Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Hegjemonia greke dhe paaftësia e shtetit shqiptar para saj

Nga 27.al 0

2

Nga dr. Valbona Gjoni Karanxha

1Para disa ditësh nxora një artikull për dy shoferët, të cilët u arrestuan ne Janinë për transportim të librave në gjuhën shqipe. Kjo ishte pak a shumë arsyeja që këta dy punonjës të Ministrisë së Jashtme u ndaluan nga policia greke e sinjalizuar dhe e përgatitur për udhëtimin e tyre. Gjithashtu, përmenda se kjo ishte punë e brendshme, domethënë, policia greke ishte vënë në dijeni nga dikush. Dhe sipas burimeve, një punonjëse e doganës greke me ngritje mjaft të ulët në hartologji/gjeografi, kishte lexuar “gabimisht” një hartë të përqendrimit të shqiptarëve me atë të Shqipërisë Etnike.

Shtypi bëri me dije se shoferët janë dënuar me 30 muaj burg dhe nuk dihet a do të apelohet burgimi i tyre apo jo; nuk dihet nëse një mandat i “habeas corpus” do të aplikohet nga qeveria shqiptare ndaj asaj greke, meqënëse është pjesë e ligjit ndërkombëtar dhe Konventës së Gjenevës, me qëllim që këta të fundit të prodhojnë materiale dhe arsye ligjore të mjaftueshme për arrestmin e tyre; të vërtetojnë nëse kontrolli ishte bërë në bazë të dyshimeve të mjaftueshme; nëse për dy shoferët kishte një urdhër arresti nga gjykata (dhe çfarë gjykate) duke përfshirë juridiksionin e saj; nëse atyre i janë gjetur materiale të ndaluara, përveç atyre të cilat i janë dhënë nga misioni, me të cilin ishin të ngarkuar. Të provosh fajësi në harta të lexuara dhe të interpretuara nga doganierë grekë nuk është arsye për të mbajtur në arrest, por është thjesht arsye për të denigruar dy shqiptarë, të cilët po kryenin një detyrë të caktuar nga një organ shtetëror në bazë të ligjeve ndërkombëtare të artikuluara në Konventën e Vjenës (1961) Artikulli I (c, d & f).

Ajo që përbën shkelje të të drejtave të dy nënshtetasve të huaj është implikimi direkt i policisë greke me dy njerëz të cilët janë staf i një misioni diplomatik dhe të cilët në bazë të ligjit ndërkombëtar duhet të kenë aprovim nga Ministria e Jashtme e Greqisë dhe jo nga policia e Greqisë. Megjithëse ky mision është po aq i ndërlikuar, aq sa edhe i pakuptueshëm, është vështirë ta interpretosh në mënyrë ligjore, por dënimi i tyre pa dhënë kohë për një proces të rregullt ligjor, në të cilin dy të akuzuarit kanë kohë të mjaftueshme të kenë përfaqësim ligjor në rang qeveritar dhe privat, për të mbedhur dokumente përkatëse, për të pritur ndërhyrjen e institucioneve shqiptare dhe ato ndërkombëtare dhe duke qenë se kjo është çështje ndërkombëtare, atëherë procesi i rregullt ligjor për gjykimin e tyre duhet të ketë një protokoll të caktuar; në rastin më të keq, arrestimi, gjykimi dhe dënimi nuk bëhen brenda javës. Kjo tregon se Greqia tashmë nuk zbaton ligjet ndërkombëtare. Kjo është përtej absurdes dhe revoltuese.

Por, për të hyrë në thelb të problemit, po ndalem në disa fenomene politike që marrin revansh, për shkak të mungesës së shtetit efektiv shqiptar. Shteti grek ka falimetuar në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe si rrjedhim i politikave të tij të urrejtjes, fokusimi i diplomacisë greke në lidhje me vendin tonë vepron në disa pika. Një nga këto është përhapja dhe ruajtja e hegjemonisë në Shqipëri në zonën e Himarës, disa qytetarë të së cilës janë të bindur që janë me nënshtetësi greke. Hegjemonia vepron me egërsi gjithashtu mbi emigrantët e integruar në Greqi, të cilët janë nën presion të vazhdueshëm asimilimi tërësor në kulturën dhe etninë greke. Një nivel tjetër janë synimet territoriale, tokësore dhe detare, për të cilat Greqia nënshkroi traktatin me Sali Berishën në zonën e detit Jon. Një nivel tjetër është pengimi për aderimin e Shqipërisë në BE dhe organizata të tjera, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës. Dhe së fundmi, është ndërhyrja e klerit grek në punët e brendshme dhe rënia në varësinë e Kishës greke. Pra, marrëdhëniet me Greqinë janë dështim pas dështimi, pa shpresa riparimi, nëse Greqia nuk ndryshon politikën e saj.

