Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Harta çame e Nikos dhe mendjehapurit

Nga 27.al 0

Nga Enkel Demi

Duhet thënë që përsa i përket nacionalizmit shqiptarët janë populli me mendjen më të hapur në Ballkan. Përveç ndonjë shprehje krenarie në raste futbolli, shpërthimet epike janë të rralla, tek-tuk me ndonjë këngë, dhe këto në përgjithësi me një naivitet thuajse të rëndomtë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë apo akademikët e Prishtinës kurrë nuk e kanë ulur vullnetin në ndjenjëse për të hartuar strategji kombëtare. Përndryshe, Akademia e Shkencave të Serbisë ka dy shekuj që nuk lodhet, shpesh duke sajuar rrena, të cilat pasi i dëgjon aq shpesh nis dhe i merr seriozisht. Historianët grekë, Ministria e atjeshme e Arsimit kanë mbushur tekstet shkollore, ku thuhen të paqena olimpike për Epirin, meqë lojërat olimpike u shpikën nga grekët e lashtë. Në Shkup shqiptarët dolën racë e ngjashme me romët dhe ballkano-egjyptasit, në Malin e Zi akoma më zi. Në përgjithësi shqiptarët nënqeshin me këto histori, lëshojnë toka si kanë bërë qysh në lashtësi ose ja mbathin si frikacakë.

Fqinjët tanë janë më këmbëngulës për të tjerrur rrenën, frymën e nacionalizmës, urrejtjen ndaj tjetrit, madje këtë e bëjnë duke u hequr si perëndimorë. Tenisti i famshëm serb, Novak Đoković do vjet më parë tha që ëndërronte të shkonte në Mitrovicë dhe Zveçan, ku i kishte lindur baba dhe të afërmit, sepse Kosova është Serbi. Loriku që është nga Mitrovica po të thotë që Kosova është Shqipëri do të bëhej nami, fillimisht në Prishtinë, sepse atje ka ca që po mundohen ta lënë Kosovën me barrë që të lindë kombi kosovar.

I fundmit rast është ai i ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias në sallën e hartave të kryeministrisë. Ka qeshur i ziu para kamerave, sepse nuk ka vënë re që sipër koke i qëndronte një hartë e vjetër, ku Çamëria është Shqipëri. Mediat greke liberale, konservatore, nacionaliste, të majta, të djathta janë hedhur në sulm frontal, sepse ministri i tyre i Jashtëm nuk merr vesh nga gjeografia. Sulmi udhëhiqet nga gazetarë të moshave jo të mëdha, të cilët kanë lindur nja 30 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, gjë që do të thotë se indoktrinimi atje është kthyer në sistem. Thuaj ti sa të duash që babai 4 vjeç nuk mund të ketë qenë kolaboracionistë për arsye moshe, ai të përgjigjet që e kemi dënuar me vendim gjyqi dhe të rrëfen legjenda se si çamët vranë e prenë grekët e pastaj thyen qafën vullnetarisht në Shqipëri.

Megjithatë shqiptarët mbeten me mendje të shqyer. Në dasmat e tyre, pasi nxehen gjakrat me “Napolonin” dhe “Ra Faja prej fiku”, do dalë ndonjë emigrant Greqie që të kërcen si Zorba greku dhe të tjerët duartrokasin dhe i thonë: “E ke qa plako, sikur me qenë grek!”. Kurse ai që është grek as kafen nuk ta sjell në tryezë, nëse i thua se e do turke.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej