Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

“Guerrilsja” që nuk ka lidhje me arsimin!

Nga 27.al 1

Mero Baze File2673

Nga Mero Baze

Një studente që përfaqëson një organizatë politike të ekstremit të majtë, e cila dhe më parë ka sulmuar me vezë kryeministrin Edi Rama, ka sulmuar sot ministren e Arsimit, duke e gjuajtur me ngjyrues, në shenjë proteste për atë që ata e quajnë dështim të reformës në arsim. Megjithëse ka shumë emocione dhe jargavitje ndaj akteve të tilla agresive, nuk mendoj se ministrja Nikolla duhet të ndjehet e fyer nga ky gjest.

Së pari, që më shumë se sa përpjekje për të mbrojtur arsimin, apo për të sulmuar ministren dhe kryeministrin, kjo organizatë është në përpjekje për të krijuar profilin e saj si organizatë radikale, që përmes gjesteve të tilla ekstreme, të krijojë shtratin e një lëvizje radikale të majtë në Shqipëri.

Së dyti, akte të tilla ekstreme i mundësojnë vetëm qeveri liberale dhe të moderuara, nga ato që “populli nuk i ka frikë”. Në një farë mënyre ata janë shfaqur në skenë pas vitit 2013, kur socialistët erdhën në pushtet dhe janë një grup shëtitës, që kanë qenë bërthama e protestave si tek armët kimike, tek protestat kundër Parkut të fëmijëve tek Liqeni, duke qëlluar Edi Ramën me vezë e kështu me radhë. Vajza në fjalë, apo shefi i saj, nuk ka guxuar as t’i afrohet Sali Berishës ta shikojë nga afër, dhe jo më ta gjuajë me vezë, sa ishte në pushtet. I vetmi rast që ju afruan dhe bënë sikur e gjuajtën me shishe, ishte tek protesta e armëve kimike, kur Berisha ishte rrugëve në opozitë. Dhe mirë kanë bërë që s’e kanë gjuajtur më parë, pasi si përgjigje do merrnin plumbin. Nëse u dhimbsej vërtet arsimi, të njëjtët kolegë të saj, as kanë guxuar të shkonin për shembull tek promovimi i librit të mbesës së Berishës, shkruar nga mësuesja për servilizëm, dhe ta prishnin atë aktivitet si shenjë e degradimit të arsimit në Shqipëri. Po dhe aty mirë kanë bërë që nuk kanë shkuar, se jeta e tyre vlen më shumë se dënglat e familjes Berisha. Por kjo qeveri e ka këtë standard lirie, që ta mundëson dhe të bëhesh ekstremist guerrilas.

Së treti, çka është më e rëndësishme, nuk mendoj që ka arsye për të protestuar për dështimin e reformës në arsim, se nuk shikoj ndonjë dështim. Kur nisi zhurma rreth reformës, problemi që ngritën kundërshtarët e saj, ishte se po ngeleshin studentët pa shkollë, tani problemi është që kanë ngel shkollat bosh, ngaqë nuk ka mjaftueshëm studentë. Kjo nuk është dramë e studentëve, por dramë e shoqërisë sonë fallco, ku të gjithë duan të bëhen studentë, edhe pse nuk meritojnë të jenë as kamarierë.

I vetmi problem serioz që unë shikoj tek kjo reformë arsimore, është barazia e tepruar, që barazon nxënësit e shkollave cilësore të mesme, siç janë shumë gjimnaze të qyteteve kryesore të Shqipërisë, me ata nxënës që kanë mbaruar gjimnaze lokale të pabesueshme për cilësinë e notave. Kjo duhet zgjidhur ose me rikthimin e peshës që ka pasur matura shtetërore në vlerësimin final, pasi është një lloj verifikimi kombëtar i standardeve të ndryshme që kanë gjimnaze të ndryshme, ose duke rankuar gjimnazet dhe duke u caktuar një koefiçent për të mos pasur të njëjtën vlerë. Pra, problem është diskriminimi pozitiv, që dhe nxënës të ardhur nga gjimnaze të dobët, quhen njësoj me ata që vijnë nga gjimnaze cilësore, për shkak të peshës së madhe që i kanë dhënë mesatares. Mund të korrigjohet doemos ajo marrëzia e të aplikuarit në dhjetë degë dhe të shmanget sistemi i lëndëve me zgjedhje, duke ju kthyer gjimnazit tradicional që të teston dije në lëndët bazale, matematikë, fizikë, gjuhë, letërsi dhe histori.

Teoritë e tjera të ankesave ndaj reformës janë çështje politike dhe çështje protagonizmi.

Këta guerrilsat e ekstremit të majtë, duan shkolla falas, këta të PS duan mesataren si kriter që të duken të barabartë, këta të PD duan sistemin që kishin për të bërë gjithë popullin student, me fabrikat e diplomave që mbinë në çdo fshat. Por, kjo nuk është çështje e arsimit, por çështje e debatit politik.

Në këtë vështrim mendoj që bojatisja e ministres, vezët mbi Edi Ramën, apo gjithçka mund t’u shkojë mendja nesër për akte guerrile, nuk vlejnë për të debatuar për arsimin, apo ndonjë fushë tjetër, në varësi se kujt ministri mund t’i bëhet atentat.

E vetmja gjë që mund të diskutojmë, është perspektiva politike e së majtës radikale në këtë rast, apo jargavitjen e PD, pas çdo ekstremisti, qoftë i majtë, i djathtë “apo i qendrës”, për shkak të impotencës së saj opozitare.

Sot nuk mendoj se kemi fituar një studente të revoltuar, që do shkollën, por një veprimtare politike që do pushtetin, siç e ëndërron ajo, siç e ka pas ëndërruar dhe Nexhmija dhe Vitua, kur protestonin si “vajza me kordele të kuqe”. Rrojnë akoma, dhe mund të frymëzohen dhe duke u folur për “idealet” dhe krimet e tyre.

/gazetatema.net/

Komente (1)

  1. Ik o plaku Mere, ti që je kuintesenca e dyfytyrësisë. Vetëm Çili ta mere në kthesë!

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>