Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Haxhi Qamili na duhet hero kombëtar

Nga Media 0

Enkel Demi

Nga Enkel Demi

Komuniteti i shqipëruesëve duhet të jetë ndjerë ligsht që pas faqeve të letërsisë së realizmit socialist, tash është gati personazh negativ në faqet komike të politikës. Megjithë tonet patetike të zërit zyrtar të opozitës, shqipëruesit tashmë janë fajtorët kryesorë që reforma në drejtësi ka ngulur këmbët në llucë si buallicat e Shkodrës. Ani, se shqipëruesit janë njerëz që paguhen me mëditje për faqe dhe qërojnë sytë për të sjellë në gjuhën amtare një tekst, ata kanë fatin e keq të përfaqësojnë një bashkësi anonime, të pazëshme sa mund të bëhen me faj lehtë për këtë “gjëmë” që ka gjetur mëmëdheun.

Një dosje binjake me atë që është dërguar para do kohësh pret të ulet në tokën e mbuluar nga uji në Venedik. Atje dikush do nisë të shqyrtojë, qëmtojë me kujdesin e një miniaturisti turk si e ka përshkruar Orhan Pamuk dhe do gjejë gabimet. Fajin e ka shqipëruesi, i cili me siguri do të ketë qenë i cytur nga djallushë të vegjël, në mënyrë që reforma në drejtësi të mos bëhej për së mbari. Më pas një burrë i moçëm me flokë të bardhë që qëndron si një dozh majë Komisionit do të nxjerrë pisqollën dhe do ta vrasë kriminelin me emrin “Vetting”. Sak si në novelën më të fundit të Mira Meksit, “Vrasje në Venecia” do nisin hetimet mes Shqipërisë, Italisë dhe republikës së dikurshme me nam të madh, do të përfshihen në të personazhe të së shkuarës mesjetare dhe të sotmes po kaq mesjetare dhe në fund, ashtu si ndodh rëndom në Shqipëri, gjithçka do të banalizohet, bëhet vulgare sa do të katandiset në shprehjen fëminore: “Ngeci karkaleci”.

Në janar do të nisë orteku i protestave, do presim gjithë ankth këmbimin e administratës amerikane, nëse do ta çojnë në satër Sorosin, ambasadorin Lu e bashkë me të atë kuqen, së cilës nuk kemi lënë fantazi porno pa ia vënë në shpinë. Po dhe fara e re vietnameze e cannabis do nisë të çelë. Shqipëria sërish do të jetë në qendër të vëmendjes për prodhimin e saj bio, zgjedhjet do të jenë në derë, akuzat janë taze të dala nga fabrika. Klani i drogës i grabiti zgjedhjet (edhe dorëjashtë karteli nuk do jetë), revolucioni demokratik, tubimet, pastaj pushim në gusht dhe do e marrim osh në shtator e kështu historia përsëritet. Në të gjitha fushat do të mbetemi në tentativë; pothuaj gati për të ndërtuar një sistem shoqëror demokratik, pothuaj gati për bisedime me Europën, pothuaj gati për të luftuar krimin dhe trafikun, pothuaj gati për të zgjidhur Çështjen Kombëtare, pothuaj gati për kryer reformat. Nëse do i bëjmë thirrje kulturës sonë të banalitetit që na ndihmon përherë në kësi rastesh: “As të …, as të lëshon”.

Do të ishte e kuptueshme, nëse në Shqipëri do të kishte një frymë të konsoliduar skepticizmi ndaj Bashkimit Europian, madje kjo mund të gjendej interesante edhe nga vetë europianët. Por, në fakt qysh në fillimet e themelimit të shtetit tonë riosh, vetë politikanët shqiptarë kanë shkatërruar sa kanë mundur Çështjen Kombëtare, vetëm se në atë dekikë tymi i saj nuk shkonte në kahun që ata dëshironin.

Veç një vit pas shpalljes së pavarësisë At Gjergj Fishta shkruante:

Kur qe; mbas nji motmoti q’iu pëlqye

Evropës shqyptarin zot n’shpi t’vet me e lanun

E kujt pos Hyut, n’ketë jetë mos me i shërbye,

Shqiptari i ndam prap me vedvedi gjindet

E ç’ka asht ma zi, prej vedit edhe s’bindet

Sot, e kësaj dite, tash që kanë kaluar 103 vjet nga këto vargje, jemi tëpkë njësoj, të këqinjtë e vetvetes dhe eja gjeje guximin t’i gafurresh fqinjit, me të cilin ke do çështje pa zgjidhur. Në këtë farë derexheje, ku gjendesh fqinji do të të thoshte: “bujrum të bisedojmë, por thjesht dua të di me kë të flas; me atë që ndjek hyqmin e Evropit apo atë të Haxhi Qamilit”.

Hë mër Lul, me kë të flasi?

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>