vend pa krijuar problematika, që shpesh janë tejkaluar shëmtuar, duke e devijuar vëmendjen.

Qysh me 2004, USAID në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, u përpoq të fillonte realizimin e procesit të regjistrimit fillestar në Himarë. Ai dështoi për shkak të një protestë në fshatin Qeparo. Kjo bëri që procesi të mos realizohej dhe të stopohej. Në vitin 2013, iniciativën e mori OSBE-ja por sërish dështoi. Deri më sot e kësaj dite, titujt e pronësisë që janë në pjesën më të madhe të vendit, mungojnë në Himarë.

Më pak fjalë e gjithë hapësira e Bashkisë Himarë konsiderohet si një zonë e pamenaxhuar, kjo për arsye sepse nuk është i përfunduar procesi bazik regjistrimi fillestar i pronave. Një nga arsyet kryesore është fakti se autoritete lokale janë marrë më shumë me politizimin e problematikës dhe tërheqjen e vëmendjes sesa me punën konkrete, që kërkonte ky proces. Kështu plan-veprimet konkrete qeveritare janë penguar për kryerjen e regjistrimeve.

Ndërkohë që ligji i ashtuquajtur 7501 i referohet tokës bujqësore dhe kjo tokë në këtë zonë zë pak më shumë se 15 % të strukturës së tokës, që dominohet nga kullotat, vreshtat etj. Në vend të politizimit pa shkak autoritetet lokale duhet të mësonin e të realizonin të gjithë procesin dhe ligjet e shtetit, që u përkasin dhe jo të bëheshin palë. E teksa banorët stërhallen në problematika pafund, burokratët e Shqipërisë dhe Greqisë i janë përveshur njëri-tjetrit, bashkë me turmën e kompetentëve që shohin vetëm armiq ngado. Problemi i Himarës është një nga problemet e zakonshme me të cilat haset qytetari i thjeshtë shqiptar dhe që në fund mbyllet gjithnjë me fërkimin e duarve të pasanikëve të rinj, që dalin gjithnjë të fituar nga kinse kaosi, që kërcënon gjithnjë banorët e zakonshëm të Himarës.

/Javanews/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej