Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Hebrenjtë në Amerikë apel për mbrojtjen e muslimanëve: Të kujtojmë si na trajtuan në Shqipëri

Nga Skenderi 0

1234

Gazeta Forward,  e quajtur ndryshe edhe si The Jewish Daily Forward, është një gazetë amerikane që botohet në New York City për një audiencë hebreo-amerikane.

Në numrin e saj më të fundit, kjo gazete i ka kushtuar një shkrim faktit që tashmë, me ardhjen e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë si President i vendit, komuniteti musliman në Amerikë ndihet i kërcënuar, kjo për shkak të frymës dhe deklarimeve islamofobe të Trumpit gjatë fushatës elektorale.

Dhe gazeta zgjedh t’i kujtojë komunitetit hebre të kaluarën, përiudhën e Luftës së Dytë Botërore, ku ata gjetën shpëtim tek zemërgjerësia dhe humanizmi i muslimanëve, sidomos në Ballkan.

Për ilustrim, gazeta në shkrimin e saj që ka për autore Lana Adler, sjelle tre histori: një nga Bosnja dhe dy nga Shqipëria. Shkrimi titullohet: “Hebrenjtë frymëzohen nga gruaja myslimane që e fsheh me velon e saj, gruan hebreje me yll të verdhë”, por redaksia e tesheshi.com zgjodhi tjetër version titulli me qëllim evidentimin e humanizmit emblematik shqiptar në mbrojtje të jetës së hebrenjve.

Shkrimi i Forward-it:    

Në prag të zgjedhjeve në SHBA, aktet e urrejtjes ndaj muslimanëve kanë shënuar kulminacionin.

Tani më shumë se kurrë, është detyra e jonë si hebrenj që t’u dalim në mbrojtje e të jemi solidarë me ta këtu në Amerikë.  Urrejtja ndaj tyre është në thelb një padrejtësi e papranueshme; ngase të gjithë ne e dimë se çfarë do të thotë të jesh i shënjestruar; dhe, në kohën kur ne ishim në një situatë të tillë, ishin muslimanët ata që na dolën në mbrojtje.

Më poshtë po prezantojmë tre histori, në mesin e shumë tjerave, të muslimanëve të cilët gjatë viteve të Holokaustit shpëtuan jetën e popullit hebre, ndërkohë që të tjerët nuk e bënë këtë.

 Mustafa dhe Zejneba Hardaga  – Fotoja (kryesore) tregon Zejneba Hardagan duke shoqëruar një grua çifute (Rivka Kavillo) dhe fëmijët e saj poshtë një rruge në Sarajevë, në vitin 1941. Ndërsa ata ecin, Zejneba mbulon yllin e verdhë të Rivkas me vellon e saj. Familja Hardaga ftojnë familjen Kavillo (përfshirë fëmijët e tyre dhe burrin e Rivkas, Josefin) të qëndrojnë në shtëpinë e tyre deri sa Josefi të jetë në gjendje të marrë gruan e tij në një vend ku ata do të ndihen me të sigurt. Më pas, ata vazhdojnë ta fshehin Josefin, pavarësisht faktit se selia e Gestapos ishte aty pranë dhe pavarësisht faktit se qyteti ishte i mbushur me shenja paralajmëruese që nëse dikush kapet duke strehuar një hebre do të vritej. Josefi u bashkua me gruan dhe fëmijët e tij dhe ata të gjithë i mbijetuan luftës.

Ali Sheqer Pashkaj – Pashkaj kishin në pronësi një dyqan në Pukë, Shqipëri. Një ditë, një mjet transportues gjerman kalon pranë dyqanit të tij, me 19 të burgosur shqiptarë dhe një burrë hebre, Yeoshua Baruchowiç i cili ishte rrugës për t’u ekzekutuar. Pashkaj fton nazistët në dyqanin e tij dhe u ofron ushqim e pije, me qëllim që t’u marrë mendjen. Ndërkohë, ai fsheh një shënim në një copë pjepër dhe ia jep Baruchowiçit, duke i thënë atij të ikë në pyll, në një vend të caktuar. Kur nazistët vijnë në vete dhe kuptojnë se burgosuri i tyre ishte zhdukur, ata sjellin Pashkajn në fshat, e kthejnë atë me fytyrë kah muri dhe fillojnë ta marrin në pyetje në lidhje me hebreun, duke vënë armën në kokën e tij dhe duke e kërcënuar me ekzekutim, dhe madje edhe duke kërcënuar se do ta djegin të tërë fshatin nëse Pashkaj nuk do të tregojë vendin ku kishte fshehur hebreun. Pashkaj refuzon të tregojë, dhe në mënyrë të mrekullueshme,nazistët largohen. Pashkaj pastaj del në pyll, gjen Baruchowiçin, dhe e fsheh atë në shtëpinë e tij për dy vite, derisa të marrë fund lufta.

 Nuro Hoxha – Hoxha, i cili ishte një mësues i njohur dhe udhëheqës fetar në Vlorë, Shqipëri, strehoi katër familje hebreje, kur nazistët u zhvendosën në Shqipëri nga Greqia. Siç kujton djali i tij, ai u tha atyre se: “tani ne jemi të gjithë një familje”, dhe premtoi se do t’i mbrojë ata edhe me koston e jetës së tij. Hoxha fshehu familjet në bunkerët nëntokësorë që ishin të lidhur me shtëpinë kryesore. Ata ushqyen dhe strehuan familjet gjatë gjithë luftës dhe u mundësuan atyre të mbijetojnë. Mbijetesa e tyre ishte një përpjekje grupore: Vlora ishte kryesisht anti-fashiste dhe shumë fshatarë duke e ditur se Hoxha kishte strehuar hebrenjtë, i ndihmuan atij që t’i mbajtë ata të mos zbulohen nga forcat naziste.

Gjatë javës së kaluar, shumë hebrenj kanë diskutuar se çfarë do të bënin nëse Trump do të përpilojë një regjistër të muslimanëve, që do të ishte një nga shenjat e para të fashizmit të tij të paralajmëruar. Duke medituar se çfarë do të bënit ju, mbani këto histori në mendjet tuaja.

/tesheshi.com/

 

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>