Por, po ndalem tek emigrantët si pjesa jonë më vitale në Greqi dhe që lidh arsyet se si hegjemonia greke punon me plan afatgjatë për të modifikuar etninë tonë sipas nevojave të tyre. E para, emigrantët shqiptarë në Greqi janë skllevër. Janë njerëzit më të përbuzur, janë më të shtypurit, më të shfrytëzuarit, konsiderohen të pështirë, të padenjë. Emigrantët shqiptarë në Greqi janë në fund të piramidës shoqërore sado me dinjitet të punojnë, sado të sukseshëm të jenë, sado të edukuar dhe të arsimuar të jenë. Shtetit grek nuk i interesojnë shqiptarët e arsimuar, sepse kjo do të thotë se nuk ka kush të lajë “WC” dhe kush të mbajë pleqtë, kush të punoj në ara dhe kush të shtrojë pllaka. Greqia ka numrin më të pasuksesshëm të emigrantëve shqiptarë në fushën e arsimit. Kur njerëzit janë skllevër, atëherë ata nuk kanë nevojë të edukohen, me filozofi dhe histori, atyre nuk ka se çfarë ju duhet gjuha amtare, pasi ajo është gjuhë e përbuzur në shtetin ku ata jetojnë. Hegjemonia greke ka arritur të ketë nën kontroll popullatën shqiptare në Greqi, me shumë mënyra. Megjithëse kjo e fundit e ka gjetur mënyrën se si të mbajë gjallë kombësinë shqiptare. Realisht, kur një minoriteti ose popullate i priten burimet, të cilat e mbajnë në lidhje më vendin amtar, atëherë ai asimilohet tërësisht. Pra, një popullsi e asimiluar dhe pa shpresa për të ardhmen është popullsi e skllavëruar.

Por, çështja është më e ndërlikuar se kaq, sepse arsyeja që grekët japin për arrestimin e dy shoferëve të ambasadës është lojë gjeopolitike, e cila po luhet në kurriz të shqiptarëve, cilët janë tërësisht të paaftë dhe të pafuqishëm, për shkak të mungesës së shtetit dhe të lidershipit. Loja gjeopolitike luhet për disa arsye. E para, Shqipëria është prononcuar për hapjen e Çështjes së Çamërisë. Sesa e sukseshme do jetë ajo në këtë mision është për t’u parë, qeveria aktuale është mjeshtre e demagogjisë, por meqënëse Greqinë nuk do ta zbavis fare një mendim i tillë, atëherë ajo do pengojë çdo përpjekje që ka të bëjë me këtë çështje. E dyta, shteti dhe kleri grek kanë keqinformuar rregullisht shtetasit e tyre, duke i mbajtur në injorancë  të plotë me fakte historike të paqena ose të transformuara, me qëllim që këta të fundit të kenë një gjykim të njëanshëm për çështjet e fqinjëve të tyre dhe të binden se hegjemonia greke është legjitime në rajon. Greqia tashmë është në marrëdhënie të acaruara me Turqinë, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Shqipërinë. Pra, siç e kam theksuar është shtet problematik dhe si i tillë dëshmon për një shtet të dështuar në politikën e jashtme.

Si përfundim, ajo që na intereson ne është të zgjedhim betejat që do të luftojmë dhe kjo fillon e para nga dinjiteti ynë si shqiptarë. Shteti ynë nuk është i aftë të mbrojë as punonjësit diplomatik, lëre më emigrantin e thjeshtë. Kjo është shumë dëshpëruese për shqiptarët, të cilët jetojnë dhe punojnë në një shtet armiqësor. A mund të pritet nga shteti shqiptar, kur kryeministri i vendit në vend që të merrej me këtë çështje, shet piktura në New York. A mund të pritet dinjiteti nga shteti shqiptar kur autoritet greke nuk kanë respektin dhe konsideratën më të vogël as për konsullin, as për ambasadorin shqiptar, të cilin nuk e kanë lejuar as t’i dalë në mbrojtje shoferëve. A mund të pritet nga një shtet, i cili i kërkon para emigrantëve në vend që t’i mbështesë? Përderisa këto pytje retorike të qëndrojnë nuk do të ketë asnje përgjigje pozitive.

/bletashqiptare.com/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>